Politika kryesore e Bashkisë Tiranë: shtim dhe rritje taksash — Exit shpjegon

Politika kryesore e Bashkisë Tiranë: shtim dhe rritje taksash — Exit shpjegon

Debati rreth projektbuxhetit 2017 është i cunguar dhe jashtë normave ligjore, sepse mungon tërësisht diskutimi mbi shumën e taksave e tarifave që qytetarët paguajnë, në raport kjo me të ardhurat e shpenzimet e tyre.

Çështja e taksave që paguajnë qytetarët ose hapet në mënyrë rastësore vetëm për taksa të caktuara ose ngrihet vetëm nga qytetarët, kryesisht kur ka patur rritje të njëkohëshme të disa taksave apo tarifave. Në të dyja rastet, ai nuk merr kurrë jetë, sepse as psuhteti qendror as ai vendor nuk përfshihen në debate në të cilat duhet të japin llogari.

Rasti më i dukshëm është ai i Bashkisë Tiranë, e cila që pas ardhjes së kryebashkikut Veliaj në vitin 2015, mban rekordin për rritjen e taksave dhe tarifave vendore.

Propozimet për rritjen e taksave nuk janë shoqëruar me publikimin e relacioneve përkatëse, të cilat duhet të detajojnë mënyrën se si justifikohet kjo rritje.

Kalimi i projekt vendimeve për rritjen e taksave e tarifave në Këshillin Bashkiak është bërë i pashpallur, apo në momente kur vëmendja publike është e ulët, siç ndodhi më 30 dhjetor 2015, si mënyrë që të shmangur përballjen me qytetarët.

Duhet theksuar se, sipas Open Data Albania, Bashkia Tiranë është përfituesja kryesore e trasfertave të pakushtëzuara e specifike nga buxheti i shtetit, që mbulojnë diferencën mes të ardhurave të një bashkie dhe nevojave për shpenzime të saj. Ajo përfiton rregullisht 3 herë më shumë se bashkia e dytë përfituese.

Më poshtë, sjellim të gjitha ndryshimet e bëra në taksa në rend kronoligjik.

Me ndryshimet e miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak  Nr. 59, më datë 30 dhjetor  2015:

– U shtua taksa për infrastrukturën arsimore, që parashikohet  të paguhet për 7 vjet. Momentalisht kjo taksë përfshihet në faturën e ujit ndarë në 12 këste.

– U shtuan tarifat për parkimin e makinave: parkimi në rrugët e Tiranës është bërë me pagesë. Tarifat variojnë nga 20 lekë deri në 100 lekë për orë në varësi të zonës. Në rrugët kryesore për të parkuar makinën qytetarët duhet të paguajnë 100 lekë për orë.

– U ndryshua taksa e fjetjes në hotel nga 5 përqind e çmimit të dhomës, që ishte më parë, në 350 lekë për dhomë për natë për hotelet me katër dhe pesë yje dhe 150 lekë për dhomë për natë për hotelet e tjera.

– Pasi premtoi se nuk do të kishte rritje të çmimit, vetëm një javë më pas Bashkia Tiranë miratoi rritjen e çmimit të biletës për transportin urban nga 30 lekë në 40 lekë.

– Taksa e zënies së hapësirës publike nga bizneset u rrit duke u përshkallëzuar sipas zonave të bashkisë Tiranë.

Zona A është zona e Bllokut dhe Bulevardit dhe do të taksohet me 1500 lekë për metër katrorë në muaj. Kjo taksë,  krahasuar me atë që aplikohej më parë, 150 lekë për metër katror,  është dhjetëfishuar.

Zona B është zona brenda Unazës dhe do të taksohet më 750 lekë për metër katror në muaj, nga 150 lekë për metër katror që paguhej më parë.

Zona C është pjesa tjetër e Tiranës dhe do të taksohet më 400 lekë për metër katror në muaj nga 130-150 lekë për metër katror që varionte më parë.

Periferia e Tiranës do të taksohet me 200 lekë për metër katror në muaj nga 120-150 lekë për metër katror që ishte. 

– Taksa e tabelave  të bizneseve, gjithashtu, është rritur disafish.

Më parë tabelat me qëllime identifikimi taksoheshin nga 1 500 – 3 000 lekë/vit, taksimi u rrit e në bazë të zonës, paguhet  nga 31 000 – 45 000 lekë për metër katror në vit.

Po kaq drastikisht u rrit edhe taksa për tabelat me qëllime reklamimi, ku, ato të thjeshtat kishin tarifë 10 000  lekë në vit e ato elektroniket 150 000 lekë në vit, ndërkohë që, në varësi të zonës, për tabelat e thjshta paguhet nga 31 500 – 45 000 lekë për metër katror në vit e për ato elektroniket nga 63 000 lekë – 90 000 lekë për metër katror në vit.

– Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave u rrit për bizneset, përkatësisht:

Për biznesin e vogël me xhiro nga 2-8 milionë lekë në vit më parë kjo tarifë varionte nga 7 000 deri në 30 000 lekë në vit tani varion nga 10 000 deri në 12 000 lekë në vit, në varësi të natyrës së biznesit.

Për biznesin e mesëm më parë kjo tarifë varionte nga 15 000 deri në 40 000 mijë lekë në vit; tani varion nga 30 000 deri në 300 000 lekë në vit.

Për biznesin VIP më parë kjo tarifë varionte nga 25 000 deri në 50 000 lekë në vit; tani varion nga 50 000 deri në 450 000 mijë lekë në vit.

– Taksa e  ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja pësoi ndryshime në kategorizim dhe çmim.

Për banesat, të cilat në bazë të kategorisë paguanin nga 2-4 për qind të vlerës së investimit, taksa u shumëfishua duke përfshirë 8 % të vlerës së shitjes së banësës për metër katror.

Po ashtu, për ndërtime të ndryshme është dyfishuar taksa e ndikimit në infrastrukturë nga 2% e  vlerës së investimit që ishte në 4%.

U shtua taksë e ndikimit në infrastrukturë për ndërtesat në proces legalizimi,që u vlerësua me 0,5% të vlerës së investimit, ndërkohë që është ulur taksa e ndikimit në rastin e ndërtimit të objekteve infrastrukturore publike, që nga 2% është tkurrur në 0,1%.

Rritje pësuan edhe taksat për pasurinë e paluajtëshme, në të cilën bëjnë pjesë:

1. Taksa mbi ndërtesat, ku:

U shtua taksa për ndërtimet e para vitit 1993, që më pare nuk ekzistonte.

U  rrit taksa për ndërtesat e pas vitit 1993 nga 15 lekë për metër katror në 21 – 30 lekë për metër katror,  në varësi të zonës.

Për ndërtesat për përdorim biznesi, që paguhej nga 140 lekë – 200 lekë për metër katror në vit, tashmë, brenda Tiranës taksa është dyfishuar nga 280 lekë– 440 lekë për metër katror në vit, ndërsa për njësitë e tjera administrative ka pësuar rritje në 200 lekë për metër katror në vit.

U shtua taksa për ndërtesat e ndërtuara në vende turistike që shkon 440 lekë për metër katror në vit.

Taksa për pasjen në pronësi të më shumë së një banese jo vetëm u shtua, por ajo u vlerësua sa dyfishi i shumës që paguhet për banesën e parë.

2. Rritje të dukshme pati edhe në taksën mbi tokën bujqësore, që në varësi të kategorisë ishte nga 1200 -4000 lekë për hektarë në vit dhe tani, siç tregon tabela ilustruese, varion nga 1 800 – 5 600 lekë për hektarë në vit.

Gjatë vitit 2017, duke filluar nga data 2 prill, Bashkia, në marrëveshje me disa supermarkete vendosi që qeset e vogla do të kushtojnë 3 lekë dhe ato të mëdha 5 lekë. Gjatë muajit tetor ajo lajmëroi se e njëjta gjë do të fillojë të zbatohet në të gjitha tregje, pa sqaruar se ku bazohet.

Mënyra se si Bashkia e ka justifikuar këtë nismë ka qenë e dyshimtë sepse ajo e ka quajtur vazhdimisht një marrëveshje mes saj dhe bizneseve, që synon të ul përdorimin e qeseve, por realisht nuk ka asnjë ligj që t’i jap Bashkisë kompetencë në këtë aspekt. Pra, ajo ka imponuar aplikimin e tarifave jo të detyrueshme nga ana ligjore, duke shkelur të drejtat e qytetarëve.

U rrit çmimi i ujit të pijshëm nga 45 në 65 lekë për metër kub për familjarët, ndërsa për bizneset u rrit nga 135 në 190 lekë për metër kub. Nuk pati një tentativë për konsultim me grupet e interest, Bashkia e paraqiti e pasfiduar rritjen e çmimit si një plan investimi të saj dhe çdo lloj kriticizmi mbi mënyrën se si u justifikua rritja e cmimit, u refuzua.

Në fakt, gjatë mbledhjes në Këshillin Bashkiak, u miratua rritja e propozuar e çmimit të ujit me procedura të dyshimta përsa i përket ligjshmërisë, mes protestash nga ana e qytetarëve e shoqërisë civile, të cilëve iu ishte mohuar kërkesa për të marr pjesë në mbledhje, e drejtë kjo e garantuar me ligj.

Banorëve të Kasharit, Farkës dhe Dajtit tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave i rritet në 420 lekë nga 170 lekë që ishte.

Të gjitha taksat dhe tarifat e mësipërme përbëjnë vetëm një pjesë të detyrimeve që duhet të paguaj qytetari mesatar shqiptar, qoftë ai familjar apo biznes. Këtyre u shtohen fatura e energjisë elektrike, tatimi mbi të ardhurat personale, kontributet shoqërore e shëndetësore,  taksat mbi automjetet, taksa mbi rrugët, tarifat vendore mbi veprimet administrative, tarifat vendore nga institucionet e varësisë, për kalimin e pronësisë, për strehimin, taksat për shërbimin veteriner e plotë të tjera

Në mënyrë që qytetarët të bëjnë një bilanc të qartë midis të ardhurave e shpenzimeve të tyre, mes të cilave edhe taksat, duhet këmbëngulur për një angazhim serioz të Bashkisë Tiranë në rastin specifik, shoqëruar me një raport të detajuar mbi shërbimet që ajo ofron në këmbim të çdo takse apo tarife.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>