Qeveria talebane në Afganistan do të pranojë çdo emigrant afgan, kërkesat e të cilëve për azil u refuzuan në Evropë dhe më pas ata do të përballen me gjykatat, raporton Reuters.
Qeveria austriake e udhëhequr nga konservatorët ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj azilkërkuesve afganë dhe refugjatëve brenda Bashkimit Evropian, me ministrin e brendshëm që tha fillimisht se Austria duhet të vazhdojë të kthejë në Afganistan azilkërkuesit e që iu është refuzuar aplikimi.
Pasi talebanët morën nën kontroll Kabulin, ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer ka pranuar se kjo nuk është më e mundur, por tha se dëshiron që “qendrat e dëbimit” të krijohen në vendet fqinje me Afganistanin.
Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid i tha gazetës Kronen Zeitung se qeveria e tij do të ishte e gatshme të pranonte të dëbuarit nga vendet e Europës.
“Po. Ata do të çohen në gjykatë. Gjykata pastaj do të duhet të vendosë se si të veprojë me ta,” i tha Zabihullah gazetës kur u pyet nëse qeveria e tyre do të pranonte të merrte azilkërkues afganë në Gjermani ose Austri aplikimet e të cilëve për azil ishin refuzuar ose që kishte kryer krime në ato vende.
Ai nuk shtjelloi pse ata duhet të çohen në gjykatë ose me çfarë gjykimi mund të përballen atje.