Universitetet afgane do të ndahen sipas gjinisë dhe do të futet një kod i ri i veshjes, kanë thënë talebanët.
Ministri i Arsimit Abdul Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të studionin, por jo përkrah burrave.
Ai gjithashtu njoftoi një rishikim të lëndëve që do t’u mësoheshin studentëve.
Gjatë sundimit të talibanëve në të shkuarën, gratë dhe vajzat ndaloheshin të arsimoheshin.
Talibanët kanë thënë se nuk do t’i pengojnë gratë të arsimohen apo të kenë punë. Por që kur ata morën kontrollin më 15 gusht, ata u kanë kërkuar të gjitha grave, përveç atyre në sektorin e shëndetit publik, të mos dalin në punë, derisa të përmirësohet situata e sigurisë.
Para marrjes nën kontroll të Afganistanit më 15 gusht, studenteve femra nuk i kërkohej të mbuloheshin dhe në universitete vajzat dhe djemtë studionin sëbashku.
Megjithatë rregullat e reja mund t’i penalizojnë gratë sepse universitetet nuk kanë mësuese gra për të gjitha lëndët. Haqqani këmbënguli se ka mjaft mësuese femra dhe se aty ku nuk janë në dispozicion do të gjenden alternativa.
“Ne gjithashtu mund të përdorim mësues meshkuj për të dhënë mësim nga prapa një perdeje, ose të përdorim teknologjinë.”, tha Haqqani.
Vajzat dhe djemtë gjithashtu do të ndahen në shkollat fillore dhe të mesme. Gratë do të kërkohen të mbajnë hixhab, megjithatë nuk është specifikuar nëse do të kërkohet mbulimi i gjithë fytyrës.
Ministri tha gjithashtu se lëndët e mësuara në universitete do të rishikohen. Ai u tha gazetarëve se talebanët donin të “krijonin një kurrikulë të arsyeshme dhe islame që është në përputhje me vlerat tona islame, kombëtare dhe historike dhe, nga ana tjetër, të jenë në gjendje të konkurrojnë me vendet e tjera”.