Anëtarët e Këshillit Bashkiak janë përfaqësuesit e qytetarëve të Tiranës, por Kryebashkiaku Veliaj i trajton edhe më keq se vartësit e vet. Në fakt ai mobilizon vartësit e vet për të përgatitur talljen dhe manipulimin e këshilltarëve.
Sikurse informuam dje, këshilltarët janë thirrur në një mbledhje për të diskutuar masterplanin e zhvillimit të Tiranës. Mënyra dhe forma e thirrjes së takimit, por edhe mënyra e zhvillimit të tij janë jo vetëm në shkelje të ligjit, por edhe krejtësisht abuzive dhe nëpërkëmbëse për përfaqësuesit e popullit të Tiranës.
Së pari, njoftimi u bë në shkelje të çdo ligji dhe procedure: u njoftua ditën e shtunë, ditë pushimi, për t’u mbledhur më pak se 48 orë më pas, kohë e gjitha pushim zyrtar.
Në faqen e Bashkisë takimi njoftohej për në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, kur në fakt ishte lënë për në Hotel Plaza, hoteli zyrtar i qeverisë.
Media fillimisht nuk është lënë të marrë pjesë, duke u përpjekur për të përzgjedhur vetëm mediat miqësore. Vetëm pas një debati të gjatë dhe këmbënguljes të përfaqësuesve të grupimeve qytetare është pranuar që si përfaqësuesit e këtyre grupeve edhe mediat të lejohen në sallë si dëgjues.
Këshilltarëve bashkiakë jo vetëm që nuk u është dhënë paraprakisht masterplani, por nuk ju është dhënë materiali as gjatë takimit.
I vetmi material që u është vënë në dispozicion është një përmbledhje hartash teknike. Edhe vartësit e Veliajt e kanë dokumentin e plotë të masterplanit, por jo këshilltarët bashkiakë.
Pasi ka mbajtur fjalën e tij, Kryebashkiaku Veliaj e ka lënë takimin me justifikimin se duhet të shkonte në Bashki për të bërë një celebrim, pikërisht në momentin kur këshilltarët e djathtë kërkuan t’i bënin pyetje kryebashkiakut.