Tarifa prej 5 eurosh që Qeveria Rama ka vendosur për kalimin e rrugës Milot-Morinë është rreth katër herë më e lartë se sa tarifa e rekomanduar nga kompania konsulente.
Top Channel ka bërë publik raportin konfidencial të kompanisë Egnantia Odhos, që qeveria shqiptare pajtoi për bërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri.
Sipas raportit, të dorëzuar në Ministrinë e Transporteve në gusht 2015, tarifa e rekomanduar nga kompania është 1 deri në 2,5 euro për 100 kilometra.
Në raport shkruhet se një tarifë brenda këtyre rekomandimeve është më i përballueshmi nga qytetarët shqiptarë. Në rastin më të keq, kompania shkruan se tarifa më e lartë e përballueshme nga familjet shqiptare është 3,5 euro për kilometër.
Në ndryshim me rekomandimet, Qeveria Rama vendosi që për segmentin Milot-Morinë rreth 115 kilometra të gjatë, qytetarët të paguajnë 5 euro. E thënë ndryshe tarifa e kalimit në rrugën Milot Morinë është 4,2 euro për 100 kilometër, pra 2 deri në 4 herë më e lartë nga ajo që rekomandoi konsulenti privat.
Të ardhurat nga kjo tarifë do të mblidhen nga konsorciumi I dy kompanive shqiptare “Kastrati” dhe “Salillari” dhe kompani turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”. Konsorciumi, sipas kontratës do të mirëmbajë dhe menaxhojë këtë segment të Rrugës së Kombit për një periudhë 30 vjeçare.
Pjesa tjetër e rrugës do të vazhdojë të mirëmbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.