Task Forca — historia e krijimit të hetuesisë ekzekutive të Kryeministrit Rama

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Task Forca — historia e krijimit të hetuesisë ekzekutive të Kryeministrit Rama

Historia ligjore e krijimit të Task Forcës Speciale, e cila u paraqit në publik pak ditë më parë, është historia e një qeverie e cila është përpjekur në mënyrë sistematike të krijojë një njesi hetimi në Ministrinë e Brendshme, nën kontrollin e ekzekutivit dhe jo të sistemit të drejtësisë.

Kjo është historia e katër përpjekjeve për të përqendruar pushtetin në vetëm një degë të pushtetit. Dhe përpjekja e fundit duket se ja arriti qëllimit—të paktën deri tani.

Përpjekja e parë

Në korrik 2014, Kuvendi miratoi Ligjin 108/2014 për Policinë e Shtetit. Në kapitullin VI të këtij ligji parashikohej ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e krijuar sipas modelit të FBI-së amerikane.

Sipas ligjit, institucioni i ri me fuqi hetuese në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar do të ishte një strukturë speciale në Policinë e Shtetit, nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve të Brendëshm, në atë kohë e drejtuar nga Saimir Tahiri, i cili gjithashtu do të emëronte drejtorin e këtij institucioni. (Ish-ministri Tahiri kohët e fundit është akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës dhe krimin e organizuar).

BKH do të kishte edhe Komitetin Koordinues Kombëtar (KKK) të drejtuar nga Ministri i Brendshëm, me pjesëmarrjen e drejtorit të Policisë së Shtetit, drejtorit të BKH dhe përfaqësuesve të shërbimit sekret, prokurorisë, drejtorisë së tatimeve dhe pastrimit të parave nën Ministrinë e Financave. KKK do të përcaktonte strategjinë kryesore të BKH-së.

Në prill të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese votoi 7 me 2 kundër Kapitullit VI të ligjit, duke e shpallur atë jokushtetues:

Byroja Kombëtare e Hetimit bie ndesh me Kushtetutën dhe nenin 108 të saj, sepse ndjekja penale është kompetencë e Prokurorisë dhe e Ministrisë së Drejtësisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme.

Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se ligji 108/2014 ishte miratuar me shumicë të thjeshtë, duke kapërxyer një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar, Kushtetutën. Për më shumë, Gjykata Kushtetuese gjeti se Kapitulli VI kërcënonte të drejtën e qytetarëve për një proces të drejtë, duke qenë se hetimet do të drejtoheshin nga Minsitria e Brendëshme, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut të mishëruara në Kushtetutë.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese mbrojti në mënyrë të fortë ndarjen e pushteteve ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit të qeverisë, si dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë.

Përpjekja e dytë

Në shkurt të vitit 2016, qeveria Rama paraqiti një draft ligj në lidhje me disa ndryshime në Ligjin 108/2014, në përpjekje për të zëvendësuar Kapitullin VI, tashmë të anulluar si antikushtetues.

Në draft ligjin e ri, drejtori i BKH-së emërohej sërish nga Ministri i Brendshëm, por vetëm me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Për më shumë, Prokurori Përgjitshëm do të caktonte disa prokurorë që të shërbenin pranë BKH-së. Por, përsëri, e gjithë struktura—dhe kjo është thelbësore—vendosej tërësisht nën kontrollin e ekzekutivit.

Përcaktimi i fushës të veprimit u bë, gjithashtu, më i saktë. BKH do të trajtonte korrupsionin, shpërdorimin e  detyrës, pastrimin e parave, dhe disa krime të tjera të rënda (më saktësisht nenet 254/1, 248, 256, 257/a, 258, 287, 294, 295/a dhe 328 të Kodit Penal).

Draft ligji hoqi çdo lloj citimi të KKK-së, duke e zëvendësuar me Komisionin e Pavarur të Rishikimit (KPR), i cili do të përbëhej nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga ambasada në Shqipëri e Bashkimit Evropian dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

KPR-ja do të monitoronte rekrutimet dhe trajnimet e punonjësve të BKH-së dhe do të siguronte ligjshmërinë e vendimeve të BKH-së. (Vini re se sa shumë e imiton këtë rol Bordi Ndërkombëtar i Monitorimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve).

Draft ligji më vonë u tërhoq nga qeveria pasi ajo dështoi ta kalonte atë në Kuvend përpara përfundimit të sesionit parlamentar për pushimet e verës.

Përpjekja e tretë

Në tetor të viti 2016, Kuvendi kaloi me unanimitet një nga ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi: Ligji 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Neni 4 i këtij ligji parashikon krijimin e Prokurorisë Speciale për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa neni 5 e vendos byronë hetimore, Njesinë e Pavarur Hetimore, nën ombrellën dhe në shërbim të Prokurorisë Speciale.

Sipas ligjit, drejtori i Njesisë do të emërohet nga prokurorët e Prokurorisë Speciale, sikurse kërkon Kushtetuta.

Edhe pse ligji 95/2016 është në fuqi, Prokuroria Speciale nuk është krijuar akoma, sepse ajo do të emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Zgjedhja e KLP-së është zvarritur në Kuvend, dhe për aq kohë sa KLP nuk zgjidhet nga Kuvendi, ajo nuk mund të emërojë Prokurorinë Speciale, e cila si rrjedhojë nuk mund të emërojë drejtorin e BKH-së.

Edhe pse institucionet e ngarkuara të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin janë krijuar me ligj me mbështetjen e të gjitha palëve politike dhe të ndërkombëtare, ato nuk janë krijuar ende për shkak të papaftësisë (ose mungesës së vullnetit) të qeverisë.

Nëse qeveria do të ishte vërtetë serioze në trajtimin e shqetësimeve serioze, ajo do të përshpejtonte zgjedhjen e KLP-së, e cila do të lejonte krijimin dhe funksionimin e të gjitha institucioneve të përcaktuara në reformën në drejtësi.

Përpjekja e katërt

Duket se SHBA-të dhe BE-ja, ose të paktën ambasadorët e tyre, i kanë shkaur nga pas qeverisë në braktisjen e Prokurorisë Speciale dhe Njesisë të Pavarur Hetimore—tani që kjo e fundit nuk mund të kontrollohet dot  nga Ministria e Brendshme

Por, përmes një procesi jotransparent, që në asnjë pikë nuk përfshiu Prokurorinë ose Kuvendin, qeveria ka nisur, të paktën në letër, “një operacion” të quajtur “Forca e ligjit” dhe ka krijuar “Task Forcën kundër krimit të organizuar”.

Ambasadori amerikan Donald Lu premtoi dy agjentë të FBI-së në këtë “operacion” dhe “task forcë”, ndërsa ambasadorja e BE-së Vlahutin e vlerësoi këtë nismë me fjalët e mëposhtme:

Unë jam këtu sepse dua të besoj që operacioni Forca e Ligjit do të jetë me të vërtet një hap vendimtar drejt një Shteti që është shumë më i sigurt se sa çdo lloj krimi.

Unë shpresoj me gjithë zemër që të kem të drejtë. Unë lavdëroj ministrin dhe zëvendësit e tij, dhe të gjithë anëtarët e ndershëm të forcave të policisë, të cilët duan të bëjnë gjënë e drejtë. Të cilët duan të provojnë se ata kanë vullnetin, forcën dhe aftësinë për të mbrojtur ligjin dhe rendin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Ne, nga komuniteti ndërkombëtar, nuk jemi policë, ne nuk jemi prokurorë apo gjykatës. Ne mund të bëjmë punën tonë. Por ne jemi aleatët dhe partnerët tuaj në këtë luftë, dhe ne do të bëjmë atë që mundemi për t’ju ndihmuar të bëni punën tuaj ashtu siç duhet.

Në do t’ju mbështesin, monitorojmë, dhe do të punojmë me ju për aq kohë sa do të duhet të arrini suksesin. Jo sepse ne mendojmë se dimë më shumë, por sepse ne e dimë që kjo është një betejë e vështirë, dhe ju keni nevojë për ndihmë. Ju keni nevojë për të treguar rezultate konkrete, të prekshme dhe të pakthyeshme.

Po le ti hedhim një sy ndërtimit të kësaj “gjëje të drejtë”, e cila do të krijojë një “Shtet [vini re gërmën e madhe] që është më i fortë se çdo lloj krimi”:

Organigrama e Task Forcës përfshin një organ koordinues—Task Forca Qendrore (TFQ)—e përbërë nga përfaqësues të Ministrisë sē Brendshme, Policisë sē Shtetit, shërbimeve sekrete, Minsitrisë së Financave dhe institucioneve të tjerë.

Shkurt, kjo është e njëjta strukturë si Komiteti Kombëtar i Koordinimit (KKK) i BKH-së në ligjin e viti 2014, i cili u shpall më vonë antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Po Komisionin e Pavarur të Rishikimit (KPR) në përpjekjen e dytë e mbani mend? Ndërsa, tani kemi agjentët e FBI-së që ndihmojnë Task Forcën. Duke zgjedhur emrin “Task Force” në vend të Byro Kombëtare të Hetimit, qeveria me zgjuarsi ka krijuar iluzionin se institucioni do të jetë i vogël dhe i përkohshëm.

Përkundrazi, organigrama e Task Forcës përshkruan organizimin e mëtejshëm të saj me Task Forcat Speciale Rajonale në çdo rreth, nën drejtimin e Task Forcës Speciale Qendrore, secila me drejtoritë, drejtorët, specialistët dhe agjentët përkatës.

Me fjalë të tjera, Task Forca është një institucion i madh, paralel me Prokurorinë, por nën kontrollin e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për më shumë, ajo ka objekt të hetojë krimin e organizuar, i cili sipas ligjit 95/2016 është kompetencë e Prokurorisë Speciale.

Së fundi, ndoshta aspekti më shqetësues i Task Forcës është se ajo nuk është e përcaktuar në ligj, por vetëm nga një vendim i qeverisë (VKM).

Kjo do të thotë se e gjithë struktura e Task Forcës, funksioni i saj dhe punonjësit, janë praktikisht nën mëshirën e Kryeministrit, pa asnjë mundësi mbikqyrjeje nga Kuvendi apo instituion tjetër kushtetues.

Në fakt, Task Forca është vetëm përpjekja e rradhës e Kryeministrit Rama për të “qeverisur me dekret personal” dhe jo përmes ligjbërjes nga Kuvendi, por sidoqoftë ajo është tronditëse në kurajon e pacipë të tij.

Por edhe më shokuese është miratimi unanim i komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, që jo vetëm tregon  mungesën e thellë të të kuptuarit të sistemit ligjor shqiptar dhe historisë së tij, por i jep një thikë mbrapa shpine reformës në drejtësi — të cilën ky komunitet e shtyu aq fort.

Me vendosjen e Task Forcës, Prokurira Speciale dhe BKH-ja janë kthyer de facto në institucione të panevojshme. Me këtë justifikim, shumica tani mund ta shtyjë dhe zvarrisë sa të dojë formimin e institucioneve kushtetuese të krijuar me reformën në drejtësi.

Për më shumë, çdo kush që hetohet nga Task Forca për krimet  (edhe të vërteta) tani mundet me lehtësi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, me pretendimin se nuk iu nënshtruan një gjykimi të drejtë. Dhe ato do të fitojnë.

Në fakt, nëse unë do të isha Saimir Tahiri, shpresa ime më e madhe do të ishte të hetohesha nga Task Forca dhe jo nga Prokuroria e Krimeve të Rënda: me siguri do të kisha dalë i pafajshëm.

Përmbledhje

Me ndihmën e ndërkombëtarëve, Edi Rama e arriti të krijojë hetuesinë e tij, duke përmbushur synimin e tij të hershëm, në përpjekjen e tij të katërt:

Ligji 108/2014 Për Policinë e Shtetit, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese — dështim;

Draft Ligji për disa ndryshime në Ligjin 108/2014, u tërhoq nga qeveria pasi nuk u dërgua në Kuvend — dështim;

Ligji 95/2016, vendosi krijimin e Njesisë së Pavarur Hetimore nën Prokurorinë Speciale, por qeveria ka sabotuar emërimin e Prokurorisë Speciale, pra edhe krijimin e Njesisë — dështim;

Krijohet me vendim qeverie Task Forca Speciale, një byro hetimi brenda Ministrisë së Brendshme në linjat e shfuqizuara të Ligjit 108/2014 — sukses.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>