Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kontrolluar nga afër riparimin e dëmtimeve të shtyllave të tensionit në Elbasan gjatë reshjeve të dëborës.
Balla ka postuar pamje në Facebook, ku shihet duke parë punonjësit e OSHEE-së që bëjnë rregullimin e pjesëve të dëmtuara të rrjetit elektrik.
Ai i përgjigjet edhe kritikëve për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga moti.
“Gaztorëve që komentojnë nga divani i ngrohtë, të cilët japin mend pse kështu e pse ashtu, ju them se këto janë kushte atmosferike tepër të vështira”, shkruan Balla.
Kreu i socialistëve në parlament nuk është i vetmi përfaqësues i mazhorancës që ka ndjekur nga afër menaxhimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e dëborës.
Mbrëmjen e së shtunës, ministrja e Infrastukturës, Belinda Balluku dha informacion mbi gjendjen e rrugëve nga një borëpastruese në urën e Milotit.