Taulant Balla—ngjitja e shkëlqyer në majë të politikës dhe akuzat që mund ta rrëzojnë

Taulant Balla—ngjitja e shkëlqyer në majë të politikës dhe akuzat që mund ta rrëzojnë

Taulant Balla është vënë në qendër të debatit politik të javëve të fundit, i gjendur nën një sërë akuzash, kryesisht nga opozita, për lidhje apo mbështetje të personave me probleme kriminale.

Ai i ka kundërshtuar të gjitha këto akuza duke u shprehur se ai është venë në qendër të vëmendjes për shkak të faktit se është një nga drejtuesit kryesorë të shumicës qeverisëse në vend.

Exit.al ofron më poshtë një përshkrim të shkurtër të ecurisë politike të Ballës deri në ngjitjen në majat e Partisë Socialiste dhe të akuzave nën të cilat ai gjendet.

Karriera

Balla është anëtar i Partisë Socialiste që në vitin 1995, në moshën 18 vjeçare, kur ai u regjistrua në radhët e PS-së së Librazhdit.

Mënjëherë më pas ai u largua për studime në Rumani, ku përfundoi studimet e larta dhe master për shkenca politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Alexandru Ioan Cuza në Iasi. Shumë vite më pas, më 2015, Taulant Balla përfundoi edhe doktoraturën, sërish, në këtë universitet me punimin e titulluar “Reformimi i Sistemit Vendim-Marrës në Bashkimin Europian”.

Ndërsa ishte ende student në Rumani, në vitin 2001, ai kreu një stazh pranë Minsitres së atëhershme të Integrimit Ermelinda Meksi, çfarë ishte prezantimi i tij me nivelet e larta të Partisë Socialiste në qeveri. Në vitin 2002, ai nisi punë në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Partisë Socialiste dhe në vitin 2003 u punësua në stafin e Zëvendës Kryeministrit Namik Dokle.

Fillimi i mirëfilltë i karrierës së tij politike ishte në vitin 2004-2005, kur Balla u emërua ndihmës i ish-Kryeministrit Nano, i ngarkuar me kontaktet me Internacionalen Socialiste.

Nga marrëdhënia e ngushtë me Nanon, ai u kandidua për deputet në zonën e Librazhdit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në moshën 28 vjeçare. Megjithëse socialistët i humbën zgjedhjet, të fundit të zhvilluara me sistemin mazhoritar, Taulant Balla u zgjodh deputet. Gjatë mandatit të tij të parë paralementar, Balla u bë i njohur për akuzat e forta në drejtim të ish-Kryeministrit Berisha dhe familjarëve të tij.

Në periudhën 2007-2009, ai shërbeu si kryetar i Komisionit parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit pasi shumica demokrate vendosi që kryesinë e këtij komisioni t’ja kalonte opozitës.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, të zhvilluara pas ndryshimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, Taulant Balla u rendit i katërti në listën e qarkut Elbasan dhe u zgjodh sërish deputet si përfaqësues i zonës së Librazhdit.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Balla drejtoi fushatën për rrethin e Librazhdit. Socialistët humbën në këto zgjedhje Bashkinë Librazhd—kryebashkiaku Kastriot Begaj humbi përballë sfiduesit demokrat Shekfi Çota. Në këto zgjedhje, socialistët humbën edhe bashkinë e Përrenjasit dhe 4 komuna, duke fituar vetëm 5 komuna, në një rreth të konsideruar si bastion socialist.

Megjithë humbjen në këto zgjedhje, Taulant Balla ishte ndër të paktët deputetë socialistë që nuk u “ndëshkua” nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.

Në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, Balla u rendit i pesti në listën e PS-së për qarkun Elbasan. PS fitoi 6 nga 14 mandate duke e bërë Ballën sërish deputet.

Pas zgjedhjeve, Balla u emërua zëvendëskryetar i grupit parlamentar të PS-së.

Pas këtyre zgjedhjeve, ai u përfshi nën akuza nga media për kontrollin e punësimeve, sidomos ato në administratën tatimore dhe doganore, veçanërisht në rrethin e Elbasanit.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, e majta fitoi të gjitha bashkitë në qarkun e Elbasanit— që pas reformës territoriale ka 7 bashki, përfshi dhe atë të Librazhdit, e majta i fitoi të shtata.

Në periudhën 2015-2017, në konfliktin e brendshëm në PS mes deputetit Ben Blushit dhe Kryetarit Edi Rama, Balla ishte ndër zërat kryesore kundër Blushit, duke bërë herë pas here deklarata të forta kundër tij, në mbrojtje të Ramës.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Taulant Balla u rendit i pari në listën e qarkut Elbasan, duke zëvendësuar Ben Blushin, i cili u largua nga PS pas përplasjeve me Edi Ramën. PS fitoi 7 mandate në Elbasan nga 14—PDIU dhe LSI fituan nga dy mandate secila dhe PD fitoi tre mandate. Socialistët fituan shumicë absolute duke marrë 74 deputetë dhe duke siguruar qeverisjen e vetme.

Pas zgjedhjeve, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist, duke u ngjitur kështu në pozicionin, praktikisht, të dytë më të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Në tetor 2017, pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PS-së duke marrë kështu edhe postin e dytë formalisht më të rëndësishëm në parti.

Akuzat për kontakte kriminale

Gjatë muajve të fundit Taulant Balla është akuzuar nga burime të ndryshme, kryesisht nga opozita, për përfshirje në pothuaj në të gjitha skandalet që kanë përfshirë qeverisjen Rama.

Skandali Toyota Yaris – Në qershor 2018, Kryetari i PD-së Basha paralajmëroi në një fjalim në Kuvend se drejt Shqipërisë, ishte nisur me anije nga një vend perëndimor, një makinë Toyota Yaris e mbushur me para euro, dërgesë e krimit të organizuar për t’u pastruar në Shqipëri, nën mbrojtjen e Taulant Ballës. Pas disa ditësh, në Portin e Durrësit u kap vërtet një makinë Toyota Yaris në bordin e së cilës u gjetën të fshehura 3,4 milionë euro. Në akuzat e mëpasshme të PD-së, Balla u akuzua se ai kishte zhvilluar një takim në Selanik me element kriminalë ku ishte diskutuar për këtë dërgesë, dhe ky takim ishte regjistruar nga shërbime inteligjence. Balla i ka mohuar kategorikisht këto akzua.

Skandali i audio-përgjimit Xhafaj – Pasi shumica socialiste deklaroi se kishte zbuluar se zëri në audiopërgjimin e Albert Veliut ishte i një personi te futur nga PD, Fredi Alizoti, deputeti Ervin Salianji bëri publike një video ku në fakt Alizoti tregonte se ai kishte marrë para nga Taulant Balla për të sajuar këtë histori. Në pëgjimet e Prokurorisë Alizoti i referohet disa herë Taulant Ballës dhe marrjes së një shpërblimi prej tij, çfarë duket se konfirmon pohimin e tij në video se është futur nga Balla për të pretenduar që është ai dhe jo Agron Xhafaj në përgjimin fillestar. Balla i ka mohuar edhe këto akuza, duke pretenduar së fundmi së, në fakt është, PD që ka sajuar edhe futjen e Alizotit edhe përdorimin e tij për ta future në kurth PS-në—pra PD ka sajuar edhe sajimin e sajimit.

Skandali Rraja – Në shtator 2018, Taulant Balla u akuzua nga ish-oficeri i policsë Emiljano Nuhu se ai e ka ndërhyrë dhe ka qenë prezent në komisariat kur Nuhu është kërcënuar për të mos arrestuar djalin e deputetit socialist të Krujës, Rexhep Rraja, i akuzuar për dhunim, përdhunim, këcënim e përndjekje të 25-vjeçares Maloku.

Skandali i Edmond Begos – Pasi autoritet greke arrestuan një person të quajtur Edmond Bego në bazë të një urdhëri të lëshuar nga drejtësia italiane, u mësua se ky person i dënaur me 21 vjet brugim për trafik kokaine në Itali, është i afërt me Taulant Ballën, fakt që Balla e pranoi publikisht duke u shprehur se ka miqësi familjare me të.

Pas këtij deklarimi, Balla u akuzua se ka favorizuar kompaninë e Edmond Begos të përfitojë miliona euro para nga tenderat publikë gjatë viteve të fundit, kryesisht në qarkun e Elbasanit, ku Balla është praktikisht drejtuesi politik i qeverisjes lokale dhe qendrore.

Më pas, PD bëri publike disa të dhëna që duket se konfirmojnë se Taulant Balla dhe Edmon Bego kanë udhëtuar rreth 57 herë së bashku jashtë vendit gjatë katër viteve të fundit, përfshi disa udhëtime me të njejtën makinë dhe një udhëtim me avion çarter.

Balla ka pretenduar se nuk e dinte që Bego ishte i dënuar, dhe se ai nuk ka ndikuar kurrë për dhënie tenderash Begos dhe 2-3 udhëtime që mund të ketë bërë me të janë bërë në grupe më të mëdha njerëzish.

Skandali i shoqërimit me Maksim Beçon – Në fillim të tetorit 2018, ish-Kryeministri Berisha botoi një foto të Ballës me një person të arrestuar për trafik droge Maksim Beço. Balla e mohoi që të kishte takuar ndonjëherë këtë person, duke pretenduar që ishte foto e montuar. Pas këtij pretendimi, Zoti Berisha botoi një video disa sekondëshe të takimit, nga e cila ishte marrë fotoja e publikuar më parë. Balla mohoi sërish që të jetë takuar me Maksim Beçon duke pretenduar që edhe video është e sajuar me montazh.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>