Të gjitha reagimet pro e kundër për vendimin e Kurtit për heqjen e tarifave ndaj Serbisë

Nga Exit News
Të gjitha reagimet pro e kundër për vendimin e Kurtit për heqjen e tarifave ndaj Serbisë

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti njoftoi më 27 shkurt se Kosova do të nisë heqjen graduale të tarifave 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia e Bosnje-Hercegovina.

Hapi i parë do të jetë heqja e tarifës 100 për qind për lëndët e para, më 15 mars.

Më pas, nëse Serbia do të ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, atëherë më 1 prill, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja.

Kurti paralajmëroi se në rast se Serbia nuk tërhiqet nga fushata e saj, atëherë tarifa do të rivendoset sërish.

Duket se vendimi i qeverisë Kurti për tërheqje graduale, nuk ka kënaqur as ndërkombëtarët, por as palët brenda vendit dhe deri tani ka gjetur vetëm mbështetjen e vakët të Gjermanisë.

Exit News sjell më poshtë reagimet për vendimin e Kurtit.

Menjëherë pas lajmit, më 27 shkurt, ish-kryeminsitri Ramush Haradinaj reagoi ashpër duke e akuzuar Kurtin ‘mashtrues’ dhe ‘përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia’.

Po më 27 shkurt, i dërguari i Posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kundërshtoi vendimin e Kurtit për heqje graduale dhe kërkoi heqjen e të gjitha tarifave. Ai shkroi në Tëitter:

“Ne nuk i mbështesim masat gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti po bën gabim serioz – dhe kjo i është bërë e ëartë presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë.”

Fillimisht më 27 shkurt, zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdulah Hoti, nga LDK-ja aleatja e Kurtit në koalicionin qeverisës, tha se “qëndrimi i Kurtit nuk është bashkërenduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës” dhe se “Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë në mbledhjen e qeverisë propozimin e zotit Kurti për heqjen e tarifave.”

Por më pas, më 28 shkurt Vjosa Osmani zbuti qëndrimin e LDK-së duke deklaruar:

“Shoh bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnerëve të koalicionit. Po ashtu shoh që dy partnerët kanë qëllime të përbashkëta, mbrojtjen e interesave të vendit dhe mbrojtjen e partneritetit me SHBA-të dhe BE-në, që është ekzistenciale për ecjen tonë përpara.”

Vjosa Osmani tha dhe se LDK ka qenë pro heqjes së plotë të tarifave, siç ka rekomanduar SHBA-të dhe jo për heqje të pjesshmë:

“Jemi shprehur në favor të heqjes së tarifës sepse ka qenë masë e vendosur pa koordinim me partnerët tanë dhe nuk mund të rrezikohen raportet tona me miqtë tanë për shkak të një çmimi të një produkti.”

Ky qëndrim u mbështet dhe nga deklarata e Avdullah Hotit, i cili tha:

“A mundë të qeverisësh suksesshëm një qeveri e cila nuk e ka mbështetjen e SHBA-ve? Në një qeveri të tillë LDK nuk rri. LDK nuk rri në qeveri nëse nuk hiqet taksa pa kushte.”

Më 28 shkurt presidenti Hashim Thaçi bëri thirrje për marrjen e vendimeve strategjike që nuk vënë në rrezik partneritetin e SHBA-ve, duke nënkuptuar heqjen e plotë të tarifave ndaj Serbisë:

“Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në.

Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura.”

Më 28 shkurt, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt në një postim në Twitter shprehu mbështetje për vendimin e Kurtit dhe nxiti rinisjen e dialogut:

“Hap i rëndësishëm dhe kurajoz nga kryeministri Albin Kurti, vetëm disa javë pasi mori postin. Tani kjo duhet të çojë në një proces konstruktiv të heqjes së barrierave tregtare dhe lëvizjes së lirë mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe riangazhim në dialog që çon në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.”

Medias serbe shkruan se Kryeministri britanik Boris Johnson në një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, përshëndeti tërheqjen e pjesshme të Kosovës të tarifave ndaj mallrave nga Serbia.

Më 28 shkurt, Ramush Haradinaj sulmoi sërish qeverinë për vendimin për heqjen e tarifave. Në një intervistë për FrontOnline, Haradinaj tha se LDK, është dhe më e rrezikshme se Kurti pasi kërkon heqjen e plotë të tarifave ndaj Serbisë:

“Është jashtëzakonisht i habitshëm roli i parazitëve politikë të LDK-së, i ish-kryeministrit Mustafa, I Osmanit dhe gjithë kolegëve të tyre

Ata janë më keq se Kurti. Ata thonë se taksa duhet të hiqet pa kushte. Ky madje Kurti po mundohet ta mashtrojë popullin, LDK-ja e ka thënë hapur se taksa duhet të hiqet pa kushte. Ky e hoqi dje pa asnjë kusht. Është e habitshme kjo qasje, këta a po e dijnë ku po hyjnë.”

Haradinaj paralajmëroi mobilizimin e partisë së tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,  për të kundërshtuar këtë vendim të kryeministrit Kurti.

Ndërkohë të hënën, 2 mars, kuvendi i Kosovës do të të mbajë seancë të jashtëzakonshme për këtë vendim, me kërkesë të AAK-së, PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate që kundërshtojnë vendimin e qeverisë Kurti.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>