Të gjithë deputetët e partive të opozitës do të heqin dorë nga mandatet e tyre në parlament.
Gjashtë partitë e tjera të opozitës iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të hequr dorë nga mandatet e deputetëve. Lëvizja Socialiste për Integrim, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Agrare Ambientaliste dhe Partia Demokristiane njoftuan vendimin përmes kryetarëve të partive.
Pasi Basha shpalli sot vendimin unanim në PD për të dorëzuar mandatet e deputetëve, edhe grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim mori të njëjtin vendim. Në konferencën për shtyp, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi njoftoi vendimin unanim të partisë së saj dhe tha se “grupi [parlamentar] i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të kthyer legjitimitetin e qeverisjes së Shqipërisë”.
Gjithashtu, pas një takimi me Kryetarin e PD-së Lulzim Basha, kryetarët e të gjitha partive parlamentare të opozitës deklaruan se nismës së Bashës do t’i përgjigjen me dorëzimin e mandateve nga të gjithë deputetët e tyre.
Megjithë dorëheqjet nga mandatet të opozitës së bashkuar, Partia Socialiste do të vazhdojë të ketë shumicën e 140 vendeve në parlamentin e Shqipërisë.