Rreth tre javë më parë, Kryeministri Rama udhëtonte nga Hong Kongu drejt Tiranës në bordin e një avioni charter. Bashkë me të në bord ishin tregtari më i madh i naftës në vend, tregtari më i madh i cigareve në vend dhe eksportuesi më i madh i mineraleve në vend. Avioni ishte paguar prej tregtarëve për t’i krijuar rehati e volitshmëri Kryeministrit, i cili kishte udhëtuar për në Hong Kong për hapjen e ekspozitës së vizatimeve të tij të famshme.
Ndërkohë që ata udhëtonin drejt Tiranës, në Shqipëri mijëra inspektorë tatimorë vazhdonin kontrollet e tipit sovjetik dhe gjobat ndaj bizneseve e sipërmarrësve të vegjël për lëshimin e kuponit tatimor e parregullsi të tjera administrative.
Dy javë pas udhëtimit të Hong Kongut, qeveria e Zotit Rama bëri publik projektbuxhetin 2016, i cili informon se gjatë vitit 2015 mosrealizmet më të mëdha të të ardhurave janë në fushën e cigareve, naftës, rentës minerare dhe mallrave të akcizës. Janë mosrealizime spektakolare. Vetëm importet e cigareve në dy vitet e fundit kanë rënë me më shumë se 35 përqind.
Tre tregtarët në avionin që vinte nga Hong Kongu me Kryeministrin Rama dhe 3-4 të tjerë kanë pothuajse gjithë kontrollin tregtisë së naftës, cigareve e mineraleve dhe pjesën më të madhe të tregtisë së mallrave të akcizës. Të gjithë njerëz shumë të afërt të Kryeministrit. Të gjithë përfitues nga Kryeministri të konçensioneve, kontratave e privilegjeve të tjera ekonomike, shumica të përfolura në publik si të dyshimta apo korruptive.
Tashmë është e qartë se është vetë Kryeministri rreziku kryesor për falimentimin e financave publike të vendit: klientët e tij janë evazorët më të mëdhenj të vendit.
Është rrezik që do të vazhdojë. Në dokumentin e projektbuxhetit nuk ka asnjë masë për të shmangur këtë problem, edhe pse ai identifikohet si problemi kryesor. Ndërkohë Kryeministri Rama është duke kërkuar një tjetër avion charter për vizitën e tij të rradhës në Kinë në fund të nëntorit e fillim të dhjetorit.