Një valë shkurajimi goditi të hënën shumë njerëz, të habitur, të mërzitur dhe të kapur në befasi nga rezultati i thellë i zgjedhjeve vendore në Dibër. Shumë prej tyre nuk ishin demokratë, por të gjithë shpresonin që, në rrjedhën e ngjarjeve politike, Partia Demokratike të mund të ishte bërë pikë grumbullimi e një koalicioni të aftë për të ndaluar aventurën e çmendur të “Rilindjes” përpara se ajo të shkatërrojë atë pak që ka mbetur në një vend tashmë të goditur rëndë nga 25 vite tranzicion i dështuar.
Rezultati i Dibrës bëri të qartë për të gjithë se ndërgjegjja kolektive e vendit është aq e lodhur sa as korrupsioni i shfrenuar, as përmbytja e vendit me kanabis, as riciklimi sistematik i parave, as skandalet e njohura seksuale, as standardi i dyfishtë në zbatimin e ligjit, as grabitja e pasurive publike, as përfshirja e kriminelëve në politikë dhe administratë nuk janë motiv për indinjim shoqëror, për refuzim, për revoltë të brendshme.
Por, ajo që Dibra bëri më të qartë është mungesa e një alternative të besueshme, të aftë për të bindur popullin se çështjet publike mund të qeverisen në një mënyrë tjetër, për të krijuar një të ardhme të hijshme dhe që të paktën të jetë një alternativë ndaj emigrimit.
Sigurisht një pjesë e madhe e intelektualëve, profesionistëve dhe sipërmarrësve të vendit shpresuan që Ilir Meta “t’ia hiqte prizën” qeverisë Rama. Por secili prej tyre, që ankohet nën zë për arrogancën e pushtetit, shpreson gjithmonë që punën e rrezikshme ta bëjë dikush tjetër dhe të gjithë rrinë e vështrojnë. Kanë familje dhe biznese për të mbrojtur.
Vetë Meta, i cili duke mos pasur asnjë dallim të dukshëm politik dhe duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës, në Dibër vështroi nga së largu, për të parë nëse Basha ishte i aftë t’i jepte një goditje qeverisë, që më vonë të ripozicionohej me kujdes. Edhe ai ka një familje dhe biznese për të mbrojtur.
I vetmi që nuk mund të mos përfshihej në luftë ishte Basha, roli politik i të cilit është tkurrur në atë të një shefi opozite fasadë, pa ndonjë propozim të besueshëm, strategjia e deritanishme e të cilës është të presë deri atëherë kur populli të jetë lodhur nga socialistët, për t’i zëvendësuar ata në qeverisje dhe, ndoshta, edhe në qasje.
Është e qartë për të gjithë që Basha nuk është një lider karizmatik si Berisha apo Rama, nuk ngjall simpati si Nano apo Majko, duket monoton, pa ndonjë shpërthim emocional, i paaftë të fluturojë dhe mbi të gjitha për të ngritur të tjerët, një burokrat partie, një “politikan karriere” ashtu siç e ka përkufizuar ai vetë veten.
Paradoksalisht është pikërisht kjo karta më e mirë e Bashës, që në ndryshim nga kundërshtari i tij dhe paraardhësi i tij, nuk shfaq aspiratën e dukshme dhe të papërmbajtshme ndaj pushtetit absolut që ka trembur në të shkuarën dhe tremb akoma sot popullin shqiptar.
Por, në lojën e roleve të politikës shqiptare i takon atij, si shefi i tanishëm i opozitës, të gjej mesazhin, strategjinë, argumentin politik të aftë të krijojë shpresa të reja për ndryshim, përndryshe në skenën e politikës do t’i duhet të kënaqet me rolin e shpatullës për komikun kryesor, që për shumë kohë do të mbetet Rama.
Ndoshta nga zgjedhjet në Dibër doli edhe një mesazh pozitiv për Bashën: të braktisë oligarkët dhe banditët që tashmë e kanë gjetur vendin e tyre në sistemin e Ramës dhe të cilëve ai nuk u jep dot asgjë më shumë nga sa po u jep Rama.
Dibra ishte thirrja për Bashën që t’i përkushtohet atyre shtresave shoqërore të lëna të pambrojtura dhe të përçmuara nga elitarizmi vanitoz i “Rilindjes”; të flasë për të drejtat e punëtorëve dhe sipërmarrësve; të ngrejë zërin për ligjet kundër monopoleve dhe për barazi të vërtetë fiskale për ata sipërmarrës të vegjël apo të mesëm që nuk kanë fuqinë të kushtëzojnë qeverinë dhe as të mbrohen prej saj; të ulërasë për burgosjen e banditëve dhe evazorëve të mëdhenj fiskalë; të flasë për shërbime dhe asistencë për ata që nuk arrijnë të paguajnë faturat.
Dibra ishte thirrja për Bashën që të fillojë të lëvizë brenda partisë së tij; që të pushojë së ndjekuri “heronjtë” e vjetër të tejkonsumuar nga stina e gjatë politike; që të flasë për demokraci të brendshme partiake; që të flasë për politikë të vërtetë dhe jo për tesera partie apo për “mbrojtës të votës”.
Në tregun politik shqiptar ka shumë të tjerë që kanë (këtë herë me të drejtë) një familje dhe biznese për të mbrojtur.
Por, Basha politikisht nuk ka asgjë për të humbur.