Të gjithëve gropa ju pret! – kërcënohen avokati dhe drejtori i ISKPK Agron Tufa

Nga Erblin Vukaj
Të gjithëve gropa ju pret! – kërcënohen avokati dhe drejtori i ISKPK Agron Tufa

Një person i panjohur ka kërcënuar Drejtorin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) Agron Tufa dhe avokatin e tij Kujtim Cakrani.

Kërcënimi është bërë përmes një mesazhi në Facebook, i cili nis me ndasi politike dhe gjuhë urrejtje duke e etiketuar Cakranin dhe Tufën si “ballistë e fashistë”:

“Ju ballista e fashista, që sot bëheni avoketër dhe kërkoni të mbroni sojin tuaj, që nxin luftën e hedh baltë dëshmorëve, jeni ata të djeshmit, që duheshit vrarë, të mos mbinit ju e që keni marrë zemër sot. S’ka avokat në botë të fshijë gjakun e tyre dhe të mbrojë atë Institut kriminel me Agron Tufë e të tjerë se ju jeni më të poshtër se armiqtë që mbroni…”

Nga mesazhi kuptohet se personi që kërcënon është i përfshirë dhe ndikuar politikisht nga çështja e ngritur muaj më parë kundër ISKPK.

Rreth 6 muaj më parë, deputetë socialistë e cilësuan punën e Institutit “baltë mbi dëshmorët” dhe kërkuan largimin e drejtorit Agron Tufa. Në muajin korrik, socialistët kufizuan me ligj periudhën kohore të studimeve që mund të kryejë ISKPK.

Drejtori Tufa gjatë kësaj kohe ka patur përplasje, sidomos me deputetët socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.

Në muajin prill, drejtori i ISKPK, Agron Tufa paditi për shpifje dhe fyerje deputetin Spartak Braho, ish-ministrin Sabit Brokaj dhe gazetën Dita. Avokati i Tufës ishte Kujtim Cakrani.

Kërcënimi në mesazhin e bërë publik është në fund:

“Ju dhe familjarët tuaj ballistë e fashistë nuk do keni vend më tek ne, se e shkruat vetë fundin tuaj. Si dolët avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do t’ju heqim dhe ne avash të mëdhenj e të vegjël, se ka qenë gabim i madh që për ju pati mëshirë. Të gjithëve gropa ju pret!”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>