Të pakënaqur nga gjithçka, debatojmë për çdo gjë, emigrojmë të gjithë?

Nga Karl Kuçi
Të pakënaqur nga gjithçka, debatojmë për çdo gjë, emigrojmë të gjithë?

Pak ditë më parë një sondazh i NDI tregoi se gati 70 për qind e të intervistuarve janë të pakënaqur nga opozita (vetëm 14 përqind janë të kënaqur), ndërsa gati 57 përqind janë të pakënaqur nga qeveria (vetëm 25 përqind janë të kënaqur).

Edhe të pakënaqurit nga veprimet e Kuvendit janë 57,5 përqind (vetëm 22 për qind janë të kënaqur).

Fatkeqësisht, sondazhi ishte ndërtuar mbi një kampion jo të balancuar, me shumë nënpunës të administratës (gati dyfish në krahasim me peshën e tyre në popullsinë e vendit), dhe shumë pak të papunë ose të pa punësuar, që i bën rezultatet të anojnë në favor të qeverisë.

Megjithatë, shifrat e të pakënaqurve nga qeveria, opozita dhe parlamenti janë aq të mëdha sa çdo lloj korrigjimi i kampionit, nuk do të ndryshonte shumë rezultatin: shqiptarët janë të pakënaqur si me opozitën ashtu dhe me qeverinë, dhe janë të mërzitur me politikën, me përfaqësinë e politikës që që ndodhet në Parlament.

Pa dyshim, përpjekjet e qeverisë për t’i bërë të gjithë të paguajnë taksat dhe energjinë elektrike dhe për të rregulluar gjendjen e ndërtimeve dhe urbanistikës kanë krijuar shumë të pakënaqur. Por pakënaqësia kryesore ndaj saj është se këto aksione janë ndërmarë në mënyrë jo transparente dhe qartazi selektive, duke krijuar bindjen se grupi në pushtet po favorizon vetëm miqtë dhe se “ndërtimi i shtetit” ështe justifikim dhe alibi për të forcuar pushtetin politik dhe sidomos atë financiar të grupit qeverisës.

Kriza ekonomike që ka kapur Shqipërinë ka shtuar pjesën e vet të pakënaqësisë. Paaftësia e qeverisë për të tërhequr investime të reja ka nxjerrë lakuriq dobësinë e strategjisë së saj ekonomike dhe fiskale, ndërsa propaganda e bazuar mbi të dhënat të pasakta po prodhon një situatë mosbesimi e cila ka përkeqësuar më shumë situatën ekonomike.

Dhe shqiptarët gjithmonë e më shumë të zhgënjyer po largohen për në vende të tjera për të kërkuar një të ardhme më të mirë, ndërsa investitorët, të dyshimtë dhe të shkurajuar, qëndrojnë në dritare.

Kjo mjafton për të shpjeguar pakënaqësinë ndaj qeverisë. Por si duhet kuptuar pakënaqësia e dyfishtë si për qeverinë ashtu edhe për opozitën e shprehur nga pjesa më e madhe e të intervistuarve?

Mesa duket, një pjesë e madhe e qytetarëve të cilët nuk e vlerësojnë qeverinë mendojnë njëkohësisht se edhe opozita është e papërshtashme—nuk është në gjendje ta detyrojë qeverinë të qeverisi mirë dhe nuk ofron një alternativë të besueshme, si për propozimet politike edhe për figurat politike.

Që nga humbja e zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Demokratike nuk ka arritur dot të marrë rolin e një partie opozitare. Ajo nuk ka marrë thuajse ansjëherë ndonjë pozicion të qartë dhe propozues për çështjet kryesore e nuk ka përballuar seriozisht ndonjë çështje—si përfundim, nuk ka kërkuar me të vërtet të mbajë në rresht partinë qeverisëse.

Edhe kur grupe qytetarësh kanë denoncuar situata të dukshme paligjshmërie të qeverisë, reagimi i PD-së nuk ka qënë i vendosur dhe i qëndrueshëm. Madje, në pjesën më të madhe të rasteve, kur PD ka ndërhyrë, ajo ka sjellë rezultatin e kundërt, atë të deligjitimimit të protestave që kërkonin respektimin e ligjit.

Sigurisht aksioni politik i Bashës është i frenuar në thelb nga prania zaptuese e Berishës, që duket se nuk ka vendosur akoma nëse do që të jetë “mbreti” ose “mbret-bërësi”. Por paqartësia në udhëheqje, e shoqëruar nga një farë banaliteti i argumentave politikë dhe, mbi të gjitha, mungesa e veprimeve të qarta kundër qeverisë, kanë ulur në minimun pritshmëritë e njërëzve ndaj Bashës si alternativë e qeverisë rilindase.

Vetë Berisha me thirrjen e tij të papërshtatshme për t’u armatosur, duket se ka dashur të qartësojë, qoftë se kush komandon të djathtën, qoftë atë që mund të jetë linja e veprimit në të ardhmen, e cila nuk është as e re dhe as e përshtatshme për të tërhequr njerëzit tek PD-ja.

Përfaqësitë perëndimore dhe të dërguarit e tyre në Tiranë në vitet e dualitet Nano–Berisha kanë predikuar në mënyrë të vazhdueshme metodën e dialogut, duke e bërë të qartë se vendi nuk do të mund të hynte në BE nëse qeverisej nga parti politike të paafta për të gjetur një pozicion të përbashkët. Vëzhguesit e politikës shqiptare, menduan se, më në fund, çifti i ri Rama–Basha do ta luante një rol të tillë.

Por sapo erdhi në pushtet, Rama e braktisi menjëherë çdo lloj përpjekje të mirëfilltë demokratike dhe u vu në shërbim të menjëhershëm të interesave klienteliste të cilat e sollën në pushtet dhe me të cilat ai kërkon të konsolidojë dhe mbajë për një kohë të gjatë pushtetin duke përjashtuar prej tij çdo kënd që nuk i bindet.

Nga ana tjetër, Basha nuk ka arritur të bëhet politikani i dialogut si çdo politikan i një alternative demokratike, duke dështuar, kështu, në detyrën e tij kryesore: të jetë udhëheqës i një opozite parlamentare demokratike dhe konstruktive.

Në rolin e vështirë dhe jo të natyrshëm ku ai gjendet tani, Basha u shty në mënyrë të zgjuar nga Rama dhe tani ai gjendet në një terren të rrëshqitshëm ku ka humbur kontaktin me bazën, pa arritur të bëhet një bashkëbisedues parlamentar i qeverisë.

Kjo shpjegon pakënaqësinë kundrejt opozitës dhe kundrejt parlamentit, i cili ka fituar shikueshmëri të lartë mes qytetarëve për batutat dhe ofendimet reciproke, më shumë se sa për argumentat politikë.

Në fund, thirrja për armatosje e Berishës njofton kthimin tek “politika e konfliktit”, realisht gjithmonë e dëshiruar nga Rama, i cili mendon se kështu mund të vazhdojë të mbetet në pushtet, duke spekulluar mbi frikën e qytetarëve për rikthimin e Berishës në pushtet, sikurse bënë për shumë kohë socialistët e Nanos me frikën e shumë shqiptarëve dhe përfaqësive të huaja ndaj Berishës.

Ndërkohë, shumica e qytetarëve e kalojnë kohën duke diskutuar me zjarr për thirrjet e Berishës, për deklaratat e Ramës, për qëndrimet e Bashës. Pasi diskutojnë vetë për orë të tëra, në mbrëmje ulen të dëgjojnë si diskutojnë të tjerët në programet e shumta televizive.

Në mëngjes, shumë prej tyre marrin rrugën për një vend tjetër për të shpëtuar edhe nga politika edhe nga bisedat shterpë për të.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>