Të pathënat e takimit Rama-Basha…

Nga Desada Metaj

Një marrëveshje e shumëpritur, për të cilën nuk mjaftuan as 90 ditë dhe as një seri ndërkombëtarësh që vizituan me radhë Shqipërinë. Edi Rama dhe Lulzim Basha treguan mbrëmë dhe sot që mund të tolerojnë nga qëndrimet fillestare dhe të ngurta për të na treguar se dinë të arrijnë marrëveshje edhe duke qenë vetëm në një zyrë.

Madje, megjithë qetësinë kanë mundur të reflektojnë dhe tonet e një mirëkuptimi kaq të rrallë dhe kaq të munguar në politikën shqiptare. Marrëveshja e nënshkruar, sot, mes palëve u mbajt e fshehtë deri në publikimin e saj në mënyrë krejt të pazakontë nga çfarë ndodh rëndom në Shqipëri. Ku ajo çka diskutohet dhe bëhet pazar nëpër zyra apo restorante bëhet publike në media duke shtuar paqartësitë dhe duke i shndërruar portalet në përhapëse të lajmeve shpeshherë të pavërteta.

Por, mes shumë dasive dhe padakortësive, Rama dhe Basha në një mendje kanë qenë diskretë për përfundimet e takimit duke bërë publike edhe për stafet e afërta marrëveshjen e përfunduar në të njëjtën kohë që e bënë atë të njohur edhe për publikun. Paketa e miratuar sot edhe pse mban emrin e një diplomati të huaj, në fakt, është krejt prodhim shqiptar.

Sepse, këto pika kanë qenë disa herë pjesë e diskutimeve që kanë përfunduar shumë vonë dhe pa rezultat. Kjo tregon qartë se në planet e tyre, si Rama ashtu dhe Basha kanë qenë të prirur për të lëshuar nga pozicionet fillestare të tre muajve më parë. Dhe për këtë nuk mjaftuan takimet apo ndërkombëtarët por vetëm afatet ligjore apo kolegji zgjedhor, vendimi i të cilit mund të ishte një tjetër kolaps për politikën shqiptare.

Tashmë me një marrëveshje por pa emra konkretë, vëmendja e të gjthëve do të përqendrohet tek ministrat e rinj dhe se çfarë pritet të ndryshojë me ardhjen e tyre. Kjo është ajo çka është shkruar e zeza mbi të bardhë në marrëveshjen mes palëve e cila sigurisht ka dhe një pjesë të panjohur. Një pjesë për të cilën askush nuk kujtohet të flasë për sa kohë entuziasmi ka mbërthyer të dy palët e politikës.

Orët e gjata të bisedimeve mes Ramës dhe Bashës kanë qenë të mjaftueshme për të diskutuar dhe pse jo dhe, për të vendosur edhe për pika të tjera që mund t’u interesojnë dy partive të mëdha. Në të tilla raste nuk mungojnë dhe teoritë e konspiracionit që më së shumti prekin partitë që mbetën jashtë bisedimeve dhe që mund të shohin rrezikun e madh të bashkimit të PD-së dhe PS-së në kurriz të tyre.

Këto teori askush nuk mund t’i trajtojë më mirë se Rama dhe Basha, që për momentin kanë vendosur të heshtin dhe të komunikojnë mes marrëveshjeve të shkruara. Duke lënë hijen e madhe të dyshimit se të pathënat e takimit ndoshta do të kenë ndikim më të madh se gjithçka u tha haptas.

E, duke na konfirmuar edhe njëherë se në emër të pushtetit dhe votave nuk ka armiq e miq të përjetshëm. E për më shumë aleanca të nënshkruara, shpejt e shpejt, pa shumë dëshirë. Duke i shndërruar të pathënat e takimit në “thikën” që ndoshta në një moment të dytë do ketë viktimat apo çadrën e saj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>