Fact Check: Të pavërtetat e Cakajt përballë raportit të OSBE-së

Fact Check: Të pavërtetat e Cakajt përballë raportit të OSBE-së

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Gent Cakaj komentoi sot raportin e OSBE/ODIHR-it, në një konferencë për mediat. Ai tha se raporti duhet të lexohet drejt dhe se në të vërtetë OSBE-ja kritikon opozitën.

Më poshtë po vendosim përballë deklarata e Zotit Cakaj dhe gjetjet e OSBE-ODIR të paraqitura në raport.

Zoti Cakaj tha se:

“Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 nuk kanë qenë vetëm zgjedhje demokratike, por në fakt edhe vendosje e një shembulli të pakthyeshëm historik, duke dëshmuar se qëndrueshmëria institucioneve është me e lartë sesa shuma e interesave partiake.”

Ndërsa raporti shkruan se:

“Zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën me pak interes ndaj elektoratit. 

Votuesit nuk patën mundësi të vërteta për zgjedhje mes alternativave politike. Në 31 nga 61 bashkitë e vendit kishte vetëm një kandidat.

Përplasjet politike sollën paqartësi ligjore, dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën në përputhje me objektivin politik për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve.

Votimi ishte gjerësisht i qetë dhe procesi i numërimit kryesisht ishte i qetë, pavarësisht se në disa raste procedurat nuk u zbatuan.”

Zoti Cakaj deklaroi se raporti fajëson opozitën për presion ndaj qytetarëve:

“Opozita në veçanti ka ushtruar presion madhor në elektoratin në shkallë të lartë, kryesisht në bashkitë e drejtuara prej tyre.”

Por në të vërtetë raporti shkruan se qytetarët kanë deklaruar se janë kërcënuar me heqje nga puna ose përjashtim nga ndihma sociale:

“Qytetarët, në veçanti ata të punësuar në administratën publike, u vunë në trysninë për të treguar preferencën e tyre politike. Me numrin e vogël të konkurrentëve dhe me disa gara pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore e mbetur për qytetarët ishte të merrnin pjesë [në votim] apo jo.”

Misionit të ODIHR-it iu paraqitën shqetësime nga qytetarët se në bazë të asaj nëse shkonin ose nuk shkonin të votonin, ata mund të binin viktima të hamarrjes në komunitetet e tyre.

Disa prej tyre thanë se janë kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me pushim nga puna apo përjashtim nga ndihma sociale.

Misioni i ODIHR-it vërejti praninë e zyrtarëve bashkiakë, punonjësve të shërbimeve shëndetësore dhe staf arsimor në tubimet politike të PS-së, të cilat në shumë qytete u mbajtën menjëherë pas orarit zyrtarë të punës.”

Zoti Cakaj u shpreh se raporti ka gjetur se:

Nuk ka prag minimal për numërimin e votave. Qeveria nuk merr përgjegjësi për garantimin e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Ndërsa raporti shkruan se boshllëqet ligjore si —mos parashikimi i masave specifike për zhvillimin e zgjedhjeve pa garë dhe mos parashikimi i një numri minimal të votuesve të paraqitur në qendra të votimit për të quajtur të vlefshëm rezultatin — thelluan krizën në vend, rritën mosbesueshmërinë në zgjedhje, dhe lejuan mbajtjen e zgjedhjeve pa garë.

Cakaj tha se “raporti thekson se klima ka qenë e polarizuar dhe nuk i ka kushtuar vëmendje programeve”.

Në të vërtetë, diskutimi rreth krizës politike la në hije kandidatët e tjerë, por televizionet transmetuan të gjithë fushatën e Krebashkiakut të Tiranës Veliaj. Ndërsa fushata e Kryeministrit Rama u transmetua e plotë në ERTV.

“Monitorimi i mediave tregoi se fushata pa kanditatë u vu në hije nga vazhdimi i krizës politike, me lajmet dhe emisionet që përqendroheshin në deklaratat e nxehta të shkëmbyera mes lidershipit demokrat dhe socialist. Kjo diktoi hapësirën e informacionit rreth kandidatëve, sidomos jashtë kryeqytetit, duke kufizuar votuesit me mundësinë për t’u informuar për zgjedhjen.

Përjashtim të dukshëm nga kjo ishte mbulimi mediatik i kryebashkiakut aktual të Tiranës, kandidatit socialist, Erion Veliaj, dhe prezantimet e kandidatëve të tjerë nga Kryeministri Rama.”

Zoti Cakaj deklaroi se raporti ka gjetur se “numri i pjesëmarrësve të 30 qershorit është më i lartë se në vitin 2015.”

Në të vërtet, raporti nuk flet fare për numrin e pjesmarrësve dhe as nuk e krahason atë me zgjedhjet e vitit 2015. Në raport thuhet se:

“Shumë kandidatë i tregua ODIHR-it vështirësitë e motivimit të votuesve për të dalë të votojnë.”

Zoti Cakaj deklaroi se “në asnjë moment raporti nuk del në përfundim se situata në zgjedhje u shkaktua nga qeveria, por për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe bojkotit opozitar. ODIHR konstaton se procesi ka qenë i rregullt”.

Ndërsa raporti shkruan se Kreyministri lejoi organizimin e zgjedhjeve pa garë.

Opozita vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe qeveria vendosi të mbante zgjedhje pa të.

Kryeministri e refuzoi kërkesën e opozitës [për dorëheqje] dhe paralajmëroi të mos krijohej precedenti që do të kërcënonte atë që ai e përshkroi si “bashkëjetesa demokratike” e qeverisë së zgjedhur dhe opozitës së saj parlamentare, si dhe lajmëroi se zgjedhjet do të mbaheshin sipas planit.

Ndërsa për Gjykatën Kushtetuese raporti shkruan se:

Paqartësia nëse Gjykata Kushtetuese apo Kolegji Zgjedhore shqyrton mbi ligjshmërinë e dekretit të presidentit rritën anshmërinë e Kolegjit Zgjedhor dhe minuan besimin e qytetarëve tek zgjedhjet.

Për protestat e opozitës, Zoti Cakaj u shpreh se:

“Zgjedhjet e tejkaluan sjelljen e dhunshme. Raporti i OHDIR e cilëson sjelljen e PD dhe LSI, në raport me godinën e Kryeministrisë, si të dhunshme.

Jemi ekspozuar nga një dhunë vandaliste para dhe pas procesit zgjedhor. Këtë e thotë edhe raporti. Madje kemi pasur tentativa për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.”

Raporti përshkruan protestat e opozitës nga muaji shkurt deri në ditët përpara mbajtjes së zgjedhjeve:

Protesta e opozitës kundër Kryeministrit filluan në shkurt në Tiranë dhe shpesh u njollosën nga dhuna dhe vandalizmi drejt insititucioneve. Ditët para zgjedhjeve protestuesit në qytete të ndryshme të vendit targetuan administratën zgjedhore, shpesh me akte frikësimi, dhunë dhe përballje me forcat e policisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>