Të rinjtë pa sharm të listave për deputetë!

Nga Desada Metaj
Të rinjtë pa sharm të listave për deputetë!

Emrat e rinj në listat e deputetëve të partive që konkurrojnë në zgjedhjet e qershorit janë dhe ata që zgjojnë më shumë kuriozitetin e publikut. E kur bëhet fjalë edhe për kandidatë të rinj në moshë atëherë dhe shpresa se diçka e mirë mund të ndodhë pas lodhjes nga klasa aktuale e politikës është më e madhe. Por a e justifikojnë këta të rinj besimin për të qenë e ardhmja e politikës? Pikë së pari duhet theksuar se të rinjtë e përfshirë në listat e deputetëve mund të kenë pasion politikën por jo garën, sepse kandidimi i tyre ka qenë preferencë direkte e kryetarit të partisë dhe përzgjedhja nuk ka kaluar as në fazë konkurrimi, por as edhe në forumet e partive.

Javën e kaluar në emisionin “Opinion”, 5 partitë kryesore u përfaqësuan nga të rinjtë e listave të tyre në një debat politik që natyrisht për rëndësinë e momentit elektoral dhe ngarkesës emocionale të studios ishte një debat i vështirë. Po aq sa ishte e thjeshtë të kuptoje që në minutat e para se përgatitja për përballjen televizive që stafet e partive kishin organizuar fokusohej tek recitimet e vlerave të partisë që përfaqësonin dhe akoma më shumë lartësimi i figurës së kryetarit të partisë. Por a mund të përfaqësohet realisht rinia në këtë formë? Që nis si preferencë personale e kryetarit te partisë dhe zgjatohet me formimin e kopjeve që nuk kanë as vlerën e origjinalit. Për më tepër mosha e të rinjve që janë përfshirë në listat e kandidatëve më shumë se numri, është shqetësues për vlerat dhe kontributin që mund të ketë në të ardhmen.

Përveç idesë se janë të rinj, çfarë mund të bëjë për votuesit e saj një vajzë 20 vjeçare, studente dhe që ende nuk ka firmosur rrogën e saj të parë. Modeli i Kejdi Mehmetit mund të konsiderohet i suksesshëm, por shumë të reja apo të rinj të tjerë thjesht janë shfrytëzuar për imazhin dhe moshën për tu përfshirë në lista e më tej ose janë shndërruar në kopje ose rrugës kanë ndërruar mendje. Edhe në vendet me demokraci shumë herë më të zhvilluar vështirë të gjesh 20 vjeçarë deputetë, madje edhe kur janë pinjollë të familjeve që prej brezash prodhojnë politikanë ata tregohen të kujdesshëm që të përfshihen kur janë mjaftueshëm të formuar së pari profesionalisht.

Ndaj kjo tendencë për të mbushur listat me të rinj vetëm në moshë shumë shpejt duket se do të dështojë si model për t’u thënë shqiptarëve se do të përfaqësohen me të rinj. Forumet rinore të partive janë laboratori që “prodhon” të rinj të suksesshëm në politikë,të gatshëm të rivalizojnë edhe kryetarët e partive dhe të dalin nga modeli që ata kërkojnë prej tyre. Shqipëria ka prodhuar ministra e kryeministra 30 vjeçarë që sfidën më të madhe e patën me kryetarin e partisë së tyre. Duke na kujtuar se veç lidhjes nga “të vjetrit” e politikës nuk duket që të paktën së afërmi, kjo politikë të prodhojë të rinj të gatshëm për përballje dhe sfidantë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>