Tani që pas votës për të dalë nga BE sistemi politik britanik po shpërbëhet si në një skenar të denjë për dramat shekspiriane, është ndoshta momenti për t’i hedhur nja vështrim asaj që Michael Gove e quajti “Opsioni Shqiptar”.
Sikurse kam shkruar më parë, Shqipëria ka karakteristikën e veçantë se zë një vend emblematik në strukturën fantazmike të politikës perëndimore, si vend i forcave të errëta kriminale (filmi Taken), luftrave të sajuara për të shmangur vëmendjen nga skandalet e brendshme (Wag the Dog), ose thjesht si ushqim për imagjinatën (The mouse that roared).
Duket se Gove ka qenë nën ndikimin e të njëjtave fantazma mendore kur ai shkruajti opinionin e tij të datës 29 prill 2016, në Daily Mail, me titull “Mendoni se tani BE është gjë e keq? Prisni sa të hyjnë edhe shqiptarët”, i cili fillon me fjalët: “Opsioni shqiptar. Duket si titulli i një romani me spiunazh. Imagjinoni një histori plot intriga politike, shuma të mëdha parash që zhduken pa arritur atje ku duhet, kriminalitet dhe lojë të dyfishtë. Dhe do të jeni të saktë.”
Ironia sipërore e këtyre fjalëve mund të dallohet, tashmë, nga të gjithë teksa politika e Mbretërisë së Bashkuar (MB) ka rrëshqitur me të vërtetë në “intriga politike” dhe “lojë të dyfishtë”, pas keqinformimit kriminal të popullsisë për pasojat e vërteta të daljes nga BE, ndërkohë që “shuma të mëdha parash”, si ato që do t’i shtoheshin buxhetit të sigurimeve shëndetësore, nuk do të shkojnë atje ku duhet të shkonin. Në mënyrë të çuditshme, opsioni shqiptar është bërë përsëri realitet.
Në një mënyrë, kjo është ajo që Gove argumentoi në një artikull më të hershëm të 19 prillit në Financial Times, domethënë një model tregtie për MB bazuar në marrëdhëniet e tanishme të BE-së me Bosnjën, Serbinë, Shqipërinë dhe Ukrainën, i cili shumë shpejt u quajt “modeli shqiptar.”
Tashmë, “opsioni shqiptar” dhe “modeli shqiptar” janë mbi tavolinë, pavarësisht paralajmërimit monoton të kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj qytetarëve britanikë për të mos e lënë BE-në dhe qortimit të tij se ishte “absurde” të tërhiqje Shqipërinë në debatin e Brexit: “Marrëdhënia Shqipëri-BE nuk është modeli që duhet të imitojë Britania. Na besoni, ne jetojmë këtu.” A nuk duket e dëshpëruar kjo deklaratë!
Po le ta marrim “absurdin” si model apo opsion të mundshëm dhe të heqim paralele midis MB-së dhe Shqipërisë.
Para së gjithash, duket se marrëdhënia ndërmjet klasës politike dhe “popullit” në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq e tensionuar—politikanët, ekspertët, anketuesit e opinionit, gazetarët dhe të ngjashmit me ta duket se përçmohen dhe nuk besohen nga segmente të mëdha të popullsisë. Kjo është shumë e ngjashme me situatën në Shqipëri, ku klasa politike duket se përbëhet më së shumti nga kriminelë të mëdhenj e të vegjël dhe besimi tek parlamenti, qeveria, partitë politike dhe media është në nivele qesharake.
Dhe ndërsa në MB, sjellja e shumë figurave që preferonin Brexit si Michael Gove dhe Boris Johnson kanë çuar në zemërim dhe tallje publike, shqiptarët përmbyten përditë me ngjarje për të cilat duhet të shqetësohen nga e para, të tilla si dhurimi i paligjshëm i $80,000 nga Rama për Obamën për një fotografi, e cila do të përdorej në fushatën zgjedhore të Ramës.
Paralelja e dytë mund të gjendet në privatizimin në rritje të funksioneve qeveritare, të nxitura nga ideologjia neoliberale. Ky është një proces që vazhdon të ndodhë në shtet-kombet perëndimore, duke sjellë shkrirjen graduale të shtet-kombit dhe zhbërjen e sovranitetit të tij. Sikurse në MB, ky hov neoliberal ka për burim, ndër të tjerë, figurën e Toni Blerit—socialistit të përçmuar të “Rrugës së Tretë” dhe kriminel lufte—i cili vazhdon të jetë edhe sot këshilltar i rëndësishëm dhe “i pa paguar” i Edi Ramës.
Në Shqipëri kjo shkrirje po ndodh, nën termin partneriteti publik-privat, përmes të cilit çdo gjë—nga hidrocentralet tek siguria e aeroporteve, tek arsimi, taksat, shëndeti publik dhe uji—i është shitur atij që ofron më shumë. Shteti, i cili ka patur fare pak ose aspak përfitime nga këto partneritete, po e privon veten nga të ardhura të domosdoshme dhe po humbet gjithnjë e më shumë funksionet e tij qeverisëse, gjersa të përfundojë—në fjalët tallëse të Benjamin Brattond—të mos jetë gjë tjetër veçse një “skemë e mirë-armatosur sigurimesh shëndetësore me ekipin e tij të Kupës së Botës.”
Sepse Shqipëria ka humbur shumicën e sovranitetit të saj—jo vetëm tek BE, sikurse po ankohen britanikët— por tek një amalgamë strukturash ndërqeveritare dhe mbi qeveritare politike dhe ekonomike. Komisioni i Venecias, një trupë këshillimore e Këshillit të Europës, është ngarkuar të ribëjë praktikisht kushtetutën e vendit, duke funksionuar si arbitër de facto mes qeverisë dhe opozitës, ndërsa anëtarët e parlamentit praktikisht janë reduktuar vetëm në ngritësa kartonash sipas kapriços të udhëheqësit të tyre. Ambasada amerikane ka marrë, së fundmi, një rol gjithnjë e në rritje në politikën vendase, ndërsa Ambasadori Lu, shpesh i shoqëruar nga ambasadorja e BE-së Romana Vllahutin, ndjek rregullisht sesionet parlamentare, takohet me palët politike, ndjehet i lirë të komentojnë kurdo që ai dëshiron për drejtimin e duhur të politikës shqiptare.
Si shpërblim për këtë këshillim falas dhe një takimi të nivelit të lartë të NATO-s, qeveria shqiptare ka pranuar më shumë se 2000 anëtarë të organizatës iraniane Mojahedin-e-Khalq, e cila më parë mbahej në kushte jo të përshtatshme në një kamp refugjatësh në Irak.
Ndërhyrja më e fundit ishte botimi i draftit të ri të kushtetutës, i përgatitur në kontekstin e një reforme në sistemin e drejtësisë, i cili në pjesën prapa shkruante “u mundësua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë” dhe në pjesën e brendshme të kopertinës “Shtetet e Bashkuara nuk kanë përgjegjësi për gabimet në këtë botim.”
Ndërkohë, udhërrëfyesi i BE-së vazhdon të varet si një fantazmë mbi qeverinë, ndonëse çdo njeri e kupton se Brexit do t’i shkërmoqë shpresat e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së në të ardhmen e afërt. Dhe nuk po vazhdoj me organizatat e bashkëpunimit ndërkombëtar që arrijnë t’ua hedhin juristëve të qeverisë shqiptarëve, kontratë pas kontrate.
Ndoshta kjo është arsyeja që Rama ishte pak muaj më parë dëshmitar në martesën e Sümeyyes, vajzës të Presidentit turk Tayyip Erdogan me industrialistin e sektorit ushtarak Ozdemir Nayraktar; dhe arsyeja pse ai shkoi përsëri në Turqi, vetëm një javë pas votës Brexit, në një vizitë shtetërore për të ndjekur, mes aktiviteteve të tjera, inaugurimin e një ure të re mbi Bosfor. Ky afrim mes Turqisë dhe Shqipërisë—i cili duhet parë në kontekstin diplomatik të krijuar pas kërkimit të ndjesës nga Turqia Rusisë për rrëzimin e një avioni luftarak rus, si dhe të marrëveshjes që ajo arriti me Izraelin—është krejt i natyrshëm tani që BE duket më e largët se kurrë.
Edhe pse vota Brexit u etiketua si votë kundër humbjes së sovranitetit ndaj Europës, duke ndjekur “modelin Shqiptar” të Gove-it mos qenia në Europë mund të jetë humbje edhe më e madhe e sovranitetit, përmes “vdekjes me një mijë traktate”, shkëputjes së mundshme të Skocisë dhe të Irlandës së Veriut dhe mungesës së peshës së burokracisë mbikombëtare të BE-së si mburojë kundër korporatave, kapacitetet burokratike, financave dhe qeverisëse të të cilave janë më të mëdha se ato të shtetit anglez që do të mbetet.
Ndërsa Shqipëria po plaket me shpejtësi, teksa brezi i ri po vazhdon eksodin masiv në kërkim të punësimit, sektori i saj publik ka rënë pre e shumëkombësheve të paskrupullta; dhe ndërsa shteti po rrudhet, Shqipëria po bëhet ngadalë një shembull i fatit që pret Anglinë pas-Brexitit dhe, në përgjithësi, shtet-kombet: i tretur në acidin që jashtëqitin trupat e pa zgjedhura ndër- dhe mbi-kombëtare, pa asnjë legjitimitet popullor.
Pasi u çlirua nga regjimi më i rreptë socialist në Europë në vitin 1991, dhe pasi krijoi vrullshëm kapitalizmin më radikal në vitin 1997, duket gjëja më e natyrshme që Shqipëria të jetë përsëri vendi i parë që do të shpërbëjë edhe shtet-kombin. Ajo që do t’i mbetet është vetëm një ekip futbolli për në europian, i keqarmatosur, dhe pa stadiumin e tij.