Teatri i ri kërkon ligje të reja

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Teatri i ri kërkon ligje të reja

Të hënën, Kryeministri Edi Rama prezantoi projektin e ndërtimit të ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, i projektuar nga Grupi Bjarke Ingels (BIG)—propozim i cili, në fakt, ngjason me atë vitit 2011 të firmës Forma Architects për Shtëpinë e Operës në Busan.

Marrëdhënia mes BIG dhe Ramës ka nisur që kur ky i fundit ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në atë kohë BIG fitoi konkursin për projektin e xhamisë së re të Tiranës, e cila më pas nuk u ndërtua. Në rastin e teatrit, BIG nuk iu nënshtrua fare konkurimit për projektin. Kryeartisti Rama thjesht lajmëroi qytetarët se BIG kishte projektuar ndërtesën e re të Teatrit Kombëtar. Ky është një tjetër projekt që vërteton “zakonin” e ri të qeverisë Rama për të shpërndarë projekte dhe ndërtime në prona publike pa asnjë lloj konsultimi publik apo debati kuptimplotë.

Projekti i Teatrit të ri nga BIG (2018)
Renderi i Teatrit në Busan nga Forma Architects (2011)

Prezantimi i bërë nga Rama në Qendrën e tij për Hapje dhe Dialog u përqëndrua kryesisht vetëm në ndërtesën e teatrit. Kryeministri argumentoi pse ishte “e pamundur” të rinovoheshin dy ndërtesat binjake të teatrit të ndërtuara gjatë pushtimit italian dhe pse në vend të tyre, duhet të shpenzohen miliarda para publike në një partneritet publik-privat, me kompaninë Fusha shpk, e cila më parë ka fituar edhe tre tenderat për Sheshin Skënderbej.

Megjithatë, fundi i fjalimit të Ramës ishte ndoshta pjesa më interesante e gjithë prezantimit. Kryeministri Rama u shpreh se projekti i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar do të bëhej përmes një “ligji të posaçëm” të miratuar në Parlament, ku Rama dhe PS kanë shumicën absolute të deputetëve.

Kjo është një situatë e padëgjuar deri më tani. Asnjë projekt tjetër ndërtimi në Tiranë, as stadiumi Arena Kombëtare apo xhamia e re, nuk kaluan në parlament për votim. Pra, pse papritur ky projekt do të ketë nevojë për miratim parlamentar? Një e dhënë që mund t’ju ndihmojë ta zgjidhni gjëegjëzën: Teatri Kombëtar ndodhët në zonën më të shtrenjtë të Tiranës.

Arsyeja nuk qëndron në vetë projektin e Teatrit Kombëtar, por në atë që duhet të fshihet. Sipërfaqja e tokës publike në të cilën gjendet Teatri Kombëtar i tanishëm dhe ndërtesat pranë tij është rreth 7,500 metër katrorë. Ndërkohë, projekti për Teatrin e ri Kombëtar zë më pak se gjysmën e asaj sipërfaqeje, rreth 3 mijë metra katrorë. Pjesa tjetër do të përdoret jo në përfitim të qytetarëve, por, si gjithmonë, për ndërtimin e kullave me qendra tregtare dhe zyra e apartamente, që në projektin e siguruar ekskluzivisht nga Exit.al quhet “lidhja me zonën tregtare.”

Render i teatrit të ri parë nga kullat e ndërtuara prapa tij në tokë publike

Render i një qendre tregtare në krah të Teatrit KombëtarPër shkak se ndërtimi privat në pronën publike është i jashtëligjshëm, e gjithë kjo tokë duhet të shpronësohet nga Bashkia e Tiranës, e cila është në fakt pronarja e tokës. Një vendim i tillë mund të bëhet vetëm nga Këshilli Bashkiak, i cili, aktualisht është “rrëmujë”, pasi disa anëtarë të rinj të këshillit të LSI-së janë të paligjshëm. Ata nuk janë betuar ligjërisht përpara Këshillit Bashkiak, siç e kemi shpjeguar këtu. Një këshilltar demokrat e dërgoi në gjykatë këtë çështje dhe fitoi, duke vënë në rrezik sigurimin e shumicës së votave në Këshillin Bashkiak.

Me shumë mundësi, për këtë situatë, Kryeministri Rama ka nxjerrë idenë për shpronësimin e Bashkisë së Tiranës nëpërmjet një ligji të posaçëm, të bërë me porosi, të miratuar nga një parlament të cilin ai e kontrollon plotësisht.

Ky është natyrisht një sulm asgjesues ndaj sundimit të ligjit. Në momentin që qeveria mund të bëjë një ligj vetëm për të justifikuar një shpronësim në dëm të qytetarëve nën maskën e kthimit të një Teatri të ri Kombëtar, nuk ka më asnjë kufizim se për çfarë tjetër mund të përdoren këto ligje. Ndoshta herën tjetër, Rama do të dojë të shpëtojë Tahirin nga burgu, ose t’i japë gjithë bregdetin një tjetër oligarku për “zhvillim”. Nuk ka problem: qeverisë Rama i duhet të bëjë vetëm një ligj.

Por kjo nuk është mënyra se si funksionon demokracia. Kështu funksionon autokracia.

Për ta bërë më të qartë: Për të mos rinovuar një ndërtesë historike dhe për të shpenzuar më shumë para publike se sa është e nevojshme për një partneritet publik-privat financiarisht të dyshimtë, qeveria është e gatshme t’i japë pronën e saj, në pjesën më të shtrenjtë dhe të lakmuar të  Tiranës, kompanive private të afërta me të për të ndërtuar… më shumë apartamente dhe qendra tregtare.

Dhe arti e kultura, siç ka ndodhur gjithnjë me Ramën, shërbën më së mirë për tu fshehur nga kritikat publike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>