Teatri Kombëtar, artistët kërkojnë takim me sekretarin e OSBE-së

Teatri Kombëtar, artistët kërkojnë takim me sekretarin e OSBE-së

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger që të zhvillojë një takim me artistët dhe të njihet nga afër me çështjen e tyre, mjaft të trazuar ditët e fundit me ndërhyrjet e dhunshme të policisë.

Përmes një letre që ata i kanë dërguar zyrës së OSBE-së në Tiranë, Aleanca kërkon takim me zotin Greminger për t’i shpjeguar nga afër se ku qëndron thelbi i problemit në lidhje me teatrin.

Në letrën e tyre adresuar Gremingerit përmes drejtuesit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ata thonë:

Shpronësimi i truallit publik dhe privat përreth Teatrit Kombëtar po ndodh falë një të ashtuquajturi “ligj special”. Ky i fundit nuk është asgjë më tepër se vjedhje me ligj, i bërë i mundur vetëm për shkak të faktit se Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale prej pothuajse dy vjetësh. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese, rezultat i një të ashtuquajture “reformë të drejtësisë”, i ka lejuar qeverisë të uzurpojë çdo pushtet vendimmarrës në Shqipëri. Nuk është ekzagjerim të thuhet se ajo qeveris me dekret – çdo vendim, sado i rëndë, lejohet për sa kohë që Qeveria e miraton atë.

Komuniteti ndërkombëtar ka shpenzuar sasi të mëdha burimesh monetare dhe njerëzore për të ndërtuar një demokraci funksionale, sundim të ligjit, ndarje të pushteteve dhe kontrolle e balanca mes tyre në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ekziston në këtë moment dhe ekzekutivi, i kontrolluar personalisht nga kryeministri Rama, është tërësisht i pakontrolluar siç tregon çështja e Teatrit Kombëtar. Ne besojmë se do të ishte një gabim i rëndë, i cili do të zhbënte besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve ndërkombëtare, nëse një situatë e tillë lejohet të vazhdojë.

Sekretari i OSBE, Tomas Greminger viziton sot vendin për të dhënë mbështetje rreth marrjes së presidencës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>