Teatri Kombëtar — Kush duhet besuar Veliaj apo Kumbaro?

Teatri Kombëtar — Kush duhet besuar Veliaj apo Kumbaro?

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh dje se ende nuk ka një projekt për teatrin e ri dhe as fond të caktuar për ndërtimin. Dje në mbrëmje, gjatë një bisede  në emisionin Top Show, Kumbara tha se çdo gjë po diskutohet dhe koordinohet me Kryetarin e Bashkisë Tiranë:

“Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare.”

Por Kryebashkiaku Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 23 nëntor 2017, pati lajmëruar se ka një projekt për ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, i cili do t’i paraqitet për votim këshillit bashkiak në mbledhjen e ardhshme:

“Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për teatrin ri kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për teatrin kombëtar.

Ndërtesa aktuale zëvendësohet nga një ndërtesë ekskluzive vetëm për teatrin, e cila do t’i bëhet në një prezantim të veçantë këshillit dhe besoj që Tirana realisht do të ketë një stoli me teatrin kombëtar.

Të parët që do ta shijojnë janë artistët që do të kenë ndoshta një nga teatrot më modernë në këtë pjesë të botës, por sigurisht edhe qytetarët që do të kenë një tjetër hapësirë, e cila nuk do të ketë vetëm një skenë, do të ketë disa skena.”

Eshtë e paqartë nëse Veliaj nuk e ka informuar Kumbaron apo deklaratat e dy qeveritarëve të lartë janë kontradiktore pasi përpiqen të fshehin diçka që nuk kanë interes ta ndajnë me publikun.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>