Pas një viti e gjysmë Teatri Kombëtar rihapet sot në orën 20:30 për publikun me një shfaqje nga aktori i mirënjohur Mehdi Malka.
Shfaqja, e cila quhet “Marr guximin”, është një monodramë e Vangjel Kozmas, që synon të ndërgjegjësojë dhe frymëzojë edhe më tepër qytetarët që të flasin, të çmojnë të vërtetën dhe të angazhohen në mbrojtjen e të mirës publike e të drejtave të tyre.
Malka, tashmë 67-vjeçar, e ka interpretuar për herë të fundit “Marr guximin” në vitin 2015 në Teatrin Kujtim Spahivogli.
Në të analizohen problemet që e ngarkojnë një shqiptar të zakonshëm, marrëdhëniet e njeriut me veten dhe ata që e rrethojnë duke ngritur pyetjen se “çdo të bëjmë me këtë tranzicionin e madh që na ka ngelur në derë”.
Kjo shfaqje do të jetë pa pagesë dhe i shërben çështjes së artistëve për të ndërgjegjësuar edhe më tej qytetarët pro-çështjes së teatrit.
Aktori i mirënjohur Mehdi Malka bën pjesë në grupin e artistëve, të cilët kanë protestuar kundër shembjes së teatrit dhe tjetërsimit të pronës publike rreth tij.
Prej një viti e gjysmë ndërtesa e Teatrit Kombëtar nuk ka qenë e hapur për publikun. Qeveria pati nxjerrë me ligj një projekt që parashikonte prishjen e tij dhe dhënien një kompanie private për ta zhvilluar bashkë me disa kulla pas tij.
Shfaqjet kryesisht janë zhvilluar te teatri Kujtim Spahivogli, ose te ArtTurbina.
Ndërkohë për sa i përket çështjes së teatrit, rreth 50 persona kaluan natën e së premtes në mjediset e tij.
Ajo ishte e teta natë radhazi, të cilën protestuesit e kalojnë duke ndejtur në gatishmëri për mbrojtjen e teatrit.
Protesta për të mbrojtur ndërtesën dhe hapësirat publike përreth, është bërë më e madhe ditët e fundit, kjo për shkak se qeveria ka shumfishuar përpjekjet për shembjen dhe zaptimin e saj.
Ditën e mërkurë, më 24 korrik, protestuesit u përballën me më shumë se 12 orë dhunë policore, ku regjisorët Edmond dhe Robert Budina dhe aktori Neritan Liçaj u sulmuan pa kurrëfarë arsye.