Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dha dy ditë më parë miratimin paraprak për shitjen e 99.75 për qind të aksioneve të kompanisë së dytë celulare në vend Telekom Albania tek kompani bullgare Albania Telecom Invest.
Kontrata e shitjes mes dy kompanive është ende subjekt i miratimit nga Autoriteti i Konkurrencës (AK).
Deri më tani, Telekom Albania ka qenë në pronësi të grupit grek OTE. Në janar 2019, OTE njoftoi shitjen e aksioneve tek kompania bullgare për 50 milionë euro.
“Albania Telecom Invest AD është në pronësi të bullgarit Spas Roussev, aksioner i kompanisë bullgare të telekomunikacionit Vivacom dhe investitorit shqiptaro-bullgar Elvin Guri,” njoftoi në janar OTE.
Që prej vitit 2015, Spas Roussev është dhe aksioneri kryesor i Vivacom, kompania kryesore e telekomunikacionit në Bullgari. Ai dyshohet për lidhje me mafian bullgare, rrjetet kriminale dhe i dyshuar kryesor për manipulimin e një ankandi në Mbretërinë e Bashkuar.
Një sipërmarrës tjetër rus, Dmitir Kosarev e ka denoncuar blerjen e aksioneve të Vivacom nga Roussev si të paligjshme. Kosarev pretendon se duhet të jetë aksioneri kryesor i Vivacom pasi i ka blerë aksionet nga ish-pronari, sipërmarrësi tashmë në arrati Tsvetan Vassilev. Sipas Kosarev, Roussev i ka përfituar aksionet përmes një skeme mashtrimi.
Biznesmeni Roussev konsiderohet të jetë një nga njerëzit më të pasur në Bullgari, të cilët e vunë pasurinë pas rënies së komunizmit. Ai u bë këshilltar i presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Zhelio Zhelev në vitin 1991. Sot Roussev njihet si një prej oligarkëve më të mëdhenj në Bullgari.
Ai dyshohet për lidhje me disa prej figurave më të famshme të krimit të organizuar bullgar.
Në prill 2003, në media u bë publike një foto ku duket Roussev në jahtin e tij, nën shoqërinë e Petrov, një sipërmarrësi të dënuar për pastrimin e 26 milionë eurove, ministri i atëhershëm i financave Sevlievsky, ministri i atëhershëm i energjisë Minçev dhe ministri i transportit Plamen Petrov, ish- pronari i Vivacom.
Në vitin 2012, Spas Roussev thuhet se bleu hotel Radisson Sofje, një prej markave ndërkombëtare të hotele luksoze në botë, me një kredi nga Banka Unicredit. Sipas shkrimeve në median bullgare, ka dyshime të forta që Roussev e mori kredinë përmes dhënies së një rryshfeti të majmë komitetit të kredisë të bankës.
Djali i tij, Evgeni Roussev u emërua CEO i hotelit. Sipas një portali, Evgeni është dënuar për krime të shumta të vogla, siç janë dhënia e makinës nën efektin e alkoolit dhe konsumimi i drogës në publik. Pretendohet po ashtu se ai ishte një “mashtrues i përfshirë në skema të shumta mashtrimi dhe krimi të organizuara”.
Siç një media bullgare shkruan, Spas Roussev ka thënë “Unë mund të marr çdo politikan në Bullgari në telefon”.
Marrëveshja për kalimin e Telekom Albania në pronësi të rusit Roussev pritet të konfirmohet në javët e ardhshme.