Themelimi i SPAK kërkon të paktën 10 prokurorë

Themelimi i SPAK kërkon të paktën 10 prokurorë

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë(KLP) Gent Ibrahimi deklaroi sot se Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të krijohet brenda këtj viti. Në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala, kryetari i KLP Gent Ibrahimi u shpreh se:

10 kandidatë për SPAK janë drejt finalizimit, 5 e kanë finalizuar garën, 5 të tjerë janë në një fazë të avancuar kështu që unë mendoj që për momentin ne do të jemi ende në pritje për 2-3 javë.

 [D]o të bëjmë një llogari të bazuar në shifra, për të dalë me një vendim se cili do të jetë numri optimal për ta nisur SPAK-un. Padyshim që pastaj që në muajt në vijim e në vitet në vijim, struktura do të plotësohet me prokurorë të tjerë por vendimi për fillimin do t’i mbetet Këshillit, bazuar në këto të dhëna që ne disponojmë”.

Kushtetuta në nenin 148/dh pika 2 përcakton se SPAK duhet ta nisi punën me të paktën 10 prokurorë. Ndërkohë neni 4 i rregullores së KLP-së, për emërimin e tyre kërkon plotësimin e katër kushteve, ku ndër to përcaktohet që kandidati për SPAK duhet ‘të ketë kaluar me vendim të formës së prerë procesin e rivlerësimit’.

KLP në korrik të këtij viti renditi 15 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore për SPAK, ndër të cilët vetëm pesë prokurorë e kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë.  Kështu KLP duhet të presi derisa minimalisht pesë kandidatë të  tjerë  të kalojnë me sukses vetingun për të vendosur krijimin e strukturës që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në bazë të Kushtetutës, SPAK duhet të ishte krijuar që në prill 2017.

Sipas dispozitave kalimtare, Kushtetuta përcakton në Nenin 179, pika 6 se “Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi” e Reformës në Drejtësi, dhe SPAK duhet të krijohej brenda dy muajve nga krijimi i KLP-së.

Reforma në drejtësi hyri në fyqi më 11 gusht 2016, dhe për rrjedhojë KLP duhet të ishte krijuar brenda 11 shkurtit 2017. Në të vërtetë, KLP u krijua, një vit e gjysmë më vonë, në dhjetor 2018 duke penguar kështu krijimin e SPAK.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>