Tensionet Podgoricë-Beograd, Vuçiç anulon vizitën në Mal të Zi

Nga Redaksia
Tensionet Podgoricë-Beograd, Vuçiç anulon vizitën në Mal të Zi

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç anuloi sot një vizitë private për në Mal të Zi, parashikuar për më 7 janar për Krishtlindjet Orthodokse.

Agjencia e lajmeve Associated Press tha se Vuçiç e anuloi vizitën në mënyrë që prezenca e tij në festimet fetare të mos merrej nga autoritetet malazeze si nxitje për përshkallëzim të përplasjeve që ka pasur së fundmi mes dy vendeve.

Për të qetësuar situatën Presidenti Vuçiç ka rikujtuar faktin se Mali i Zi është i pavarur dhe ka vendosur të mos udhëtojë për atje javën e ardhshme.

“Vendosa të mos shkoj (në Mal të Zi), dhe për këtë rash dakord me patriarkun serb Irinej, ne (serbët) e respektojmë pavarësinë e tyre”.

Vuçiç kishte thënë më herët se për krishtlindje “do të vizitonte kishat serbe në Mal të Zi”, por të shtunën ai nënkuptoi të kundërtën. Presidenti serb akuzoi ndërkombëtarët “për komente histerike” dhe “gënjeshtra” në raport me situatën e krijuar.

Mali i Zi u pavarësua nga Serbia në vitin 2006. Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë të këqija, mirëpo ditët e fundit ka pasur tensione. Shkak është bërë një ligj për liritë fetare.

Sipas Beogradit ky ligj është diskriminues ndaj popullsisë serbe që jeton atje dhe synon t’u marrë atyre kishat, të cilat i lidhin me Kishën Orthodokse Serbe, edhe pse prej vitit 1999 njihet edhe Kisha Autoqefale Malazeze. Me të tilla shqetësime ultranacionalistë serbë kanë zhvilluar protesta në Mal të Zi dhe Serbi, por Podgorica ka mohuar çdo pretendim me sfond etnik.

Nën këtë klimë, të premten, ambasada malazeze në Beograd u sulmuanga protestues duke nxitur reagimin e zyrtarëve të Malit të Zi, të cilët akuzuan zyrtarët serbë se nuk garantuan sigurinë e ambasadës.

Presidenti serb Vuçiç përgënjeshtroi duke thënë “se rreth 1 mijë policë e ruanin ambasadën” dhe se “protestuesit nuk synonin ta mësynin”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>