Tërhiqet kandidati i BD-së në Kavajë: Më kanë falsifikuar firmën në dokumente

Tërhiqet kandidati i BD-së në Kavajë: Më kanë falsifikuar firmën në dokumente

Bledar Sinella, kandidati i Bindjes Demokratike për Bashkinë Kavajë, është tërhequr nga gara, pasi pretendon se formularët e dorëzuar në KQZ për kandidimin e tij janë të falsifikuar.
Me anë të një kërkesë në KQZ, Sinalla kërkon çregjistrimin si kandidat:

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se unë nuk kam paraqitur asnjë dokument të nënshkruar prej meje as në KZAZ Kavajë nr. 42, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Lutem ndjekjen e procedurave ligjore për mosregjistrimin apo çregjistrimin tim si kandidat, përsa kohë unë nuk kam shprehur dakordësinë time për kandidim dhe nuk kam plotësuar personalisht deklaratën e kandidimit për Kryetar Bashkie apo Formularin e Dekriminalizimit.”

Më tej Sinella sqaron se disa ditë më parë është kontaktuar nga partia e Astrit Patozit për të kandiduar në Kavajë. Ai ka pranuar parimisht dhe ka kërkuar kohë për të mbledhur firmat e nevojshme tek qytetarët. Por pa dhënë miratimin përfundimtar për kandidimin e tij, Sinella ka mësuar përmes medias se Bindja Demokratike ka dorëzuar në KQZ dokumentet për kandidimin e tij:

“Kam shprehur dakordësinë për të kandiduar në parim, me premtimin se do të diskutoja përfundimisht mbi këtë mundësi në një moment tjetër, pasi të mblidhja edhe firmat mbështetëse të qytetarëve.

Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ, pa marrë dakordësinë time përfundimtare.”

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga partia Bindja Demokratike për akuzat për falsifikim të dokumenteve të Bledar Sinellës.

Bledar Sinella është kandidati i dytë i Bindjes Demokratike që tërhiqet nga gara për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Një ditë më parë, Salvador Kaçaj, kandidat në Lezhë, u tërhoq nga gara pasi, sipas tij, kuptoi se kandidimi i tij ishte fasadë për t´i shërbyer qeverisë Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>