Tërmeti, ekspertët diskutojnë rishikimin e standardeve të ndërtimit

Nga Exit News
Tërmeti, ekspertët diskutojnë rishikimin e standardeve të ndërtimit

Në Akademinë e Shkencave (ASH) u diskutua sot për rishikimin e standardeve të ndërtimit në Shqipëri dhe për ngritjen e njësisë së sizmologjisë e cila do të merret me përditësimin e kodit dhe hartës sizmike.

Gjeologë, sizmiologë dhe ekspertë të fushës së ndërtimit – disa prej të cilëve, të ardhur edhe nga rajoni, – zhvilluan diskutime me qëllim përmirësimin e sigurisë së ndërtesave nga tërmetet. Nga këto diskutime u hodh ideja që Shqipëria të mos i referohet vetëm eurokodeve, por të përpilojë edhe një kod të sajin sikurse ka bërë Greqia.

Report Tv citoi sizmiologu grek Spyros Pavlides të thoshte se:

“…në Greqi ne kemi kodet më të mira, sepse tërmetet na bënë që të përcaktonim për të tilla kode. Tani ndjekim përveç kodit grek edhe atë evropian, por disa pjesë të kodit grek janë më të mira se ai evropian. Prandaj është e rëndësishme që të ndiqet eurokodi, por duhet që të ketë edhe një kod shqiptar, për ndërtesat edhe për çdo gjë.”

Eurokodet janë seri standardesh evropiane që përcaktojnë mënyrat më të sigurta të ndërtimit dhe që u rekomandohen ndërtuesve.

Sizmiologu Shyqyri Aliaj i tha Report TV-së se në Shqipëri duhet përpiluar kod i ri sizmik për ndërtimet, pasi ekzistuesi është i vitit 1989.

“…[Njësia e Sizmologjisë pranë ASH] është e veçantë, e ngritur nga tre specialistë, të cilët pas tërmetit të vitit 2019 e quajtën për detyrë që të kontribuojnë për punën shkencore që kishin bërë me kohë, për përpilimin e një kodi të ri sizmik, sepse ai ekzistues është i vitit 1989, që bazohet në një hartë sizmike me intensitete.”

Prej vitit 2007 Instituti i Sizmologjisë është shkrirë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit duke funksionuar si një departament, por që nuk ka fonde për studime shkencore.

Shqipëria konsiderohet si vend me aktivitet të lartë sizmik. Më 26 nëntor 2019 Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës Richter. Lëkundjet shkaktuan 51 viktima dhe lanë mijëra njerëz të pastrehë, për faktin se ndërtesa të shumta në Durrës, Lezhë dhe Tiranë pësuan dëmtime të rënda.

Për të parandaluar një shkallë të ngjashme dëmtimesh në të ardhmen, ekspertët e cilësuan domosdoshmëri nismën e rishikimit të standardeve të ndërtimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>