Thaçi dërgon në Gjykatë Kushtetuese masat e Kurtit për kufizim të lëvizjeve

Nga Exit News
Thaçi dërgon në Gjykatë Kushtetuese masat e Kurtit për kufizim të lëvizjeve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dërgoi të martën në Gjykatën Kushtetuese masat e kufizimit të lëvizjes të marra nga qeveria e Albin Kurtit.

Të hënën qeveria vendosi të kufizojë lëvizjet – nga ora 10:00-16:00 dhe nga ora 20:00-6:00 – si masë parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

Nga kufizimi i lëvizjeve bëjnë përjashtim furnitorët e dyqaneve, farmacive dhe punonjësit e policisë, ushtrisë, shërbimeve shëndetësore dhe sociale.

Por Presidenti Thaçi i cilësoi këto masa në shkelje të Kushtetutës, pasi kufizimi i lëvizjes bëhet vetëm nën gjendje të jashtëzakonshme. Për këtë ai u bëri thirrje qytetarëve të mos i zbatojnë oraret.

Të martën Presidenti i dërgoi masat në Gjykatën Kushtetuese, e cila u shpreh se do ta shqyrtonte çështjen me përparësi.

Thaçi theksoi se institucionet, policia dhe qytetarët nuk duhet t’i zbatojnë këto masa.

Qeveria Kurti është përgjigjur se masat janë vendosur sipas ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, që parashikon aplikimin e masave të tilla në zonat ku është përhapur sëmundja.

Sidoqoftë masat i ka kundërshtuar edhe partia e koalicionit qeveritar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe opozita – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – të cilat ka kërkuar që ato të miratohen në parlament.

Kosova deklaroi më 17 mars gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, ndërsa Presidenti Thaçi i kërkoi Parlamentit vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, gjendje e cila i atribuon atij më shumë kompetenca për të menaxhuar situatën.

Kryeministri Kurti kundërshtoi kërkesën e Thaçit, por LDK e mbështeti. Kjo situatë vjen pasi Kurti shkarkoi pak ditë më parë Ministrin e Brendshëm – të LDK-së – duke nxitur një krizë politike, pasi prej shkarkimit është nxitur mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Pas kësaj situate ambasadorët e SHBA-ve, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe në Kosovë i kanë kërkuar palëve politike të fokusohen tek lufta kundër koronavirusit dhe jo tek luftrat politike.

Në Kosovë, deri sot janë diagnostikuar 61 persona me koronavirus, prej së cilëve 1 ka vdekur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>