Thaçi dhe Rama janë humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve në Kosovë

Nga Bledar Qalliu
Thaçi dhe Rama janë humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve në Kosovë

Humbësit më të mëdhenj nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë ishin Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Duke e lënë të tretën në radhë Partinë Demokratike të Kosovës, zgjedhësit e zhveshën Thaçin nga pushteti i tij në qeveri, parlament dhe politikë të jashtme. Ky rezultat për PDK-në e kthen Ramën, mbështetësin kryesor të Thaçit, nga ‘liderin rajonal në ngjitje’ në një drejtues vendor.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u zhvilluan si pasojë e drejtpërdrejtë e planit të Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit, mbështetur nga Edi Rama, për të shkëmbyer territore.

Edi Rama e kishte ngritur figurën e tij të një lideri të domosdoshëm për bashkëpunimin në rajon bazuar te lidhja e tij me Thaçin dhe Vuçiçin. Ai i kishte përdorur çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë për të krijuar imazhin e një lideri të aftë për të ndikuar zgjidhjen e konflikteve rajonale në të mirë të stabilitetit. Largimi i Thaçit dhe fitorja në zgjedhje e opozitës, që ka qenë kundër nismës për shkëmbimin e territoreve të mbështetur nga këta të tre, e bën Ramën të parëndësishëm në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ky dialog arriti në bllokim të plotë, hap pas hapi, pas nismave të Thaçit për ta dominuar totalisht atë, mospërfilljes së parlamentit, planit Thaçi-Vuçic për shkëmbimin e territoreve, fushatës së suksesshme të qeverisë së Serbisë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe tarifës Haradinaj mbi mallrat serbe.

Bllokimi nuk i shqetësoi qytetarët e Kosovës, pasi dialogun ata e përjetuan gjithnjë si diçka jashtë tyre, për të cilin kurrë nuk u pyetën. Për ta dialogu ishte zhvilluar gjithsesi pas dyerve të mbyllura, jashtë kontrollit të tyre dhe llogaridhënies.

Ajo që e tronditi popullin e Kosovës ishte dalja hapur e Thaçit dhe Vuçiçit me idenë e shkëmbimit të territoreve, si dhe mbështetja e Ramës dhe e disa drejtuesve nëKomisionin Evropian dhe në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Këto ndikuan edhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Çfarëdo llogarie makiavelike të ketë bërë Haradinaj përpara dorëheqjes, me sebepin e thirrjes në Hagë, ai meriton vlerësim për kundërshtimin që i bëri planit Thaçi-Vuçiç dhe për thjeshtimin e rrugës drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Si rezultat, zgjedhjet nxorën fitues me mbi 50 përqind dy partitë më të mëdha të opozitës, LVV dhe LDK, të cilat kanë kundërshtuar personalizimin që Thaçi i bëri dialogut dhe, më fort akoma, shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Tani që Thaçi nuk ka më ndikim në qeveri, nuk ka më shumicën në parlament, nuk i mbetet ndikim i rëndësishëm në dialogun me Serbinë, ai politikisht është duke precipituar drejt fundit. Thaçi tashmë nuk ka asnjë mundësi për të shantazhuar ndërkombëtarët, apo për të kanalizuar rrjedhën e dialogut në drejtime të dyshimta për interesin e vendit. Arma më e fortë në dorën e Thaçit, dialogu do të drejtohet nga ish-opozita.

Edhe pa hyrë në çështje në dukje më pak ekzistenciale për shtetësinë e Kosovës si ekonomia, korrupsioni, nepotizmi etj, neutralizimi politik i Thaçit në këtë pikë ku mbërriti është një lajm i mirë për Kosovën.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve e zhveshën Edi Ramën nga kostumi me cohë të shtrenjtë e të shkëlqyeshme, që ai i porositi vetes për t’u bërë ‘lider rajonal’. Rama tashmë është një drejtues vendor i pafuqishëm përtej kufijve të Shqipërisë.

Kjo do të sjellë harrimin e fjalimeve të tij për domosdoshmërinë e popujve në rajon për t’u afruar përmes nismash të përbashkëta, ndërkohë që ai zgjidhte të mos fliste për veprimtarinë e shtetit të Serbisë kundër shtetndërtimit në Kosovë.

Takimet e tij të shpeshta me Vuçiçin, si me asnjë drejtues tjetër në botë, shërbyen për të forcuar lidhjen personale të treshes Rama-Vuçiç-Thaçi. Rama e shfrytëzoi këtë lidhje për të ngritur mitin se ai është karizmatik, se ka personalitet të fortë politik për të siguruar bashkëpunim në Ballkan, se prandaj pritet e përcillet nga udhëheqës evropianë, se ndaj edhe Merkeli e ka vendosur që ai të udhëheqë drejt paqes së qëndrueshme në rajon. Ky mit qe jetëshkurtër.

Rezultati kryesor i këtij miti dhe i lidhjes Rama-Vuçiç-Thaçi ishte ideja e shkëmbimit të territoreve. Pasoja më pak të dukshme ishin fakti se Kosova dhe Shqipëria mbetën pothuajse po aq larg sa më parë dhe se nuk i përputhën qartë politikat e tyre strategjike për të ardhmen e përbashkët.

Tani Ramës do t’i duhet një strategji për ta bërë kryeministrin e ri të Kosovës t’ia përfillë karizmën e tij prej lideri rajonal të dikurshëm. Kjo do të jetë e vështirë, pasi LVV dhe LDK ia kanë parë veprimet në vite dhe i kanë kundërshtuar pasojat e tyre në Kosovë.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duket se Rama do të mbesë një drejtues vendor. Ai do të ketë mjaft kohë që oratorinë e tij, të nivelit të parlamentit britanik e sipër, ta shpalosë në takimet e pushtetit vendor në secilën nga të 61 bashkitë e Shqipërisë së Partisë Socialiste.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>