Thaçi do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatimin e qeverisë së re

Nga Exit News
Thaçi do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatimin e qeverisë së re

Situata politike në Kosovë pritet të ketë zhvillime të rëndësishme javën e ardhshme, pasi Presidenti Hashim Thaçi është zotuar ta çojë çështjen e qeverisë së re në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë ai e nënkuptoi të dielën, përmes një postimi të shkruar në anglisht në Twitter:

“Javën tjetër do të ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar koronavirusin dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën”

Hapi i fundit kushtetues i Presidentit Thaçi, përveç dërgimit të vendit në zgjedhje të reja, do të ishte adresimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo gjykatë më 31 mars vendosi kundër qeverisë Kurti duke rrëzuar masat kufizuese që ajo kishte ndërmarrë për epideminë e Covid-19.

Në fund të muajit mars, pas vetëm 50 ditësh në detyrë, qeveria e Albin Kurtit u rrëzua me një mocion mosbesimi të thirrur nga aleati i tij Isa Mustafa.

Pas rrëzimit të qeverisë, Presidenti Thaçi i ka kërkuar Kurtit emër tjetër për qeverinë e re. Por Kurti ka vendosur të mos propozojë emër të ri dhe i ka kërkuar Thaçit të vendosë për zgjedhje të reja, siç e përcakton Kushtetuta.

Thaçi i ka përjashtuar ato me argumentin se pamundësohen nga situata e epidemisë së koronavirusit.

Lëvizja Vetëvendosje ka 29 deputetë. Për të mbajtur qeverisjen, emri i ardhshëm – nëse do të propozohet – duhet të marrë 61 vota në parlament.

Nëse Vetëvendosje nuk arrin të marrë votën e parlamentit, mundësia për të formuar qeverinë i kalon Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka 28 deputetë, por që pas rrëzimit të qeverisë së Kurtit ka nisur bisedimet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të drejtaur nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>