Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të dalë në 13 korrik para Dhomës e Specializuara të Kosovës në Hagë, për tu intervistuar për akuzat që rëndojnë ndaj tij për krime gjatë Luftës së Kosovës.
Thaçi do të mbrohet nga avokati amerikan Pierre-Richard Prosper, i cili më parë ka qenë Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës në administratën e ish-presidentit Bush, në vitet 2001-2005.
Më herët, në vitet 1996-1998, Prosper ka qenë prokuror për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar Kriminal të Kombeve të Bashkuara për Ruandën.
Ai njihet si prokurori i rastit të parë gjyqësor për gjenocidin nën Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të vitit 1948.
Përveç që e fitoi gjyqin pas 14 muajsh, Prosper solli risi në ligjin ndërkombëtar, ku e bindi tribunalin që ta njohë dhunimin seksual në kohë konflikti si akt gjenocidal dhe krim kundër njerëzimit.