Presidenti Hashim Thaçi i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje të propozojë emrin e kandidatit për kryeministër të ri, pas konsultimit me të gjitha partitë parlamentare.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se Thaçi ka shkelur Kushtetutën me këtë kërkesë, pasi ai duhet të priste fundin e epidemisë dhe të shpërndante parlamentin dhe të shpallte zgjedhje të reja, sipas Kushtetutës.
Kurti e akuzoi Thaçin se nuk ishte neutral, por kishte interes politik dhe synime personale. Në bazë të këtyre ai zhvilloi konsultime me partitë politike, të cilat, gjithnjë sipas Kurtit, nuk bazohen në Kushtetutë.
Kryeministri në detyrë la të kuptojë se përgjigja e LVV ndaj Thaçit mund të vonojë: “ne do t’i përgjigjemi, në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi.”
Thaçi ishte shprehur më herët se Kushtetuta i ofron atij dy mundësi: të shpallte zgjedhje të reja ose të kërkonte formimin e një qeverie të re. Thaçi e ksihte quajtur “obligim” shmangien e zgjedhjeve për shkak të epidemisë.
LVV pretendon se Kushtetuta i kërkon Presidentit të shpallë zgjedhje të reja. Ajo e bazon këtë te neni 82/2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” Sipas këtij neni janë shpallur zgjedhje të reja pas dy mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017.
Partitë e tjera më të mëdha parlamentare (LDK, PDK, AAK) pretendojnë se Kushtetuta kërkon të formohet një qeveri e re. Ato dhe Presidenti Thaçi bazohen në nenin 95/5: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.”
LVV pretendon se ky nen nuk ka të bëjë me rastin kur qeveria është rrëzuar me mocion mosbesimi. Gjithashtu, ata argumentojnë se “konsultim me partitë politike” është një gabim në shkrim, që duhet të jetë “në konsultim me partinë politike”, siç është në versionet në gjuhë të huaja të Kushtetutës së Kosovës.
Duket se me këtë nen Thaçi ka justifikuar edhe konsultimet me partitë politike gjatë dy ditëve të fundit.
Nëse LVV do të paraqesë një emër për kandidat për kryeministër, ai duhet të marë për qeverinë e tij të paktën 61 nga 120 votat në parlament. LVV ka vetëm 29 deputetë.
Nëse kandidati i k LVV nuk e formon dot qeverinë, atëherë sipas skenarit të nisur nga presidenti, ai duhet të mandatojë partinë e dytë më të madhe, LDK për të formuar qeverinë e re. LDK ka 28 vota dhe ka qenë në bisedime për një koalicion me disa nga partitë opozitare.
Sidoqoftë, Kushtetuta nuk i përcakton një afat LVV-së për të paraqitur kandidatin për kryeministër. Vonesat e pritshme nga LVV mund të krijojnë më tepër tension në politikën e Kosovës dhe gjasat janë që çështja të kërkojë interpretim kushtetues.