Thaçi kërkesë parlamentit për të raportuar takimin me Vuçiçin

Nga Exit News
Thaçi kërkesë parlamentit për të raportuar takimin me Vuçiçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi të hënën një takim me Presidentin Aleksandar Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi u ndërmjetësua nga ambasadori Richard Grenell dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Më vonë Thaçi shkroi në Facebook se ishte rrugës për kthim në Kosovë, dhe shprehu kërkesën që të mërkurën ose të enjten të ketë mundësinë që në parlament:

“[…]t’i njoftoj deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Washington dhe më specifikisht për takimin e sotëm [me Presidentin serb Vuçiç].”

Presidenti Thaçi i tha Zërit të Amerikës se takimi ka mesazh të veçantë sepse SHBA-të “po rikthehen në pozicionin që e ka pasur atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.

Më herët, Presidenti Vuçiç qe shprehur për mediat serbe se kishte patur një takim të sinqertë me Sekretarin e  Shtetit Amerikan Pompeo, i cili “u tregua i dëgjueshëm dhe mirëkuptues për problemet e Beogradit”.

Mediat serbe cituan Vuçiçin të thoshte se ditët e ardhshme do të ketë tërheqje të tjera nga njohjet e pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç deklaroi sot se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

Takimi mes Thaçit e Vuçiçit ndodhi pasi Kryeministri Albin Kurti qe shprehur ditët e fundit se do t’i merrte ai përsipër bisedimet me Serbinë.

Përfaqësuesit e qeverisë reaguan duke shprehur pakënaqësi për moskoordinimin e takimit me Presidentin serb.

Kurti, para nisjes së Thaçit në SHBA, ka nisur disa letra publike në drejtim të tij dhe opozitës, ku ka ftuar të ulen dhe të diskutojnë për unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme, me theks të veçantë dialogun me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, për dialogun, ka kërkuar monitorim nga SHBA-të. Në fund të shkurtit qeveria kosovare njoftoi nisjen e heqjes graduale të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

Vendimi ngjalli reagime të forta. Veçanërisht nga i dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili kundërshtoi.

Për më tepër, lexoni të plotë këtu të gjitha reagimet pro dhe kundër për vendimin e Kurtit për heqjen e tarifave ndaj Serbisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>