Thaçi përshëndet angazhimin e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi

Nga Exit News
Thaçi përshëndet angazhimin e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mirëpritur ftesën e Amerikës për takimin e radhës mes Kosovës e Serbisë në 2 shtator.

Përmes një postimi në Twitter, Thaçi shkruan:

“Mirëpres njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon.”

Nuk është ende e qartë nëse presidenti Thaçi do të jetë pjesëmarrës bashkë më kryeministrin Hoti në takimin në Uashington.

Lajmin për takimin mes zyrtarëve të dy vendeve e bëri publik pak orë më parë Riçard Grenelli, i dërguari i Presidentit amerikan Donald Tramp.

Ky samit vjen pas shtyrjes së një samiti të mëparshëm për të rifilluar dialogun e ngecur, i planifikuar për 27 qershor. Ai u shty për shkak të publikimit të aktakuzave për krime lufte që përfshinin Presidentin Hashim Thaçi, i cili ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç u takuan një herë në Bruksel në 16 korrik dhe më pas caktuan negociatorë për të vazhduar më tej me çështjet teknike.

Sidoqoftë, çështja kryesore e njohjes së Kosovës mbetet jashtë negociatave. Ndërsa Kosova pretendon se ka hyrë në dialogu ekskluzivisht për njohje reciproke , Serbia mohon kategorikisht se mund të diskutojë ndonjëherë për njohjen e Kosovës.

Samiti i shtyrë i 27 qershorit ishte planifikuar të përqëndrohej në çështjet ekonomike. Nuk është e qartë se cila do të jetë përmbajtja e negociatave të 2 shtatorit. Mbetet, gjithashtu, e panjohur nëse ky samit është i koordinuar me BE-në.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>