Skedarët e Kujtesëes: Historia e Hysen Shahollit

Author Alice Taylor & Rezearta Caushaj
Skedarët e Kujtesëes: Historia e Hysen Shahollit

Gjatë viteve, mijëra njerëz u ekzekutuan dhe u vranë. Mijëra të tjerë humbën jetën në kushte të rënda, në burgje dhe kampe pune, në të gjithë vendin.

Sot, eshtrat e 6000 deri në 7000 njerëzve janë ende të zhdukura.

Një nga gjërat më të tmerrshme se nuk ka asnjë memorial për ta, dhe prokurorët nuk kanë bërë përpjekje për të gjetur trupat e tyre.

Megjithatë, në qendër të Tiranës, duke dalë nga bulevardi kryesor, qëndrojnë ende mbetjet e statujave që nderonin Enver Hoxhën, Stalinin dhe Leninin.

Grushti i hekurt i Hoxhës mbërtheu të gjithë vendin nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Ai nuk njihte mëshirë, madje as zonat e thella rurale nuk mundën t’i shpëtonin tiranisë së tij.

Për episodin e dytë të Dosjeve të Kujtesës, udhëtuam për në Voskop, në Bashkinë Korçë, rreth 185 kilometra nga selia e pushtetit të diktatorit. Kjo histori tregon se, as një dashuri e thellë dhe e pamatë për vendin tuaj nuk ishte e mjaftueshme për t’i shpëtuar zemërimit të terrorit komunist.

Largohemi nga rruga kryesore dhe futemi në fshatin Voskop. Një grumbull me shtëpi të vjetra prej guri, ndërthurur me ndërtesa më moderne, njëkatëshe; një vend i qetë, rural dhe pa pretendime. Temperatura tregon 38 gradë dhe dielli i nxehtë ka djegur pemët dhe fushat, duke u dhënë një ngjyrë kafe të pluhurosur. Teksa i afrohemi një ure të vogël, një burrë i moshuar duket buzë rrugës, duke tundur dorën me entuziazëm në drejtimin tonë.

Hysen Shaholli qëndron krenar, me një buzëqeshje në fytyrë dhe një kapelë bejsbolli, vënë shkujdesur në kokë. Ai hipën në makinë dhe na drejton nëpër një shteg zhavorri dredha -dredha, për në shtëpinë e familjes së tij. Me të mbërritur, futemi në banesë, që kufizohet nga një kopsht, kompletuar me kotele të shtrira në dritën e diellit.

Gruaja e tij, Nasibe na drejton për në dhomën e ndenjjes dhe një vajzë më e re na servir ëmbëlsira dhe një pije frutash të shijshme.

I intervistuari ynë është nipi i Hysen Shahollit, i cili po ashtu quhet Hysen. Një emër që ai e mbart sa krenar, edhe i pikëlluar. Ai ulet në një karrige, në korridorin e shtëpisë dhe fillon të tregojë historinë.

Gjyshi i tij ka lindur në Voskop, por kushtet e detyruan të emigrojë në Amerikë kur ishte i ri. Ai do të qëndronte vetëm një vit para se ta thërriste mbrapsht vendi i tij, pasi, siç shpjegon Hysen ai ka qënë gjithmonë një njeri shumë patriot. Anëtar i çetave patriotike të zonës në rini, ai besonte në mbrojtjen e vendit me çdo mënyrë.

Përveç patriotizmit të tij të pamasë, Hysen shpjegon se gjyshi ishte një njeri bamirës, ​​i cili punonte shumë, për të siguruar jetesën e fëmijëve të tij dhe për t’u kujdesur për tokën rreth shtëpisë.

Menjëherë pas kthimit nga Amerika, Hysen u martua dhe gjatë viteve në vijim, ai lindi tre djem dhe dy vajza. Ai dhe familja e tij e madhe jetonin në fshat, të rrethuar nga farëefisi. Ata kujdeseshin për token dhe punonin në bujqësi, duke jetuar një jetë të thjeshtë, por të kënaqshme, nën rrethanat e kohës.

Për sa i përket veprimtarisë atdhetare, Hysen doli vullnetar me çetën që do të mbronte Kuvendin Kombëtar, që shpalli pavarësinë në Vlorë në vitin 1912. Po ashtu, më 1914, ai doli përsëri vullnetar për të mbrojtur shpalljen e pavarësisë në Republikën e Korçës.

Nipi i tij shpjegon me krenari të madhe: “Ai e mbante pushkën në krah, edhe kur shkonte në ara dhe kujdesej për bagëtinë. Ishte gjithmonë human dhe bamirës, ​​një shembull tamam i një njeriu të mirë. ”

Ai na tregoni një histori, ku një mik nga një fshat fqinj emigroi në Amerikë, por i kërkoi Hysenit t’i hidhte një sy familjes së tij para se të largohej. Hysen e siguroi duke i thënë: “Nëse fëmijët e tu vdesin, do të vdesin edhe të mitë. Nëse fëmijët e mi do të hanë, do të hanë edhe fëmijët e tu. Mos u shqetëso dhe Zoti të bekoftë. ”

I etur për të demonstruar natyrën e mirë dhe dashurinë ndaj bashkëfshatarëve të gjyshit të tij, ai shpjegon se si në një rast, disa hajdutë vodhën dele që i përkisnin një prej fqinjëve të tij. Ai u doli para hajdutëve, duke u kërkuar të kthenin kafshët familjes së varfër dhe i siguroi se nëse kishin nevojë për mish, ai “do t’u gjente sa të donin”.

Por nga fundi i viteve 1930, Lufta e Dytë Botërore po afrohej dhe farat e telasheve po hidheshin në Shqipëri. Nën shembullin e babait, djali i madh i Hysenit u bë një pjesë e batalionit të parë, të ngritur për të mbrojtur Korçën nga pushtimi fashist italian. Italianët fituan dhe ai e gjeti veten duke luftuar kundër Grekëve në luftën Greko-Italiane. Kur kjo e fundit humbi, ai u internua në Greqi për pesë vjet, para se të kthehej në Shqipëri.

Djali i dytë, Muhameti, ishte partizan dhe u bashkua me brigadën e 20 -të në Korçë. “Jo sepse ishte komunist”, shpjegon Hyseni, “por, sepse vendi ishte në luftë e duhej mbrojtur”. Në fakt, xhaxhai i tij do të arratisej nga vendi pas Luftës së Dytë botërore, duke u shpallur përfundimisht armik.

Por pavarësisht se djali i tij ishte partizan dhe një tjetër bir që luftoi për vendin kur sulmuan italianët, as kjo nuk e shpëtoi Hysenin. Ai u shpall armik i Partisë Komuniste, pavarësisht se ishte një njeri i mirë, bamirës, që e donte vendin e tij.

Nipi i tij shprehet i revoltuar; “Si mund të jetë armike një familje që mbron vendin?”

“ Por kështu ishte regjimi” dorëzohet ai.

“ E konsideruan atë një armik dhe ai u detyrua të vuajë atë që askush nuk duhet të vuajë “, vijon ai.

Por, cili ishte krimi i tij? Pse Hysenu u shpall armik? Dhe pse komunistët e fshinë nga faqja e dheut, duke mos i lënë gjurmë?

Hyseni ishte mik i Sali Butkës, një figurë e njohur nacionaliste, poet dhe delegat i Korçës në Kongresin Kombëtar të Lushnjes. Ai i përkiste një familje të njohur nga Frashëri dhe përfundimisht, u bë komandant në grupe të ndryshme guerile. Ai dhe njerëzit e tij luftuan kundër sundimit osman në jug të Shqipërisë, si dhe gjatë Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, para se të vdiste në 1938.

Butka kishte disa djem, mes tyre edhe Safetin. Ai lindi në 1901 dhe ishte gjithashtu një patëriot, si dhe profesor e politikan. Ai organizoi demonstrata gjatë pushtimit italian, si dhe lëvizje të ndryshme antifashiste në jug. Por ajo që e bëri Safetin veçanërisht problematik për komunistët ishte se ai ishte anëtar themelues i lëvizjes nacionaliste, Balli Kombetar.

Një natë, Hysen priti djalin e mikut të tij, Safetin në shtëpi, për të darkuar dhe biseduar. Profesori ishte njeri i shquar në atë kohë, por ishte shpallur armik nga Enver Hoxha, pavarësisht se ishte një “hero i vërtetë” në sytë e shumë njerëzve.

U përhap fjala për takimin e tyre dhe shumë shpejt, Hysen u lye me të njëjtën furçë. Etiketuar si “ballist”, armik i betuar i komunistëve, i  duhej të shkelte me kujdes, për të shmangur konfliktet. Por, në një natë fatale, Hyseni po darkonte me kushërinjtë e tij në Plasa. Ishte viti 1944 dhe komunistët ishin gati të merrnin kontrollin e plotë të Shqipërisë.

Një nga kushërinjtë filloi ta ngacmonte për Partinë Komuniste dhe qëndrimin  ndaj tyre. Hysen u përgjigj duke thënë se e shihte partinë si “çiliminj”. Kushëriri i tij e tradhtoi jo shumë vonë, duke i raportuar komentet e tij në parti.

Disa ditë më vonë, komunistët erdhën për Hysenin, i cili ishte tashmë në moshën e nderuar 66 vjeç. E kapën, e kërcënuan dhe e keqtrajtuan, duke shtuar se do t’i zhvisnin rrobat dhe këpucët. Ai arriti të shpëtojë dhe vrapo drejt një lumi aty pranë. Me të arritur në brigjet e tij, komunistët e pushkatuan dhe e vranë. Besohet se trupi i tij ra në lumë, por deri më sot, familja nuk e di me siguri.

“E qëlluan dhe e vranë në lumë … trupi i tij nuk është gjetur kurrë,” thotë nipi i tij me një shprehje solemne.

Vrasja e tij duket si një ogur i asaj që do të vinte më pas për Shqipërinë. Ndërsa, më parë, njerëzit ndërvepronin bazuar në historinë dhe uajtjet e tërbashkëta dhe traditën e gjatë të shenjtërisë së mikut, pavarësisht ideve dhe pikëpamjeve politike, pas vitit 1944 kjo nuk do të ishte më e mundur.

Shumë patriotë dhe njerëz të shquar, që kishin luftuan për vendin në të kaluarën, u quajtën tradhtarë dhe u vranë.

Ai shpjegon se gjyshi u etiketua si “ballist” nga Partia në përgjithësi, por komiteti në Korçë nuk guxonte t’i përmendte emrin, pasi të gjithë e dinin se çfarë patrioti ishte në të vërtetë.

Pastaj, me një ton sfidues, ai thotë: “Unë ndaj të njëjtin emër dhe të njëjtin karakter si ai. Nuk më interesonte policia sekrete, drejtorët apo brigadierët. Unë kisha frikë vetëm nga Zoti. “

Duket se natyra patëriotike dhe rebele e Hysenit është vulosur mbi nipin e tij. Duke pirë një gllënjkë raki, ai na tregon se si, kur ishte çunak, prishi një monument komunist, në të cilin gjyshi i tij etiketohej si ballist. I tillë ishte zemërimi dhe zhgënjimi i tij sa rrezikoi jetën, për të mbrojtur atë që ai mendonte se ishte e drejtë.

“Është një tmerr absolut,” tha ai. “Është një krim i shëmtuar. Patriotët, njerëzit atdhetarë, heronjtë e vërtetë dhe ballistët, të gjithë konsideroheshin armiq dhe bashkëpunëtorë të fashizmit. Ata i bënë ligjet dhe bënin si të donin. Familjet më të mira, patriotët e vërtetë të Shqipërisë, u shpallën armiq, ” revoltohet  ai, më një zë gjithmonë e më të fortë.

Duke vazhduar me shfaqjen e emocioneve, Hyseni përshkruan se si funksionoi sistemi dhe se Enver Hoxha kishte prirjen për të vrarë njerëzit, që i mendonte si armiq, madje shkoi deri te miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

“Miqtë si Nako Spiro … disa I ka vrarë vetë, në fshehtësi … deri në fund, kur vrau edhe Mehmet Shehun,” bërtiti ai.

Por pavarësisht emocioneve të papërpunuara në dukje rreth vrasjes dhe zhdukjes së gjysh Hysenit, kjo familje mbeti krenare.

“Në dasma dhe raste të tjera në fshat, ne ndiheshim krenarë për të dhe e flisnim emrin e tij lirshëm. Komunistët nuk guxuan ta përmendin, “shpjegoi ai.

Por, si ndikoi vrasja në pjesën tjetër të familjes? Ai shpjegon se Hyseni e frymëzoi të ishte bamirës dhe të ndihmonte ata më pak fatlumë në komunitet. I damkosur nga kjo ‘njollë e zezë’ dhe ‘biografia e keqe’ e imponuar ndaj familjes nga regjimi, jeta nuk ishte e lehtë.

Ai beson se, ndonëse ata vuajtën, përndjekja ishte e kufizuar për shkak të trashëgimisë së pamohueshme patriotike të Hysenit.

“Nuk kishte diskriminim domethënës, por në sytë e njerëzve, ata do të thoshin,”Ja ky, nipi i Ballistit…”

 “Kjo damkë e zezë na u vu mbi krye…; kushtet dhe mundësitë që kishim ishin të kufizuara, na mungonte forca,”vijon Hyseni.

Shumica e fëmojëve të familjes mund të ndiqnin shkollën fillore, por jo arsimin e lartë e, as shkollën e mesme madje. Pas shkollës, ata u dërguan të gjithë direkt në kooperativë.

Vetë Hyseni e mendonte veten me fat kur filloi punë në Tiranë, në vitin 1968, në fabrikën e antibiotikëve, por kjo nuk zgjati shumë. I thanë se “kishin nevojë në shat” pas një viti, por ai e dinte se arsyeja e vërtetë lidhej me biografinë e familjes.

Herë pas here, natyra rebele e tregimtarit tonë ngrinte krye. Në një rast të tillë, ai u tha miqve të tij në kooperativë se “peshku qelbet nga koka” për të përshkruar situatën e mjerueshme në vend. Për këtë, ai u dërgua në Degën e Korçës për katër ditë, gjatë së cilës ai këmbënguli me qetësi se ishte vetëm një shprehje që përdornin të gjithë.

E shmangu më të keqen, por u dërgua për të punuar në Burrel për mbi një vit, në minierat pranë burgut famëkeq.

Mund të kishte qenë një dimër i ashpër, thotë ai, por gjeti njerëz të mirë atje dhe ata qenë në gjendje t’ia bënin jetën më të lehtë njëri -tjetrit. Ai e kujton përvojën me shumë ngrohtësi, para se të thirrej në fshat për të punuar në ara.

Ai shpjegoi sesi disa nga njerëzit që punonin në Burrel, në rastin më të mirë, kishin vetëm bukë me sheqer për të ngrënë. “Një mjerim të tmerrshëm,” thotë ai, duke shtuar se “një nga krimet më të shëmtuara të sistemit komunist ishte që I zhyri njerëzit në varfëri”.

Shqiptarët vuajtën shumë nën komunizëm. Ndërsa elita jetonte me komoditetet e kohës, pjesa tjetër e popullsisë mbijetoi me racione dhe kuponë. Mijëra njerëz vdiqën nga kequshqyerja në të gjithë vendin.

Njeriu i urtë para nesh psherëtin dhe shtrëngon duart.

“Gjyshi im kishte shpresa të mëdha për Shqipërinë. Ai dhe miqtë e tij luftuan për ditë më të mira dhe shpresuan se gjithçka do të funksiononte. Ata nuk kishin shkollë, por nuk ishin injorantë. Ata ishin gjithmonë aty, kur duheshin për të mbrojtur vendin. Ishin njerëz me zemër të madhe dhe vizion të madh. ”

Ndërsa intervista shkonte drejt fundit, mbetej vetëm një pyetje; çfarë do t’i thoshte gjysh Hysenit nëse do të kishte, sot, mundësinë.

“Do ta pyesja për disa gjëra, por ai ka thënë gjithçka që kishte për të thënë. Ai do të thoshte ta doni atdheun, se duhet të bëni gjithmonë mirë dhe kurrë keq, dhe se duhet ta doni njëri -tjetrin dhe të jeni njerëz të mirë. Por gjithmonë, atdheu ishte i pari,”përfundon ai, teksa gruaja e tij, Nasibe fshin një lot të heshtur në sfond.

 

Duke falenderuar familjen Shaholli, në kujtimin e dashur të Hysen Shahollit.

Financuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>