Skedarët e Kujtesës: Historia e Tefik Sfirit

Author Rezarta Caushaj
Skedarët e Kujtesës: Historia e Tefik Sfirit

Kur mbërrijmë në shtëpinë Velaj, afër qendrës së Tiranës, prapa Muzeut Kombëtar, e kemi tashmë një ide për njerëzit që na presin. Kisha komunikuar me Aurorën, mbesën e subjetktit të historisë sonë, dhe ajo e kishte bërë të qartë vazhdimisht se sa e rëndësishme ishte kjo histori si për familjen e saj, ashtu edhe për të personalisht. Ajo ka qënë e investuar qysh në moshë të re mbi veprimtarinë dhe trashëgiminë e gjyshit të saj. Si rrjedhojë, nuk u habitëm kur i gjetëm të zotët e shtëpisë pothuajse në ankth.

Gjëja e parë që na treguan ishin fotografi të vjetra të Tefik Sfirit si dhe sende të tjera me vlerë sentimentale. Përfshirë këtu edhe një një thupër të punuar me dorë që një shok i burgut i kishte dedikuar sfirit, i zbukuruar me rruaza të vogla me ngjyra të ndryshme dhe i ruajtur për bukuri.

Objektet e tjera të trashëgimisë familjare kanë humbur në përpjekjet e tyre mbi dyzet vjeçare për të mbijetuar.

“Ngaqë duam që ta themi historinë e gjyshit drejt; siç ndodhi vërtetë,” thotë Aurora me një zë pothuajse lutës, duke hedhur sytë nga babai i saj, Sazani. Ai është 84 vjeç dhe arrij të dëgjojë zhurmën që bën kur merr frymë me vështirësi.

Në fakt, kuptoj për të disajtën herë që bëhet fjalë për drejtësinë. Për t’i dhënë Tefik Sfirit një pjesë të vogël të drejtësisë që meritonte dhe nuk e mori para se jeta e tij t’i merrej brutalisht. Gjithashtu, drejtësi për familjen e tij në formën e një ngushëllimi sadopak. Deri më tani, ata nuk kanë mundur të gjejnë ngushëllim pasi iu është mohuar ndihma apo leja për të gjetur trupin e tij.

Vetëm duke rrokur këto detaje  mund të kuptohet përse, pavarësisht moshës, kujtesës dhe problemeve të frymëmarrjes, Sazan Velaj Sfiri është i vendosur të na tregojë për jetën e babait të tij dhe pse ajo përfundoi papritur.

Sazani fillon të na tregojë për familjen, e cila ishte e vendosur në Sfiraj, në jug të Mallakastrës. Sfirajt ishin një familje shumë e shquar në atë zonë; ata kishin qenë zyrtarë lokalë dhe oficerë karriere në administratat e perandorisë turke. Por, Sfirajt ishin në thelb një familje me rrënjë të thella në komunitet, që gëzonin mbështetjen e njerëzve përrreth dhe kujdesësin për mirëqënien e tyre.

Prandaj, kur reformat e Tanzimatit iu imponuan Shqipërisë, ata u bashkuan me bashkatdhetarët e tyre në rebelim. I tillë ishte rasti i gjyshit të Tefikut, Shuaif Sfiri, i cili përfundoi i internuar në një kamp në Selanik për rolin e tij në kryengritje.

E njëjta gjë ndodhi edhe me babanë e Tefikut, Sabriun, i cili u bashkua me një grup prej 8500 personash që protestuan  për marrëveshjen e Esat Pashës me vendet fqinje për ndarjen e Shqipërisë mes vendeve fqinje.

Babai i Tefikut hapi shkollën e parë në Sfir, pas një eksperience si mësues matematike për familje të ngritura në Vlorë. Ai donte që djali i tij të kishte arsimin më të mirë të mundshëm dhe kështu e transferoi atë me studime në Berat dhe, përfundimisht, në Shkollën prestigjioze Harry Fultz në Tiranë.

Tefiku zhvilloi një dashuri për poezinë dhe leximin qysh në moshën 15 vjeç edhe i pëlqente të lexonte poetë shqiptarë të rilindjes, që i cilësonte si “Iluministët e Shqipërisë”. Ai gjithashtu gjeti një shok për jetë në figurën Ilsan Qereshnikut​​nga Berati. Raporti mes tyre do të shndërrohej si përfundim në lidhje të vërtetë familjare pasi Tefik do të takohej dhe martohej me një nga motrat e Ilsan, Zyranë. Ata patën bashkë pesë fëmijë, mes të cilëve edhe rrëfyesin tonë, Sazanin.

Siç pritej nga anëtarët e familjes së tij, Tefiku ishte vazhdimisht i angazhuar në çështje me interes publik e kombëtar. Në fillim të viteve ‘30, kishte pakënaqësi të përgjithshme me monarkinë e Mbretit Zog. Ai ishte një prej kritikëve dhe dokumentet zyrtare dyshojnë se ai ishte një prej organizatorëve të kryengritjes së Fierit në 1935.

Ai u etiketua më pas si “komunist”, siç ndodhi me shumicën e organizatorëve të tjerë, kur ai ishte, në fakt, thejsht kundër monarkisë. Më vonë, në vitin 1937 tefiku  u burgos sepse deklaroi publikisht se Mbreti ishte një tradhtar sepse kishte shitur Shen Naumin për të ardhur në pushtet. Dokumentet zyrtare të mbledhura nga Aurora tregojnë se ai qëndroi në burg për mbi dy muaj, por u lirua për shkak të mungesës së provave.

Sazani na tregon se jo shumë kohë pasi Italia pushtoi Shqipërinë në 1939, Tefiku shkoi në Skrapar dhe u bashkua me çetën e Mestan Ujanikut, e quajtur përfundimisht Ceta Plakë. Një vit më vonë, ai formoi çetën e tij në Mallakastër, me propozim dhe së bashku me Mehmet Shehun.

Tefik Sfiri u zgjodh komandant i njësisë, me bekimin e Shehut, i cili do të bëhej komisar politik. Lëvizja ishte llogaritur për të fituar mbështetjen e njerëzve të krahinës.

Por Shehu kishte ambicie më të mëdha, dhe kur iu dha një mundësia, nuk u mendua dy herë për të braktisur miqtë e tij të vjetër për t’u bashkuar me Dusan Mugoshën duke krijuar një çetë të tyre partizane.

Tefiku, si komandant, e kuptonte rëndësinë e bashkimit në luftën kundër pushtiuesit dhe shkoi në Klos për të rregulluar marrëdhëniet e tensionuara mes dy grupeve: nacionalistëve dhe komunistëve. Por Shehu nuk pranoi asnjë nga propozimet e të parëve dhe situata doli shpejt jashtë kontrollit, aq sa palët e kërcënuan njëra -tjetrën me armë. Mugosha ishte i pranishëm gjithashtu, gjë që la mbresa tek pjesëmarrësit.

Shpejt u bë e qartë për Tefikun se jugosllavët dhe komunistët synonin të merrnin pushtetin pas luftës. Ata mendonin të luftonin si armiqtë e jashtëm, edhe njerëzit që mund t’i pengonin në rrugën drejt pushtetit dhe vendosjes së regjimit komunist.

Tefiku u distancua dhe formoi një çetë më vete, e përbërë nga 52 personalitete nacionaliste vendase (balliste).

Ata zhvilluan shumë beteja: në Ruzhdije, e cila zgjati tre ditë dhe Kurje, e cila e la me pesë plagë dhe një shtëpi të djegur, si dhe betejat e Cakranit dhe Ngreçanit. Familjes së tij iu desh të transferohej në Fier për shkak se iu rrezikohej jeta.

Beteja e Sinjës do të ishte edhe beteja e fundit që Tefik Sfiri luftoi përkrah Mehmet Shehut, secili me çetën e vet. Sfiri udhëhiqte 200 njerëz në atë betejë, Shehu 100.

Por lufta kundër armikut të përbashkët nuk qe arsye që komunistët e sapo fuqizuar ta kursenin Sfirin. Në fakt, nuk mjaftuan as lidhjet familjare, të cilat sipas traditës i detyrojnë shqiptarët të ofrojnë mbrojtje dhe strehim edhe për të afërmit më të largët. Shehu ishte fejuar me mbesën e Zyrasë, Fiqreten dhe ishte, tashmë, në lidhje gjaku.

Sazani ndalet për të marrë frymë herë pas here dhe për të sistemuar në kokë ngjarjet. Shumë ngjarje i shpëtojnë, por ai kujton një ditë kur babai i tij ishte në arrati. Shehu vizitoi familjen dhe mori atë dhe motrën e tij të vogël në gjunjë, duke i pyetur nëse ishin me komunistët apo ballistë. Fëmijët morën anën e babait.

Por kjo nuk ishte një vizitë mirësjelljeje dhe Shehu nuk po zhvillonte një bisedë gazmore me fëmijët. Ai pyeti hapur nëse e dinin se ku ndodhej babai i tyre. Fëmijët u përgjigjën se Tefiku ishte fshehur në pyll.

Komunistët kishin lëshuar një urdhër të përgjithshëm për të kapur të gjithë figurat kryesore të Frontit Kombëtar, shumë prej të cilëve po përgatiteshin të largoheshin nga vendi. Por Tefiku refuzoi dhe u fsheh në pyjet e Mallakastrës.

Regjimi dërgoi brigadën XVII pas tij, dhe pas gjashtë muajsh, ata vranë një mik të Sfirit teksa e merrnin në pyetje për vendndodhjen e tij. Kjo e shtyu Tefikun të dorëzohej dhe ai u gjykua dhe u ekzekutua më 27 korrik 1945.

Komunistët jo vetëm që e morën Tefikun nga familja e tij, por ata morën pothuajse gjithçka që zotëronin gjithashtu.

“Na lanë vetëm pesë lugë, pesë pirunë dhe pesë dyshekë; gjithçka tjetër u mor,” rrëfen Sazani. Pothuajse çdo libër në bibliotekën e gjerë të Tefikut u mor, përveç një enciklopedie franceze. Paratë e përftuar nga shitja e saj në tregun e zi ushqeu familjen për gjashtë muaj.

Në vitin 1951, djali i Tefikut u arrestua për atentatin e bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Fillimisht ai u dënua me dy vjet burg, por më pas vazhduan ta dënojnë pambarimisht. E gjithë jeta e tij kaloi pas hekurave, nga mosha 16 vjeç deri në rënien e regjimit në 1990.

Kur flet për vuajtjet në kampet e internimit, fillimisht në Berat dhe më pas në Saver, Sazani gati mbushet me lot. Nuk ka më nevojë për ndihmë nga vajza e tij për të kujtuar ngjarjet;  mban mend shumë qartë.

“Për gjashtë muaj, gjithçka që mund të hanim ishte një biskotë në ditë sepse nuk kishim triskën; nuk na e dhanë. Njeriu është i fortë që t’i mbijetojë një vuajtje të tillë,” thotë ai me një zë të trishtuar, gati solemn. [Triska e frontit ishte një dokument që vërtetonte se ishit pjesë e Frontit Demokratik, organizata kryesore pasi komunistët morën pushtetin. Ajo u jepte të drejtë për të kërkuar kuponë ushqimi, veshje dhe pasaportën. Ata që konsideroheshin armiq nga Partia Komuniste nuk mund të përftonin triskë.]

Sazanit iu desh të punonte fortë në frontin e prodhimit të patates për t’u vënë re nga të fuqishmit. Kur Ministri i Bujqësisë, Hysni Kapo, vizitoi Bizën së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Beqir Ballukun, dhe e pyetën se çfarë donte për punën e palodhur, ai kërkoi të drejtë studimi. Iu dha kjo e drejtë, por kur Balluku u rrëzua, ajo iu hoq po aq shpejt. Sazani kundërshtoi, duke shpjeguar se ishte Kapo ai që i kishte dhënë të drejtën e studimit, por sekretari i institucionit i tha se ai duhet të ishte në burg për krimet e babait të tij, jo të kërkonte të drejtë studimi.

Mendova me vete, “O Bab, pse më bëre?” pranon Sazani.

Megjithatë, ai ngulmoi, duke u regjistruar fshehurazi në shkollë, që e përfundoi në vetëm 18 muaj.

Një dorë për këtë ia dha fakti se regjimi ia kishte ndryshuar mbiemrin familjes nga Sfiri në Velaj. Komunistët donin që trashëgimia e armiqve të tyre të vdiste, dhe ishte praktikë e zakonshme të ndryshohej mbiemri i familjeve që ata lanë pas.

Eshtrat e Tefik Sfirit nuk u gjetën kurrë. janë gjithçka që do të donte familja e tij, thotë Sazani.

Ai u dekorua në 1995 për kontributin e tij patriotik, por ajo ishte drejtësia e vetme që do merrte ndonjëherë. Tefiku shkruajti nga një letër të veçantë për të gjithë fëmijët e tij. Në të tijën, ai këshillon Sazanin që të mos përzihet kurrë në politikë, sepse do t’i hajë kokën.

Duke menduar ende për letrën, Sazan thotë fjalët e fundit mbi mizorinë dhe realitetin e Shqipërisë komuniste.

“Një njeri, i përjashtuar nga shoqëria. Triska… ishte e rrezikshme. Lufta e klasave ishte edhe më e rrezikshme. E gjithë Shqipëria ishte një kamp internimi! ”

 

Në kujtimin e dashur të Tefik Sfirit dhe me mirënjohje ndaj familjes Sfiri/Velaj.

Ky projekt u financua nga Konrad-Adenauer-Stiftung.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>