Thethi, bukuri mahnitëse edhe jashtë sezonit

Nga Robin Suerig Holleran
Thethi, bukuri mahnitëse edhe jashtë sezonit

Turmat me turistë janë larguar, pjesa më e madhe e bujtinave janë të mbyllura dhe moti është i paparashikueshëm. Por nëse jeni pak më shumë mendjehapur, Thethi nuk do t’ju zhgënjejë.

Pa u menduar shumë, ne u nisëm për në Theth një pasdite dhjetori pa rezervim ose ide të qartë se çfarë do të bënim sapo të shkonim atje. Ky ishte udhëtimi im i katërt në fshatin alpin, i cili për mendimin tim është vendi më i bukur në të gjithë Shqipërinë.

Tri herët e fundit u nisa me një furgon nga Shkodra dhe rruga ishte e tmerrshme. E gjerë vetëm për një veturë dhe e mbushur me kthesa buzë greminave që me siguri askush nuk do të mbijetonte nëse shoferi bënte gabimin më të vogël. Më shumë se një herë, e mbaja frymën kur i afroheshim dikujt që vinte në drejtimin tjetër, sikur kjo do ta bënte furgonin më të hollë dhe do kalonim të sigurt.

Këtë herë, megjithatë, udhëtimi ishte shumë më ndryshe. Rruga ishte përmirësuar dhe ne e përshkuam atë me një Mercedes 30-vjeçar edhe pse një pjesë e madhe e saj ishte akoma e pashtruar. Rrugës ra nata sepse ne u nisëm vonë. Në gjysmë të saj, trembëm një shqiponjë të madhe që po pushonte. Përplasja e krahëve ndërsa ngrihej krijonte imazhin e një fantazme të errët që mbushte rrugën përpara nesh.

Duke përdorur smartphone-in tim, bëra një rezervim në internet. Disa minuta më vonë, një burrë telefonoi për të më thënë se ata e kishin mbyllur hotelin prej një urgjence familjare…por ai do të telefononte përreth dhe do të gjente një vend për me të njëjtin çmim. Këto gjëra më bëjnë ta dua Shqipërinë.

Besnik i fjalës së tij, ai na lidhi me Bujtina Polia. Përveç nesh ishte vetëm një person tjetër në shtëpizën malore. Kjo bënte që të ndihej më shumë sikur po qëndronim në shtëpinë e dikujt sesa kishim bërë një rezervim. U ngrohëm pranë sobës me dru ndërsa pronari mbushi tavolinën plot me mish derri të freskët, patate, salcë kosi, sallatë dhe pjata të tjera vendase.

Në mëngjes, malet përreth nesh ishin të mbushura me dëborë dhe retë e ulëta të jepnin një ndjesi gati mistike. Nëse nuk keni qenë kurrë në Theth, fshati gjendet në një luginë të vogël të gdhendur nga përroi që kalon përmes qendrës që ju bën të ndiheni sikur jeni në fund të një ene të thellë të rrethuar nga malet shkëmbore paksa frikësuese.

Kjo pamje është e mrekullueshme.

Theth off season rotated

Pronarët na thanë se ishim me fat sepse në dhjetor të vitit të kaluar, rruga ishte e mbuluar me pesë metra dëborë dhe ishte e pakalueshme. Kur dëbora e mbulon vendin dhe është e pamundur që vendasit të mbajnë biznesin e tyre të hapur, ata hipin në automjetet e tyre dhe ikin në Shkodër në një rrugë të dytë që shumica e njerëzve nuk e dinë.

(Shënim për veten dhe këdo tjetër që do bëjë një vizitë jashtë sezonit në Theth: kontrolloni motin përpara se të bëni një udhëtim spontan në Theth në mënyrë që të mos ngecni në Alpet Shqiptare nga bora e papritur.)

Pavarësisht nga mungesa e turistëve, ju përsëri mund të ngjiteni në ujëvarë ose të shkoni te Syri i Kaltër. Një djalë i ri ofroi të ishte udhërrëfyesi ynë për ngjitjen në një prej majave të afërta, por ne vendosëm të vizitonim Kullën e Ngujimit pranë shtëpisë ku bujtëm, në rast se moti bëhej keq dhe na duhej të ktheheshim shpejt në Shkodër. Njeriu që na hapi derën na bëri një vizitë në brendësi të kullës dhe ne u gëzuam kur takuam qenushin e tij të bardhë që quhej “Covid”.

Theth off season x

Shtegu Theth-Valbona para dyndjes së turistëve

Nuk është e këshillueshme apo edhe e mundur të ecni në shtegun e njohur që lidh fshatrat piktoreske të Thethit dhe Valbonës gjatë dimrit për shkak të dëborës që mbulon zonën në këtë kohë.

Sidoqoftë, shtegu hapet në maj (nëse e lejon moti) dhe nuk ka aq shumë alpinistë në të deri në sezonin turistik të verës.

Për këtë shëtitje, qëndruam në një bujtinë të mrekullueshme të quajtur Gjin Thana që ishte afër shtegut. Pritësit bëjnë vetë mjaltin, gjalpin, djathin dhe bukën dhe vaktet që ishin të thjeshta, por aq të freskëta dhe shkrinin në gojë.

Shtegu nuk është i pjerrët në pjesën më të madhe, por është pak i ndërlikuar në disa vende (veçanërisht nëse ka dëborë ose akull), dhe mund të kaloni një ose dy mushka. Në varësi të gjendjes tuaj fizike dhe nivelit të energjisë, shumica e udhëtarëve u duhen pesë deri në gjashtë orë për të arritur nga një skaj në tjetrin, kështu që sigurohuni që të keni ujë mjaftueshëm për të qëndruar të hidratuar. Nëse shkoni jashtë sezonit, është më mirë të vishni disa rroba në mënyrë që t’i hiqni ose vishni teksa ecni. Është e lehtë të nxehesh sepse dielli mund të jetë mjaft i fortë, por nëse mbulohet nga re temperatura bie shpejt.

Theth off season x

Pas ngjitjes, ia vlen të qëndroni në Valbonë para se të drejtoheni për në shtëpi. Valbona është krejt ndryshe nga Thethi, por edhe mbresëlënëse.

Për t’u kthyer në Shkodër ose Theth, nëse koha mjafton, merrni tragetin e Liqenit të Komanit që punon nga Prilli deri në Tetor – ose mund të caktoni transportin tjetër përmes bujtinës tuaj ose me kabinën e turizmit në Shkodër.

Liqeni i Komanit u krijua me ndërtimin e një dige, dhe trageti nuk i shërben vetëm turistëve. Në udhëtimin tonë, ne u ndalëm disa herë për të marrë udhëtarët që qëndronin në brigjet e liqenit. Trageti është mënyra kryesore e transportit për familjet që jetojnë në shtëpi dhe fshatra të futura në këto male.

Udhëtimi me traget 2,5 orësh kalon përmes një peizazhi spektakolar dhe garantohet të jetë një nga momentet më të paharrueshme të udhëtimit tuaj.

Theth off season x
Theth off season x

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>