Tiranë, dekoret gozhdohen në trupat e pemëve, duke rrezikuar mjedisin dhe sigurinë e qytetarëve

Nga Entela Ndrevataj
Tiranë, dekoret gozhdohen në trupat e pemëve, duke rrezikuar mjedisin dhe sigurinë e qytetarëve

Veç pamjes të këndshme që krijojnë, dekoret e vendosura për festat e fundvitit në Tiranë mund të përbëjnë edhe rrezik mjedisor. Citizens Channel kreu një vëzhgim në rrugën Ismail Qemali, në qendër të Tiranës pranë Kryeministrisë, ku vargjet e dritave janë gozhduar përmes mbajtëseve metalike në trupat e pemëve.

Në secilën nga 34 pemët dhjetëra vjeçare të kësaj rruge, janë vendosur dy mbajtëse metalike që mbahen me së paku tre vida secila.

Abdulla Diku, specialist pyjesh, tregon për Citizens Channel se këto mjete i dëmtojnë shumë pemët, duke rrezikuar t’i thajnë apo thyejnë ato.

Sa me afër njëra-tjetrës të jenë këto pjesë metalike, aq më i madh është ndikimi negativ në pemë. Nëse këto kombinohen së bashku (sasia dhe përqendrimi i pjesëve metalike) mund të shkaktojnë dëmtime serioze tek druri/pema, duke çuar deri në tharjen dhe më tej thyerjen e saj. Gjithashtu theksojmë se ngulja e metaleve në pjesët e holla (pjesët e sipërme të pemës) mund të shkaktojë dëmtime duke e tharë atë pjesë deri në thyerjen e saj“, sqaron Diku, duke shtuar se edhe kabllot dhe telat që varen mund të shkaktojnë plagë në pemë.

Sipas ekspertit Abdulla Diku, dëmtimi i vazhdueshëm mund të jetë edhe më i rrezikshëm për pemët. Pemët e dëmtuara më herët përkeqësohen edhe më tej nga ngulja e sendeve metalike në trung:

“Materialet metalike që ngulen, mund të gërryhen me kalimin e kohës dhe pjesët e gërryera mund të mbeten në pemë, duke e toksifikuar atë. Veçanërisht metalet prej bakri janë shumë toksike për pemën dhe shkaktojnë tharjen e saj.”

Ky problem është denoncuar në media që prej vitit 2015, por ende asnjë masë nuk është marrë për të ndryshuar llojin e dekorit. Çdo fund viti, që prej katër vitesh mbi 200 vida ngulen në trupat e pemëve të rrugës Ismail Qemali, për t’i bërë ato të duken festive në Viti ne Ri.

Këto sende gjithashtu ia bëjnë më të lehtë dëmtuesve apo kërpudhave që ta përkeqësojnë edhe më tej pemën, çka mund të përshpejtojë tharjen e saj.

Nëse pema/druri është i sëmure, apo ka dëmtues në të, ngulja e vidave dhe gozhdëve e përkeqëson akoma më shumë gjendjen e saj, pasi pema përveç mbrojtjes që do bëjë ndaj tyre, do t’i duhet edhe më shumë kohë dhe energji për t’u shëruar edhe nga metalet e ngulura në të“, sqaron më tej Diku.

Eksperti pyjor Abdulla Diku thekson se dëmtimi i pemëve nuk ka vetëm efekte në mjedis, por mund të kthehet edhe në rrezik për sigurinë e kalimtarëve: “Dëmtime të tilla e bëjnë pemën më të prekshme edhe prej erërave, duke e thyer atë dhe duke shkaktuar dëmtime të mundshme në njerëz dhe ne pajisje” përfundon ai.


Publikuar më parë tek Citizens Channel.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>