Tiranë, polici plagos Orges Bilbilin, në kërkim ndërkombëtar prej 3 vitesh

Nga Exit News
Tiranë, polici plagos Orges Bilbilin, në kërkim ndërkombëtar prej 3 vitesh

Një polic ka plagosur me armë Orges Bilbilin, në kërkim ndërkombëtar, dhe një kalimtare, mesditën e 10 prillit në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit Rebani Jaupi, policia ka qëlluar për të ndaluar Bilbilin, i akuzuar për disa vrasje, por për fat të keq ka mbetur e plagosur dhe një kalimtare.

Të dy të plagosurit janë në spitalin ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Të dy janë plagosur në këmbë.

Zoti Jaupi shpjegoi si më poshtë kronologjinë e ngjarjes:

– Polici i “Shqiponjave” ka ndaluar Bilbilin, i cili kishte kapuç në kokë dhe me një çantë, në rrugë për t’i kërkuar lejen e lëvizjes dhe se çfarë mbante në çantë.

– Bilbili nuk ka pranuar t’i tregojë identitetin policit dhe është larguar me vrap në rrugën pas policit.

– Polici e ka ndjekur dhe i ka bërë thirrje atij të ndalojë.

– Bilbili ka ndaluar dhe i ka drejtuar armën policit.

– Polici ka paralajmëruar se do ta qëllojë, nëse ai nuk ul armën dhe dorëzohet. Më pas polici ka shtënë në ajër për paralajmërim.

– Bilbili sërish nuk ka ulur armën.

– Pas kësaj, policia ka qëlluar në këmbë atë duke e plagosur.

– Nga qitja e pistoletës ka marrë një plumb në këmbë një vajzë që kalonte rastësisht aty.

Kush është Orges Bilbili?

Orges Bilbili akuzohet si autor i disa vrasjeve në Lushnje, së bashku me Laert Haxhiun.

Në tetor 2019, bashkë Haxhiun, Bilbili vrau Besmir Hidën 40 vjeç, në qendër të Lushnjes teksa ishte duke pirë kafen në katin e dytë të një lokali.

Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili në shtator 2017.

Bilbili akuzohet edhe si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit, ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali, në maj 2015.

Ai është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike dhe prej 3 vitesh ishte në kërkim ndërkombëtar.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>