Tirania që vjen nga pandemia

Nga Vehap Kola
Tirania që vjen nga pandemia

Pandemia globale e COVID19 u përhap në saje të simptomave të saj të heshtura dhe të keqmenaxhimit nga sistemet shëndetësore kombëtare. Kundër përhapjes së pandemisë duket se janë prodhur dy modele: ai kinez i izolimit drakonian të një rajoni të stërmadh me mbi 60 milionë banorë dhe modeli koreanojugor, që përqendrohet më tepër te parandalimi i përhapjes përmes kontrollit mjekësor të popullatës.

Kina ishte në gjendje të ndalte me dorë të hekurt çdo aktivitet njerëzor jashtë mureve të shtëpisë, përmes regjimit diktatorial. Duket se masat që mori Kina po japin rezultat në përmbajtjen e përhapjes së mëtejshme të virusit, por raporti i vdekshmërisë mbetet i lartë. Vdekshmëria në mesin e të infektuarve me COVID19 është mbi 3 (tre) përqind.

Modeli koreanojugor ishte i ndryshëm nga ai kinez. Ndërsa virusi nuk ishte përhapur ende masivisht në Itali, Korea e Jugut kishte përhapjen më të lartë të epidemisë jashtë Kinës. Korea e Jugut nuk i anuloi plotësisht udhëtimet dhe fluturimet me Kinën dhe as nuk kufizoi lëvizjet brenda vendit. Përkundrazi, duke u mbështetur në përvojën e akumuluar gjatë epidemisë MERS të vitit 2015, ajo testoi qindramijëra njerëz në kufij, klinika dhe në stacione të lëvizshme.

Rezultatet duken sheshit: Korea ka vetëm disa mijëra të infektuar, ku shumica janë përqendruar në qytetin Daegu, 150 km në jug të Seulit, dhe vetëm 103 të infektuar në Seulin me mbi 10 milionë banorë.

Rezultati më i shkëlqyer i kësaj metode të menaxhimit është vdekshmëria e ulët, nën mesataren globale. Më pak se 1 (një) përqind e të infektuarve me COVID19 kanë humbur jetën në Korenë e Jugut. Më datë 4 mars, vendi njoftoi një rënie prej tri ditësh rresht në numrin e rasteve të reja.

Modeli i adoptuar nga Italia dhe vendet perëndimore është modeli kinez, që është krejtësisht i papërshtatshëm për stilin perëndimor të jetesës. Jo vetëm që ky model nuk po funksionon aq mirë sa tjetri, por vendet po humbin kohë të çmuar për të marrë masat e duhura dhe për të ndalur avancimin e sëmundjes. Vdekshmëria në Itali është më e larta e regjistruar, 7 (shtatë) përqind.

Në analizën e tij, Kryeministri Rama duket se ka përllogaritur përfitime më të mëdha për pushtetin e tij personal nëse ndjek skenarin kinez. Keqkuptimi i madh që media dhe kritikët e Ramës kanë për mënyrën sesi ai po e menaxhon epideminë është se ata besojnë se Rama është kapur i papërgatitur dhe po dështon në përmbajtjen e shpërthimit të një pandemie.

Në mesazhet e tij publike ai tregon se është i vetëdijshëm se mbi 80 përqind e të infektuarve nuk kanë shenja të forta dhe nuk kanë nevojë për trajtim spitalor. Gjithashtu, këto mesazhe e thonë qartë se ai e di tashmë se virusi është përhapur dhe ka infektuar një numër më të madh njerëzish nga sa janë statistikat e të testuarve në ISHP.

Që skenari i tij të realizohej, Rama qëllimisht nxori zyrtarë të dorës së dytë të zbusnin presionin publik për marrjen e masave. Qeveria nuk mori masa dhe, rrjedhimisht, virusi hyri në Shqipëri. Deklaratat e zyrtarëve dhe oficerëve të propagandës së regjimit qetësonin shqiptarët se bëhej fjalë për një grip të lehtë me vdekshmëri më të ulët se gripi stinor.

Tashmë që virusi është përhapur në një shkallë që askush nuk e identifikon dot, Rama ka krijuar alibinë që i duhej për të zbatuar modelin kinez: paralizim i të gjithë aktivitetit njerëzor dhe kufizim i lirive bazë, përfshirë lirinë e fjalës.

Në një mesazh të shpërndarë përmes kompanisë celulare Vodafon, Rama paralajmëronte njerëzit që të mos ndiqnin mediat. Ky është një ogur i keq, që parathotë masa drakoniane në kufizimin e lirisë së informimit dhe shprehjes. Askush nuk pret që skandalet apo keqmenaxhimi i pandemisë të bëhen publike nga qeveria. Përkundrazi, janë media dhe opozita ato që e bëjnë këtë.

Me rritjen graduale të numrit të të infektuarve që njofton qeveria, Rama duket se është kthyer të vjelë frytet e skenarit të vet.

Nëse çdo model i menaxhimit të pandemisë në botë synon të zbusë pjerrësinë e kurbës së përhapjes së virusit, regjimi propagandistik i Ramës duket se synon të zbusë kurbën e deklarimeve të rasteve të reja, jo përhapjen reale të sëmundjes. Duke publikuar në mënyrë të kontrolluar rastet e reja me COVID19 dhe duke u mohuar analizat shumë të tjerëve, Rama arrin të kontrollojë proporcionalisht reagimin publik dhe të legjitimojë ashpërsimin gradual të masave për kufizimin e aktivitetit njerëzor.

Shqipëria funksionoi për disa javë si han pa porta për udhëtarët nga Kina dhe Italia dhe aktiviteti ekonomik e shoqëror u zhvillua në intensitetin e zakonshëm.

Çdo përpjekje për të zbatuar modelin koreanojugor tani është e paimagjinueshme. Zbatimi i atij modeli në këto kushte do të kërkonte testimin shtëpi më shtëpi të të gjithë popullsisë, duke nisur nga zonat që dihet se janë prekur nga virusi. Popullsia e paprekur mund të pajisej me certifikatë shëndeti, që do i jepte lirinë e qarkullimit. Familjet e infektuara mund të menaxhoheshin duke përfshirë edhe ushtrinë, siç tashmë qeveria e ka përfshirë në punë më pak të nevojshme.

Duke zgjedhur të mos e zbatojë skenarin koreanojugor, Shqipëria ka humbur dy rezultate të këtij modeli: vdekshmërinë shumë të ulët dhe moscenimin e lirive e vijimin normal të aktivitetit ekonomik.

Tashmë shqiptarët duhet të përgatiten për një përballje më të vështirë me pandeminë. Me sistemin tonë shëndetësor të falimentuar, është e vështirë të parashikosh sesi do ta përballojmë këtë sfidë.

Me shpërdorimin e qëllimshëm të mundësisë për zbatimin e modelit koreanojugor, Edi Rama ka shtruar kushtet ideale për të bërë atë që siç duket ka planifikuar: një paralizim të pashoq të vendit dhe shndërrimin e Shqipërisë në një laborator ku lëvizjet dhe veprimtaria komandohet nga qendra. Me mësimet e nxjerra nga pas tërmetit të 26 nëntorit, regjimi do të jetë shumë më i zhdërvjellët në censurimin e medias dhe informimit. Si rrjedhojë, të gjitha liritë do të jenë të abuzueshme dhe të pambrojtshme.

Opozita, shoqëria civile dhe media duhet të jenë shumë të vëmendshme dhe aktive për t’i rezistuar cilësdo etapë të bllokimit të kanaleve të veprimtarisë njerëzore, të cilat regjimi i Ramës do t’i justifikojë me qëllime në dukje të mira. Sepse, në fjalët e njërit ndër etërve themelues të Amerikës, Xhon Adams, “liria që humbasim një herë është liri e humbur përgjithmonë”.

 

 

6 komente

  1. Petrit 16 Mars, 2020 në 3:27 am

    Analiza qe ben eshte e mire dhe e detajuar por me shume duket si politike .
    Eshte me shume sepse:

    _Koreja e jugut e kontrollon ne are menyre sepse ka pasur diçka te ngjashme para 5 Vjetesh dhe eshte e pergatitur plus fuqia ekonomike.
    _Italia, fuqi boterore dhe sistem shume I perparuar shendetesor, nuk ariti t’a kontrollonte. Kjo per natyren dhe formen e shperndarjes se virusit si dhe per levizjet dhe stilin e jeteses.(aziatiket pershendeten duke u keput ne mes prej 5 Metra larg e Italianet(edhe Shqiptaret) perqafohen e puthen 10 here.
    _ Ajo ç’far ka ndodhur ne Itali do te vazhdoje ne nje fare menyre ne te gjithe Europen per vete faktin e levizjeve te pakufizyara.
    _Amerika I mbylli kufijte kur filloi te dale tymi
    _Ne Kanada akoma nuk kane bllokuar gje aq sa ne aeroprt oficeret e kontrollit Jane pa maska e doreza(sipas nje shkrimi ne Google)
    Nuk hyn ne pune politika,e sidomos ne kete situate,por eshte e mira qe njerezit te punojne se bashku per te kaluar sa me lehte kete situate.
    Nuk besoj se ka nevoje te them se aq eshte fuqia e Shqiperise ne shendetesi,qe dikush do te bej me shume eshte njelloj si te beje gjeli veze.
    Eshte nje e keqe per per t’u kaluar.
    Zoti na ndihmifte te gjitheve per t’a perballuar sa me lehte

  2. Vehap Kola 16 Mars, 2020 në 10:50 am

    Petrit, sigurisht qe analiza qe bej eshte politike dhe nuk ka asgje te paligjshme ne te berit analiza politike apo politike ne keto kohe. Nuk kemi ne fuqi ndonje Marshall Law dhe perdorimi i moralizimit si menyre per te heshtur komentet politike eshte ne vetvete politike dhe mbi te gjitha eshte propagande.

    Si qytetar shqitpar jam i shqetesuar per kufizimin e lirive njerezore nga nje regjim qe ka rekorde shume shqetesuese ne marredhenien me te drejtat dhe lirite njerezore, vecanerisht lirine e shprehjes dhe median e lire. Nese ju nuk jeni i shqetesuar per kete dhe keni besim te plote ne vullnetin e mire te qeverise Rama per t’ia rikthyer lirite qytetareve pasi te kete kaluar pandemia, kjo eshte zgjedhje politike nga ana juaj dhe bast i juaji.

    Une jam i sigurt se, edhe pasi te kete kaluar emergjenca shendetesore, Rama nuk do t’ua ktheje shqiptareve lirite e koleksionuara. Edhe nese ua kthen formalisht, ai do te ruaje ekskluzivisht per vete tagrin e fituar me jo pak mund politik per t’ua kthyer/marre keto te drejta kurdo qe ai ta shohe te volitshme per interesin e tij politik. Historia e tij si politikan gjate 20 viteve te fundit dhe historia e totalitarizmave te 2 shekujve te fundit eshte aty per ta njohur dhe per te nxjerre mesime.

    Ju thoni se duhet te punojme se bashku, me siguri duke nenkuptuar edhe palet politike dhe median. Ndoshta ketu keni parasysh shnderrimin e mediave prane qeverise ne altoparlante te propagandes qeveritare dhe braktisjen edhe formale prej tyre te misionit te gazetarise dhe zbardhjes se te vertetes per publikun. Nese te gjithe mediat dhe partite politike do te ndiqnin kete moralizem te unitetit grushtbashkuar rreth Partise, askush nuk do te kuptonte se ne cfare katastrofe punonin mjeket, se si u rrezikohej jeta me pajisje te skaduara dhe mbi te gjitha, edhe vete qeveria nuk do te vihej ne siklet per te bere disa testime me shume apo per te pranuar disa telefonata me shume nga te infektuarit.

    Per kapacitetet e Shqiperise per te menaxhuar nje emergjence shendetesore tregohesh shume i padrejte kur nuk thua se keto kapacitete nuk jane te dhena, por te krijuara nga korrupsioni dhe shperndorimi galopant i buxhetit per shendetesine. Pse nuk thua se Ministria e Shendetesise eshte shnderruar ne zyre per hartimin e kontratave PPP per t’i alokuar fonde te medha skemave te falimentuara te menaxhimit te shendetesise? Shqiperia kaq kapacitete ka sepse parate e taksave u falen oligarkeve te cilet i ndajne me qeveritaret ne prapaskene.

    Prandaj, ti qe ke luksin te mos besh politike sepse i ke vene gjerat per vije dhe nuk te rrezikohet jeta jote dhe e te afermve te tu nga menaxhimi vetem propagandistik i emergjences. Te uroj te mos prekesh nga semundja dhe te mos sprovohesh me rrugen propagandistike te trajtimit te COVID19 nga kjo qeveri!

  3. Bledi 16 Mars, 2020 në 11:56 am

    Analiza eshte e drejte por nuk merr parasysh nje fakt: koston.
    Koreja e jugut ka nje tjeter fuqi ekonomike. Per vendet e varfera si Shqiperia testimi ne mase i popullates do te thote harxhim i te gjitha parave ne dispozicion te mjekesise pasi ka kosto te larte. Kjo do e linte mjekesine pa burime te nevojshme per trajtimin e te semureve qofte nga Covid por edhe me patologji te tjera (mos harrojme se ka edhe semundje te tjera qe bejne ndoshta edhe me shume dem se Covid). Plus qe testimi nuk eshte 100% i sakte, nje njeri qe ka dale negativ sot dhe ti e le te shetise mund te dale pozitiv pas nje jave dhe nderkohe ka infektuar plot te tjere. Prandaj per vendet e varfra si Shqiperia distancimi social eshte e vetmja alternative e provuar qe jep rezultate.
    Ne alternativat e mundshme eshte edhe modeli anglez qe deri diku po e aplikon edhe gjermania: te lejohet te krijohet “imuniteti i masave” duke ruajtur me te dobetit (mbi 70 vj ne karantine per anglezet). Ky ka favorin e ruajtjes se aktivitetit ekonomiko-social duke u siguruar ketyre vendeve nje favor ekonomik ndaj te tjereve ne te ardhmen, te uljes se mundesise per nje epidemi tjeter dimrin e ardhshem dhe eliminim te kostove te testimeve te shumta. Por ata kane luksin ta bejne kete sepse nuk kane ngarkese ne spitale dhe llogarisin te arrijne ta perballojne fluksin si edhe sepse deri tani kane perqindje te uleta te vdekshmerise.
    Persa i perket veprimeve te tjera te qeverise jam plotesisht dakort: ketu po nderrmeren masa ekstreme dhe kufizime te te drjtave e lirive sikur te ishim ne lufte, nderkohe qe nuk eshte shpallur zyrtarisht gjendja e jashtezakonshme ose e emergjences civile e cila do ti justifikonte ato. E verteta eshte qe kryeministri po e shfrytezon situaten per te vetmen gje qe di te beje, propaganden duke marre gjithnje e me shume pushtet dhe vemendje, por pa bere veprimet e duhura ne terren. Sot qe flasim nuk ka asnje ekonomizim dhe perllogaritje te burimeve njerezore dhe materiale. Mjeket dhe punonjesit tjere shendetsore po punojne pa masat e duhura mbrojtese dhe per pasoje kemi shume prej tyre te prekur (3 te vertetuar po me siguri jane me shume) apo ne karantine (ne Durres, Fier, Berat, Sanatorium dhe persona te shkepur aty ketu). Dhe eshte ende fillimi. Me keto ritme parashikoj qe spitalet dhe personeli shendetsor do dalin jashte loje dhe do kemi mungesa. Racionalizimi i ketyre burimeve eshte imperativ: nxjerrje ne pune vetem e personelit te urgjencave dhe paisja e tyre me masat mbrojtese te duhura, gjithe te tjeret te jene ne gadishmeri dhe te thirren vetem ne raste nevoje. Kufizimi i vendeve ku mund te paraqiten pacientet dhe kontrolli i rrepte ne to (pra vetem ne urgjenca, vetem nje hyrje per cdo godine apo spital dhe kontroll i rrepte i ketyre hyrjeve).
    Diskutimet e tjera politike besoj se duhen lene per faza te mevonshme kur te jete tejkaluar kjo situate

    • Vehap Kola 16 Mars, 2020 në 6:25 pm

      Bledi, se pari koston e nje programi te llojit korean te testimeve mund ta perllogarisim. Koston e rruges qe ka zgjedhur Rama jo. Thjesht mund te perfytyrojme se kosto do te jete dhjeterafish me e larte se cdo program masiv testimi.
      Se dyti, kostoja e testimeve nuk do te kishte qene aspak e larte nese qe ne momentin qe ne Kine u shpall gjendja e epidemise qeveria do te niste kontrollin e rrepte te hyrje-daljeve dhe realizimin e testimeve vetem ne pikat kufitare.
      Se treti, me rrugen qe ka zgjedhur Rama, shume shpejt spitalet nuk do te ofrojne asnje sherbim tjeter perveçse karantinimin dhe trajtimin (nese ka vertet trajtim) te te semureve me simptoma te renda.

  4. Mimi 16 Mars, 2020 në 3:15 pm

    Analizë shumë e drejtë Vehap. Sjpresoj mos të ta mbyllin gojën me ndonjë akt qeveritar.
    Sa për koston do të kishte kushtuar shumë më pak nëse qeveria do të kishte marrë masa me kohë. Të kishte filluar me informim të popullatës (jo me mesazhe zanore ne cel). Të pajiste pikat e hyrjes në vend me personel dhe mjete kontrolli. Të përgatiste një plan veprimi për këtë ditë e jo të na bënte propagandë.
    Mos e ndal penën Vehap.

  5. Genc 21 Mars, 2020 në 5:14 am

    Analiza juaj eshte 100% pallavër politike. Ju keni lene pa permendur qe edhe Korea mori masa tipike te nje sistemi autoritar qe cenonin jeten private te individit: rastet e njerezve te infektuar u beheshin publike fqinjeve dhe kujtdo tjeter qe jetonte dhe punonte 100 m larg tyre. Per kete perdoren nje program gjurmues elektronik. Per me teper, vende shume te fuqishme se Shqiperia, perfshi SHBA dhe Japonia nuk ishin te pergatitura 100% per kete epidemi sic ishin Korea dhe Tajvani. Prandaj i dashur, mjaft me pallavra pa vlere; politikisht mund te jesh kundra qeverise dhe te lejohet, por si qytetar duhet ta lesh qeverine te punoje dhe te marri cfaredo masash qe funksionojne ne nje situate te tille. Dhe ju lutem mos perhap panik duke ja futur kot se “masat Koreane s’mund te merren më” se, sipas jush, ju paska ikur koha. Duke thene keshtu, ju vetem destabilizoni gjendjen dhe turp te keni, se nuk ka asnje arsye qe te mos behet me testimi i popullsise. Rama ka ato qe ka, po masat qe ka marre, sic po e tregon koha dhe vende te tjera qe po veprojne njesoj, jane efikase dhe me vlere. SHBA dhe shume vende te tjera po ndjekin te njejten rruge. Trego nje here ne jeten tende qe je qytetar i ndershem dhe prano te verteten ashtu sic eshte se mire do besh.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme