Pas Astirit, Shkozës dhe Laprakës, edhe banorët e Bregut të Lumit kanë nisur sot protestat dhe kërkojnë nga qeveria dëmshpërblimet për banesat e tyre, të prishura për t’i hapur rrugë projektit të Bulevardit të Ri.
Banorët shprehen se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet, megjithëse projekti ka nisur që në vitin 2012 dhe fondi për shpronësimet është miratuar nga qeveria Berisha që në vitin 2013.
Siç e kemi shpjeguar dhe më parë, projekti i Bulevardit të Ri u nis në vitin 2012. Ish-kryebashkiaku Basha dhe qeveria Berisha pohuan para nisjes së punimeve se banesat që do të prekeshin nga ky projekt do të dëmshpërbleheshin të gjitha, pavarësisht nëse ishin të legalizuara, në proces legalizimi apo të përjashtuar nga legalizimi dhe të paligjshme.
Për këtë, qeveria Berisha miratoi Vendimin 752, date 5 shtator 2013, ku përcaktoi shpronësimin e banesave që do të shembeshin, procedurën dhe vlerën e dëmshpërblimit të tyre.
Duke qenë se ndërtimi i bulevardit dhe zhvillimi i zonës ishte planfikuar në disa faza, edhe shpronësimet u vendosën të kryeheshin në disa faza. Vetëm për fazën e parë të shpronësimeve, që përfshinte banesat në gjurmën e ndërtimit të bulevardit, qeveria miratoi një fond dëmshpërblimi prej afërsisht 14 milionë euro.
Pas ardhjes në pushtet, Kryeministri Rama vendosi në vitin 2014 të ndalonte punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri. Argumenti që Kryeministri përdori për bllokimin ishte se masa e caktuar shpërblimit ishte më e vogël se sa vlera e tregut në atë kohë. Me fjalë të tjera, Kryeministri Rama e bllokoi procesin e shpronësimit me qëllim që të “mbronte” interesat e banorëve që do të shpronësoheshin duke pretenduar se ata duhet të dëmshpërbleheshin më shumë nga sa u kishte caktuar qeveria Berisha.
Punimet për Bulevardin e Ri u zhbllokuan në vitin 2015, kur në bashki erdhi Erion Veliaj. Por tashmë Kryeministri Rama vendosi që të zbatojë vendimin e shpronësimit të vitit 2013 të qeverisë Berisha, me të njejtin fond të miratuar nga Qeveria Berisha, pra 14 milionë euro.
Vetëm se ndërsa qeveria Berisha e kishte planifikuar këtë shumë vetëm për familjet që do të shpronësohen në fazën e parë të punimeve, qeveria Rama vendosi që kjo shumë të përdorej për të gjitha ndërtimet pa shtuar asnjë fond tjetër.
Përveç kësaj manovre, që uli ndjeshëm mundësinë e familjeve për të marrë në kohë dëmshpërblimin dhe vlerën e dëmshpërblimit, qeveria Rama përjashtoi një pjesë të banesave nga dëmshpërblimi. Ndërsa vendimi i qeverisë i vitit 2013, parashikonte dëshpërblimin edhe të banesave të palegalizuara, në vitin 2015, qeveria ndryshoi ligji për legalizimin, për të përjashtuar nga procesi i legalizimit ndërtesat që cënojnë punët me interes publik—Neni 39 i ndryshuar i ligjit sanksionoi përjashtimin nga procesi i legalizimit të të gjitha ndërtesave që pengonin punët publike.
Si rezultat i këtyre vendimeve të qeverisë Rama, shumë familje ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin ndërsa 44 banesa të tjera në gjurmën e Bulevardit u përjashtuan nga legalizimi, dhe presin të shemben nga ditë në ditë pa asnjë dëmshpërblim, për t’i hapur rrugë vazhdimit të zgjatimit të Bulevardit.
Ky qëndrim sikurse kemi shpjeguar në një sërë artikujsh për rastin e Unazës së re, është shkelje e konventave ndërkombëtare, Kushtetutës dhe e Ligjit për Strehimin Social.