Një tjetër rast abuzimi seksual i dyfishtë ndaj një vajze të re është bërë publik mbrëmjen e 5 qershorit.
Bëhet fjalë për një përdhunim të dyfishtë, ndodhur në vitin 2015 ndaj një vajze, e cila kishte shkuar në Policinë e Shkodrës për të denoncuar përdhunimin që i kishin bërë disa persona, punonjës të Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër.
Por në ambientet e komisariatit, vajza është përdhunuar sërish nga një efektiv me inicialet I.D, me detyrë në atë kohë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër.
Sot ky efektiv mban detyrën e shefit të Postës së Policisë të Fushë-Arrëzit. Ai është arrestuar dhe është në pritje në masës së sigurisë nga gjykata.
Vajza e abuzuar ka mundur të tregojë për ngjarjen e rëndë vetëm 5 vite më pas, në prani të një psikologu. Ajo tashmë ndodhet në një qendër sociale ku po merr shërbimet e nevojshme.
Më pas ngjarja është zbuluar nga një hetim i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë Shkodër.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë pas bërjes publike të një tjetër rasti abuzimi ndaj një të miture: Abaz Dogu, 65 vjeç, roje shkolle dhe 3 djem kanë abuzuar seksualisht dhe shantazhuar një 15-vjeçare, nxënese e shkollës në Babrru.
Të gjithë të akuzuarit kanë marrë masën e sigurisë arrest me burg dhe janë në pritje të gjykimit.