Një person u qëllua me armë zjarri pasditen e së martës në Shkodër duke mbetur i plagosur rëndë.
Mediat raportuan se Gëzim Bici u qëllua në urën e Bunës. Ai ka marrë plagë në qafë dhe dorë, ndërsa Report TV përcolli foto të momentit ku po merrte ndihmën mjekësore.
Dyshohet se autori e ka ndjekur për disa metra Bicin, nga çka kuptohet se është kërkuar vrasja e tij.
Prej së premtes, 23 prill, Shqipëria është tronditur nga 12 vrasje, vetëvrasje apo plagosje.
Sot dy të rinj plagosën një moshatar tjetër me thikë në Tiranë. Katër persona u vranë të hënën në rrethinat e Lezhës dhe Durrësit, ndërsa 2 të tjerë u vetëvranë në Elbasan dhe Përrenjas.
Të premten, 23 prill, katër ngjarje të rënda u regjistruan edhe në Korçë, Elbasan e Laç, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra tjetrën, por ndodhën në një kohë kur këtë javë nisi dhe lehtësimi i masave kufizuese.