Gjykata e Kavajës shpalli fajtorë 9 ish-zyrtarë të Hipotekës Kavajë për tjetërsim të pronësisë për 36 hektarë tokë në bregdetin e Spillesë, përmes falsifikimit të dokumenteve.
Ish-zyrtarët, mes tyre dhe ish-kreu i Hipotekës Kavajë, kishin krijuar një skemë ku fillimisht i ndryshonin destinacionin pronave nga “tokë ranishte shtetërore” në “tokë bujqësore”. Më pas ata kalonin pronësinë e tokës në emër të banorëve të zonës dhe, pas kësaj, përmes shit-blerjeve të herëpashershme pronat kaluan në emër të familjarëve të ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi, Kryetarit të PS-së Kavajë Gentian Daja dhe ish-nënprefektit të Tiranës Fatos Kaja.
Ata i kanë kryer këto falsifikime nga viti 2013 deri në vitin 2016, por në dokumentet e falsifikuara shkruhet se shpërndarja e tokës është bërë në vitin 2000 deri në vitin 2003, kohë kur zbatohej ligji 7501.
Gjykata vendosi që 36 hektarët e tokës të cilave iu tjetërsua destinacioni dhe pronësia të rikthehen në pronësi të shtetit.
Të dënuarit përfituan ulje të dënimit për shkak se kishin kërkuar gjykim të shkurtuar. Në total ata u dënuan me 18 vjet burg, vetëm për njërin prej tyre dënimi u konvertua në punë në shërbim të komunitetit.
Nëntë ish-zyrtarët e dënuar janë:
Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë u dënua me 2.8 vjet burg
Andi Gjeçi, jurist në ZVRPP Kavajë u dënua me 2.4 vite burgim
Asim Arkaxhiu u dënua me 2 vjet burgim
Aldo Kila u dënua me 1.8 vite burgim
Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh u dënua me 3 vjet burgim
Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave u dënua me 2 vjet burgim
Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP u dënua me 2 vjet burgim
Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës u dënua me 2 vjet burgim
Aida Gjoci, u dënua 8 muaj burgim, që u konvertua në 120 orë punë në shërbim të komunitetit.