Përkundër të gjitha premtimeve për të ndërmarrë masa, Toka është ende në rrugën drejt ngrohjes në nivele të rrezikshme. Ky është vlerësimi i fundit i Kombeve të Bashkuara.
Ekspertët e saj kanë studiuar planet klimatike të më shumë se 100 vendeve dhe kanë arritur në përfundimin se ne po shkojmë në drejtimin e gabuar.
Kohët e fundit shkencëtarët konfirmuan se për të shmangur pasojat më të kqija të ngrohjes, emetimet e karbonit në botë duheshin ulur me 45% deri në vitin 2030.
Por kjo analizë e re tregon se emetimet kanë për t’u rritur me 16% gjatë kësaj periudhe.
Kjo mund të çojë në një rritje të temperaturës mesatare globale me 2.7 gradë C krahasuar kohët para-industriale dhe shumë mbi kufirin e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare (1.5 gradë celsius).
Përfundimet e analizës së OKB-së janë një paralajmërim i ashpër për shkallën e sfidës me të cilën përballet konferenca e klimës COP26, e planifikuar të mbahet në Glasgow në nëntor.
Qëllimi kryesor i konferencës është të mbajë gjallë shpresat për të kufizuar rritjen e temperaturave globale duke i bindur kombet të ulin emetimet e tyre.
Sipas rregullave të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës, vendet duhet të përditësojnë planet e tyre për reduktimin e karbonit çdo pesë vjet.
Por OKB thotë se nga 191 vende që marrin pjesë në marrëveshje, vetëm 113 kanë përmirësuar premtimet e tyre.
Një studim nga Climate Action Tracker zbuloi se nga grupi G20 i vendeve kryesore industriale, vetëm një pjesë e vogël përfshi Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA kanë forcuar objektivat e tyre për të ulur emetimet.
Në një analizë tjetër, Instituti i Burimeve Botërore dhe Analiza e Klimës nxjerrin në pah sesi Kina, India, Arabia Saudite dhe Turqia – së bashku përgjegjëse për 33% të emetimeve të gazeve serë – ende nuk kanë paraqitur plane të përditësuara.
Australia dhe Indonezia kanë të njëjtat objektiva për reduktimin e emetimeve të karbonit që bënë në vitin 2015 por Marrëveshja e Parisit synon zvogëlimin e mëtejshëm të emetimeve
Studimi zbulon se Brazili, Meksika dhe Rusia presin që emetimet e tyre të rriten në vend që të zvogëlohen.
Ka shpresa që Kina të rishikojë planet e saj klimatike përpara konferencës në Glasgow.
Si emetuesi më i madh në botë, ajo ka thënë se synon të arrijë kulmin e nivelit të emetimeve të karbonit deri në vitin 2030 dhe t’i eleminojë deri në vitin 2060.