Qeveria e ka transferuar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë, me anë të një vendimi të marrë më 8 maj dhe të botuar, në mënyrë të pazakontë, brenda të njejtës ditë ne Fletoren Zyrtare.
5 522 metra katrorë të godinës së teatrit dhe të oborrit të tij ishin deri tani në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Në vendimin e saj qeveria ka theksuar se toka duhet të përdoret për vetëm për ndërtimin e ndërtesës së re të teatrit, dhe Bashkia Tiranë nuk mund ta tjetërsojë, ndryshojë destinacion apo kalojë tokën palëve të treta.
Qeveria ka deklaruar se teatri do të ndërtohet me fondet e buxhetit, dhe për të do të përdoret projekti i arkitetit Bjarke Ingels.
Kalimi i tokës në pronësi të Bashkisë Tiranë mund të jetë hapi i parë i këtij projekti, i cili, sikurse kemi argumentuar, lë të lirë rimarrjen e projektit të zhvillimit nga privatët të zonës pas teatrit, përfshi tjetërsimin e tokës publike në favor të privatëve.
Vendim për financim publik të teatrit erdhi pas dështimit të përpjekjes disa vjeçare të dyshes Rama-Veliaj për ta ndërtuar atë me një skemë të dyshimtë PPP.
Nisur nga një kërkesë e dyshimtë e kompanisë Fusha shpk, qeveria u mundua ta ndërtonte teatrin si pjesë e një projekti për zhvillimin e gjithë zonës me kulla të larta, një pjesë e të cilave mbi tokë publike që do t’i falej privatit si kompensim për koston e ndërtimit të teatrit.
Për këtë qëllim, qeveria hartoi dhe miratim në Kuvend një ligj të veçantë për ta tjetërsuar tokën publike në favor të firmës Fusha shpk.
Pas reagimeve të ashpra nga qytetarët, Komisioni Europian dhe kthimit të ligjit nga Presidenti, ai u amendua për të hapur një procedurë konkurimi për përzgjedhjen e zhvilluesit.
Procedura e tenderimit u hap në muajin tetor, por pas shumë muajsh heshtje dhe mungesë transparence, në shkurt 2020 Veliaj deklaroi se tenderi kishte dështuar dhe tani teatri do bëhej me financim publik.
Prishja e ndërtesës së teatrit kundërshtohet për më shumë se dy vjet nga qytetarë dhe artistë. Falë këmbënguljes së tyre, ndërtesa e teatrit u përfshi në listën e 7 siteve të mbrojtura nga organizata Europa Nostra, fakt që u pranua edhe nga Komisioni Europian.
Megjithatë, Kryebashkiaku Veliaj i sfidoi të gjithë duke deklaruar se vendimi për teatrin merret nga shqiptarët dhe jo të huajt.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, qeveria duket e vendosur të vazhdojë me këtë projekt, çfarë do të kërkojë përpjekje të mëdha për ta ndalur tani që ajo do të përdorë fondet publike.