Shteti nuk duhet të gjejë investitorë seriozë për kompanitë private në mënyrë që t’i japë fund grabitjes së ARMO-së.
Në një intervistë për emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews, gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri sqaroi se rafineria e Ballshit është në pjesën më të madhe pronë private, ndaj si e tillë detyrimet, ashtu si dhe përfitimet duhet t’i mbajë private:
“Shteti ka vetëm 15% në pronësi dhe pjesa tjetër është private. Rafineria është pronë private. Qeveria ka gjetur investitorët dhe i ka prezantuar si zgjidhje, ndërkohë ata kanë lënë qindra miliona detyrime.
Përfshirja e qeverisë e mban në këmbë këtë skemë. Po të distancohej nga ARMO siç bën nga çdo kompani private, publiku nuk do paguante.”
Ai theksoi se gjetja e një investitori e mban në këmbë këtë skemë mashtuese:
“Nëse do të gjejnë sërish investitor, do të ndodhë e njëjta gjë. Rafineria nuk vlen dhe është provuar tashmë. Sa herë vihet ajo në punë, grabitet publiku. Dhënia e asistencës është argument shtesë për të hequr dorë nga detyrimet për ARMO-n.”
Tomorri tha që politika është e lidhur me këtë proces. Shembull tregues i lidhjes është fakti që qeveria nuk po bën asgjë për gjyqin e arbitrazhit me kompaninë Bankers:
“Patoz Marinza ka akuzuar ish-drejtuesit për krijimin e skemave mashtruese. Shteti është në gjyq me Bankers. Mjafton ajo letër që qeverisë t’i japë armën për në arbitrazh. Por qeveria nuk lëviz. Politika është mplekur me ketë biznes.”