Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar, të hënën, se buxheti i vitit 2021 përbën një alarm, pasi pritet që borxhi publik të kalojë mbi 90% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si pasojë e detyrimeve që ka qeveria ndaj kontratave me privatin.
Përmes një postimi në Facebook, Topalli shprehet se borxhi publik është një problem edhe më i madh se pandemia.
Topalli, njëkohësisht dhe kryetarja e partisë së sapothemeluar ”Lëvizja për Ndryshim”, theksoi se aktualisht borxhi ka arritur në 80% të PBB-së.
”Duke përfshirë dhe detyrimet e prapambetur dhe detyrimet jashtë bilanci të PPP-ve, borxhi real pritet të kalojë 90% të PBB-së, duke arritur në nivele të paqëndrueshme, duke u kthyer në një rrezik edhe më të madh se pandemia, në momentin që kjo e fundit, me shpresë, do të mbarojë dhe vendi do të përqendrohet te rimëkëmbja”, deklaroi Topalli.
Duke iu referuar ekonomistëve, Topalli nënvizoi se për shkak të kontratave që ka lidhur me privatin, qeveria nuk mundet që taksat e qytetarëve t’i përdorë për menaxhimin e Covid-19.
Topalli krahasoi buxhetin për menaxhimin e pandemise që është 14.2 miliardë lekë, me buxhetin e vitit 2021 për kontratat koncesioanre që është 14.5 miliardë lekë.
”Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se në pjesën më të madhe, në këto kontrata, risku financiar është marrë përsipër nga shteti (vlera e disa prej tyre vijon të rritet çdo vit), ndërsa raporti kosto – përfitime nuk po anon nga taksapaguesit,” thekson Topalli.