Policia italiane njoftoi goditjen e një grupi italo-shqiptarësh që trafikonin narkotikë në veri të Romës. Ajo arrestoi 6 persona, mes të cilëve 3 shqiptarë ndërsa vuri në kërkim edhe një tjetër. Grupi u kap pas aksionit të koduar “Operazione Underground” që finalizoi katër vite hetime të nisura pas dëshmive të një maqedonasi.
Sipas raportimeve në Itali, policia e hetonte grupin kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës që prej vitit 2015. Ata e merrnin drogën nga Belgjika dhe e shpërndanin kryesisht në Italinë e mesme në rajone si Viterbo apo Terni në Romë dhe Umbria.
Autoritetet ranë në gjurmët e grupit pasi morën një kallëzim nga një maqedonas, i cili ishte përdorues droge. Maqedonasi pretendonte se qe marrë peng, ishte dhunuar dhe shantazhuar me armë për të paguar një borxh që ai i kishte krijuar grupit italo-shqiptar. Mediat italiane raportojnë se maqedonasi ka pranuar të bashkëpunojë dhe të kthehet në informator për karabinierët. Kështu falë tij hetimet e policisë janë zgjeruar duke zbardhur rrjetin e duke arrestuar së paku 6 persona.
Gjatë aksionit policia sekuestroi disa doza droge si dhe shuma të ndryshme parash.
Të arrestuarit janë:
Bledar Shtëmbari (44 vjeç) – Në mediat italiane thuhet se ka qenë një nga drejtuesit e grupit, që merrej personalisht edhe me udhëtimet në Belgjikë.
Armand Çuni (44 vjeç) – Anëtar i grupit që qëndronte në mënyrë të parregullt në Itali. Mendohet se ishte shpërndarës.
Rudenc Medolli (37 vjeç) – Rezident në Terni dhe me precedencë penale, mendohet se ishte një nga përgjegjësit për furnizimin me drogë.
Gjithashtu të arrestuar janë edhe italianët, Domenico Pennacchietti (37-vjeç), Angelica Cazzato (32-vjeçe), Massimiliano Petrucci (55-vjeç). Përveç këtyre, policia ka vënë në kërkim ndërkombëtar edhe Erion Çollakun (37-vjeç), i cili mendohet se qëndron në Spanjë dhe se është gjithashtu anëtar i grupit.
Grupi akuzohet për krijim organizate kriminale, prodhim dhe trafikim kokaine, grabitje, rrëmbim dhe kanosje me armë si dhe armëmbajtje pa leje. Sipas mediave italiane në këtë organizatë përfshiheshin kryesisht shtetas shqiptarë që qëndronin në Itali në mënyrë të parregullt.