Kompania farmaceutike britanike Synairgen ka njoftuar se trajtimi i saj i ri për koronavirusin ka ulur numrin e pacientëve të shtruar në Covid-19 që kanë nevojë për terapi intensive.
Trajtimi i kësaj kompanie përdor një proteinë të quajtur ‘beta interferon’, të cilën trupi e prodhon kur merr një infeksion viral.
Proteina dërgohet drejtpërdrejt në mushkëritë e pacientëve me koronavirus, duke përdorur një nebulizator.
Gjetjet fillestare nga trajtimet provë tregojnë se pas terapisë ulen me 79 për qind shanset që një i infektuar të ketë nevojë për terapi intensive.
Pacientët që morën trajtimin po ashtu kishin dy ose tre herë më shumë të ngjarë të rikuperoheshin më shpejt se sa pacientët e tjerë – koha mesatare që një pacient kalon në spital thuhet se është zvogëluar me një të tretën, për ata që marrin ilaçin e ri – nga një mesatare prej nëntë ditësh në gjashtë ditë.
Trajtimi provë u bë në një grup me 101 vullnetarë, të infektuar me Covid-19, që ishin pranuar për trajtim në nëntë spitale në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjysmës së pjesëmarrësve iu dha proteina, ndërsa gjysma tjetër mori atë që njihet si placebo – një substancë joaktive.